E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romakët nuk e duan Behramin

Tifozët e Romës janë çuar kundër transferimit të Valon Behramit në klubin Giallorossi. Ata e kanë shfaqur qëndrimin e tyre gjatë një ndeshjeje miqësore të klubit romak. Përkundër kësaj, 25-vjeçari është shumë pranë rikthimit në Itali, me destinacion të mundshëm, pikërisht Romën. Nga Express më 04 janar 2011 në ora 10:11

Largimi i Valon Behramit nga West Ham Unitedi është vetëm çështje kohe. Dhe me gjasë, destinacioni i radhës për mesfushorin kosovar pritet të jetë Roma.

Mirëpo, në mes gjithë kësaj qëndron një problem. Në fakt, tifozët e klubit Giallorossi janë kundër këtij transferimi. Ata e kanë konfirmuar qëndrimin e tyre gjatë miqësores që e zhvilloi Roma kundër ekipit Atletico Roma.

Një grup tifozësh, gjatë ndeshjes kanë lansuar kore dhe parulla për ta kontestuar klubin rreth transferimit eventual të ish-futbollistit të Lazios, armik i përhershëm i klubit të tyre të zemrës. “Ne Behramin nuk e duam”, thërrisnin tifozët romakë.

Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se 25-vjeçari pritet të transferohet në Romë në ditët në vazhdim. Interesimin e klubit nga kryeqyteti italian për mitrovicasin e ka konfirmuar zyrtarisht edhe drejtori sportiv i Romës, Daniele Prade.

“Behrami na pëlqen shumë, por ende nuk e kemi formuluar ofertën për West Ham Unitedin”, tha Prade, i cili shumë shpejt do të takohet me menaxherin e Behramit, Alessandro Beltrami, për të arritur marrëveshjen.

Edhe pse luan në të njëjtën pozitë, mesfushori Rodrigo Taddei nuk ndien aspak xhelozi, rreth transferimit të mundshëm të Behramit. Madje, ai e mirëpret ish futbollistit të Veronës. “Do të jetë i mirëseardhur. Grupi ynë është fantastik, sa më shumë që jemi, aq më mirë”, tha futbollisti brazilian.

Trajneri Claudio Ranieri e ka dhënë dritën e gjelbër për transferimin e Behramit, i cili do të mund të luante si mbrojtës i djathtë, në vend të Cassettit ose si mesfushor i djathtë, në vend të Taddeit.

Gjithnjë sipas mediave italiane, Roma planifikon t’ia propozojë Behramit një kontratë trevjeçare prej 1.5 milion eurosh në vit. Menaxheri i futbollistit, Beltrami, nuk e ka përjashtuar mundësinë e kalimit në Romë të asistuesit të tij.

“Roma? Nuk i dihet. Ky ekip së pari ka objektiv shitjen e disa futbollistëve. West Hamit mund t’i interesojnë disa lojtarë të Romës, të shohim”, tha Beltrami, duke iu referuar një shkëmbimi të mundshëm të futbollistëve të të dyja ekipeve.

Nuk përjashtohet mundësia e huazimit të Behramit në Romë, me mundësi transferimi definitiv gjatë verës.

Behrami, ëndërr për Cesenën

Derisa ëndërr e Behramit mbetet Roma, Behrami është ëndërr e Cesenës. Klubi italian e kërkoi përfaqësuesin zviceran gjatë verës, por ky i fundit e refuzoi ofertën e klubit të rikthyer në Serie A.

Tash, ekipi në të cilin luan Erjon Bogdani do të tentojë sërish për futbollistin e krahut. “Behrami do të ishte një ëndërr për ne. Në këtë moment, ne duhet ta shfrytëzojmë raportin në mes tij dhe trajnerit tonë”, tha drejtori sportiv i Cesenës, Lorenzo Minotti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›