Shkëlqimi i Spanjës

Spanjollët kanë dominuar në sportin botëror, duke arritur suksese të jashtëzakonshme. Ekspertët e sportit kanë konstatuar se suksesi i spanjollëve është si rezultat i kombinimit të investimeve masive, të klimës mesdhetare dhe i dietës së rreptë të këtyre yjeve.
Pa dyshim, suksesi më i madh i tyre ishte triumfi në Kampionatin botëror të futbollit, i cili u mbajt gjatë verës në Afrikën e Jugut.
Ky ishte sukses historik i “Stuhisë së Kuqe”, pasi më parë nuk e fitonte kurrë evenimentin më të rëndësishëm në botë të futbollit.
Kur jemi te futbolli, favoritët Real Madrid dhe Barcelona dështuan në Ligën e Kampionëve, por spanjollët u dalluan në Europa League, ku Atletico Madrid e mposhti në finale Fulhamin në muajin maj.
Edhe sporti i bardhë, tenisi, ishte në dorë të spanjollëve. Në fakt, tenisti nga Mallorca, Rafael Nadal, fitoi tre nga katër turnetë më të rëndësishëm të tenisit brenda një viti, e cila ndodh rrallë në këtë sport.
Në çiklizëm, 27-vjeçari Alberto Contador e fitoi për herë të tretë turneun Tour De France. Motorsport gjithashtu kishte si adresë buzëqeshjen spanjolle.
23-vjeçari Jorge Lorenzo e udhëhoqi MotoGP World Championship, përpara bashkëkombësit Dani Pedrosa, i cili përfundoi i dyti.
Ndërkaq, piloti Fernando Alonso e humbi për një fije floku titullin e kampionit në Formula 1, edhe pse udhëhoqi në këtë sport gjatë pjesës më të madhe të sezonit.
Trashëgimia e suksesit të spanjollëve filloi me organizimin e Olimpiadës 1992 në Barcelonë. Vendi filloi programin masiv të investimeve në sport dhe në stadiume, duke inkuadruar akademikë dhe trajnerë. Natyrisht, spanjollët nuk e kanë ndërmend të ndalen me kaq...