Roman i mbijetesës shqiptare
"Sytë e Simonidës" e Dhimitër S. Shuteriqit
Mesjeta, aq e trajtuar në letërsinë evropiane dhe aspak e papërfillur nga shqiptarët, ka gjetur te Dhimitër Shuteriqi autorin më të përgatitur për këtë temë.
Njohës i thelluar i kësaj epoke të ndërlikuar, specialist nga më seriozët, i afirmuar tanimë me hulumtimet e studimet medievale, Dhimitër Shuteriqi, falë talentit të fuqishëm dhe përvojës së pasur krijuese, ka arritur t'i japë letërsisë shqiptare një roman me vlera të shquara ideoartistike.
Është fjala për romanin "Sytë e Simonidës", një vepër e pjekurisë së shkrimtarit tonë të nderuar. Kush e njeh nga afër krijimtarinë e tij, e ka të qartë se romani është shkruar në vazhdën e tregimeve më të mira të autorit, me temë historike, të vlerësuara tanimë aq lart nga lexuesit dhe kritika. Të gjitha tregimet kanë të njëjtin bosht, historiko-shpirtëror: etnosin iliro-arbëresho-shqiptar.
"Sytë e Simonidës" ngre para lexuesit perden e mesjetës ballkanike-evropiane, në përgjithësi dhe të asaj shqiptare në veçanti. Është një gjetje mjaft e goditur e shkrimtarit, kur gjithë romanin e ka ndërtuar mbi bazën e udhëtimit të princeshës Simonidë, nuses së Kral Milutinit, nga Kostandinopoja në Rashë.
Në vështrim të parë, mund të duket sikur vëmendja kryesore është përqendruar tek oborri i Andronikut, perandorit të Bizantit dhe njerëzve të Kral Uroshit, por në të vërtetë, ideja themelore që autori u përcjell lexuesve është ajo e mbijetesës arbërore.
Janë qindra vjet qëndrese, në fronte nga më të ndryshmet, të arbanëve, siç i quanin sllavët shqiptarët në mesjetë, kundër asimilimit më të tmerrshëm: asimilimit sllav. Të gjendur në mes dy fuqive të mëdha të kohës, arbanët mbijetojnë, falë vitalitetit shpirtëror dhe mençurisë, dinjitetit dhe trimërisë së tyre.
Kjo e vërtetë e dokumentuar historikisht, ka gjetur në vepër një pasqyrim artistik të ekuilibruar e të përkorë. Themi kështu, se vendin kryesor në roman e zë tabloja e gjerë e historisë dhe jetës biznatino-sllave dhe mbijetesa shqiptare më shumë ndjehet, sesa shfaqet. Por, prania e saj është e gjithëpushtetshme.
Ajo shfaqet në figurën e Gjon Skurajt, një personazh, në dukje, thuajse dytësor, por tepër domethënës; në jehonën tronditëse të ngjyrave, që vijnë nga Arbëria; në disfatën e Leonit etj. Këto figura e ngjarje, kthehen në hapësira ideo-emocionale të romanit, në farë orientuese për lexuesin në përgjithësi e sidomos, për lexuesin shqiptar. Nga kjo pikëpamje vepra bart vlera të veçanta patriotike.
Por "Sytë e Simonidës", edhe pse përcjell artistikisht një mesazh patriotik, ngërthen ngjarje, personazhe, konflikte tipike nga segmente të rëndësishme të historisë së mesjetës.
Nëpër faqet e romanit shohim të fokusuar fytyrën e një epoke të tërë: një fytyrë të egër, djallëzore, të pabesë, ku ne bëhemi dëshmitarë të skenave e prapaskenave të jetës perandorake, të mekanizmit mizor të shtetit bizantin, por dhe të kishës, mbështetëses së tij kryesore.
Në këtë vështrim, mund të themi se rrallë gjen, në prozën tonë historike, mjedise mesjetare të përshkruara me një pasuri aq të madhe e të saktë detajesh, me variacione ngjyrash nga më të hollat e delikatet, atmosferë aq autentike, herë-herë sugjestionuese, sa në faqet e këtij romani.
Ai është i mbushur tej e mbanë me një informacion të begatë historik e social; me hollësi nga fusha të ndryshme, të dhëna këto në një kontekst të gjallë jetësor dhe ngaherë funksional. Mbi të gjitha, zbulohet psikologjia e kohës, e mishëruar në një galeri të veçantë personazhesh që përfaqësojnë shtresa dhe kategori të ndryshme të piramidës perandorake.
Në mendjen e lexuesit mbeten të paharruara figura të skalitura mjeshtërisht, si ajo e Simonidës, Andronikut e Artemisit, Patrikut e Shehrazades, Urosh Milutinit e Karagjozit, për të mos përmendur të tjerë. Secili nga personazhet ka diçka që e dallon, e individualizon dhe i jep vendin që i takon në ecurinë e ngjarjeve.
Por figura zotëruese e romanit është, pa dyshim, Siomnida, heroina e gjithëpushtetshme e veprës: një vajzë në moshë fare të re, por me mendje sa të zgjuar, aq dhe djallëzore; e bukur dhe plot dhunti e kontraste. Autori është treguar mjeshtër për të depërtuar në psikologjinë komplekse të kohës.
Megjithëse vende-vende ka një perceptim disi romantik apo me ngjyrime poetike të disa situatave, nëpër të cilat kalon heroina, prapë ajo nuk e ka prekur thelbin realist të figurës së saj.
Meritë e shkrimtarit është edhe përftimi në roman i botës mesjetare, i raporteve tipike të kohës, i marrëdhënieve njerëzore e shoqërore, evidentimi i etikës dhe i logjikës feudale, homogjeniteti dhe diversiteti i mentaliteteve. Shteti dhe kisha jepen në një përputhje të plotë me njëri-tjetrin, për të marrë nëpër këmbë dhe për të nënshtruar njeriun.
Lexuesi nuk mund të mos vërë re pasurinë dhe bukurinë e peizazhit të romanit. Vepra është ndërtuar në një mënyrë të tillë, ku pamjet e natyrës janë sfond i pazëvendësueshëm i saj. Ato kanë një origjinalitet dhe larushi të rrallë. Autori tregohet mjeshtër virtuoz në përshkrimin e viseve nga ku kalon Simonida nuse me shpurën e saj perandorake.
Udhëtimi nga brigjet e Bosforit, në viset malore të Ballkanit, alternohet me pamje nga më piktoresket, ku secila pamje ruan individualitetin artistik. Asnjëra nga tridhjetë e tri ditët e udhëtimit nuk i ngjan njëra-tjetrës.
Gjuha e romanit të bën për vete në shumë pikëpamje: nga pasuria dhe forca, nga hijeshia dhe siguria. Dh. Shuteriqi, në këtë vepër, ka arritur kulmin e tij gjuhësor. Ajo është e mbushur plot vlera stilistike, figurative e poetike.
"Sytë e Simonidës", duke qenë një segment artistik i historisë së mundimshme të mbijetesës shqiptare, është, nga një anë, vepër me vlera të shquara njohëse dhe edukative për brezat e rinj dhe, nga ana tjetër, një përgjigje, në llojin e vet të kualifikuar, që i jepet historiografisë dhe letërsisë serbomadhe. Romani është nga ato vepra që nuk lexohen me një frymë.
Ai është shkruar me një bagazh të pasur kulturor dhe kjo lyp nga lexuesi predispozitë shpirtërore dhe, pse jo, edhe një farë njohjeje të kësaj epoke. "Sytë e Simonidës", duke qenë një arritje madhore në krijimtarinë e Dh. Shuteriqit, është, padyshim, një arritje e letërsisë sonë, një kuotë e re e romanit historik shqiptar.