Rolling Stones humbet bateristin legjendar, Ndërron jetë Charlie Watts

Bateristi i njohur i Rolling Stones, Charlie Watts ndërroi jetë këtë të martë në moshën 80-vjeçare në një spital në Londër.
“Me trishtim të madh njoftojmë vdekjen e të dashurit tonë Charlie Watts”, tha Bernard Doherty në deklaratën e postuar në faqen e grupit në Twitter.
“Ai vdiq paqësisht në një spital në Londër herët sot i rrethuar nga familjarët e tij. Charlie ishte një bashkëshort, baba dhe gjysh i dashur dhe gjithashtu si anëtar i The Rolling Stones një nga bateristët më të mëdhenj të brezit të tij”, mbyllet komunikata.
Charlie Watts iu bashkua Rolling Stones që prej vitit 1963. I shkolluar si artist i arteve pamore, pasionin për baterinë dhe muzikën e nisi në klubet e natës në Londër, ku performoi fillimisht, deri në momentin që u takua me Brian Jones, Mick Jagger dhe Keith Richards për të formuar një ndër bandat muzikore më të suksesshme të të gjitha kohërave.