E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roma, në kërkim të moralit, ndaj Celsit duhet fitorja

Nga Altin Latifi
Fitorja në ndeshjen e sotme kundër Celsit do të largonte krizën nga ekipi i Romës, që këtë sezon duket vërtetë në situatë të vështirë. Ndeshja është shumë e rëndësishme edhe për fatet e trajnerit Luciano Spaleti, që rrezikon të shkarkohet. 

ITALI- Trajneri i Romës Luçiano Spaleti është në kërkim të moralit të humbur në prag të ndeshjes kundër Çelsit, në program sot në mbrëmje në Olimpiko. Humbja ndaj Juventusit ditën e shtunë e ka vënë Romën dhe teknikun e saj në një pozitë mjaft të vështirë, duke qenë se ishte disfat e pestë radhazi. Tifozët kërkojnë largimin e Spaletit, ndërsa klubi deri tani i ka rezistuar presionit, duke e refuzuar një gjë të tillë. Veçse, sfida e sotme kundër Çelsit shihet si vendimtare për të ardhmen e teknikut italian. Në prag të këtij takimi, mbrojtja duket pika më e dobët e Romës me 17 gola të pësuar në 9 ndeshje. “Ndeshja ndaj Çelsit është më e rëndësishmja nga të gjitha. Ne kemi nevojë për rezultate të mira që të zgjidhim vështirësitë e Romës”, deklaroi Spaleti. Për verdhekuqtë pritet rikthimi i kapitenit Françesko Toti, ndonëse ka ende një dyshim të vogël në lidhje me të. Për mesfushorin Daniele De Rosi, prezenca në fushë e Totit është shumë e rëndësishme. “Duhet të luajmë me thikën në dhëmbë, pasi duam të avancojmë në Champions League”, deklaroi De Rosi. Në ndeshjen e zhvilluar dy javë më parë, Çelsi arriti të fitonte 1-0. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›