E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i Çekisë: Traktati i Lisbonës nuk zgjeron BE-në

I ftuar për një vizitë zyrtare, Presidenti i Çekisë shprehet kundër ratifikimit të Traktatit të Lisbonës.


TIRANË- Për Presidentin e Republikës së Çekisë, Vaçslav Klaus, ratifikimi i Traktatit të Lisbonës nuk është e thënë se mundëson hapjen e dyerve të Bashkimit Evropian për shtete të reja. Në një vizitë zyrtare në Shqipëri, i ftuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Presidenti i Çekisë, Klaus, rikonfirmon qëndrimin kundër të këtij dokumenti.


I pyetur, pikërisht për këtë çështje, pas takimit të zhvilluar me kreun e shtetit shqiptar, Presidentit Klaus sqaroi se, ratifikimi i këtij Traktati nuk i shërben zgjerimit, në një kohë që Presidenca suedeze pak ditë më parë konfirmoi të kundërtën.


"Nuk kam ardhur këtu për të diskutuar ratifikimin e Traktatit të Lisbonës brenda në Republikën e Çekisë dhe nuk kam ndonjë mesazh të veçantë për ju. Përsa i përket momentit, është e pamundur që të ratifikohet ky Traktat se kjo do të diskutohet dhe do të debatohet si në Gjykatën Kushtetuese të Republikës çeke, ashtu dhe në institucionet përkatëse të saj.


Kështu që edhe sikur do të doja të nënshkruaja Traktatin, unë nuk mund ta nënshkruaj atë. Kam vetëm një koment për fjalinë tuaj të dytë. Analiza juaj është e gabuar. Këtu kemi të bëjmë me një keqkuptim nga ana juaj, me një keqkuptim tragjik mund të them, sepse nënshkrimi i Traktatit të Lisbonës nuk është e thënë që do të zgjerojë Bashkimin Evropian",- tha dje Vaçslav Klaus.


Përkundrejt qëndrimit të Presidentit të Çekisë, dy ditë më parë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vuri në dukje se zbatimi i Traktatit të Lisbonës, do të bëjë të mundur reformimin institucional dhe strukturor të Bashkimit Evropian. "Implementimi i Traktatit të Lisbonës do të sjellë një epokë të re me reformimin e thellë institucional dhe strukturor të BE-së, si dhe do të hapë një perspektivë të qartë për zgjerimin e tij të mëtejshëm", - u shpreh Meta dy ditë më parë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›