E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet një i kërkuar pas 12 vitesh arrati

Besnik Visha, i dënuar me 16 vjet burg për krimin e vrasjes, është kapur dje në mesditë në banesën e tij në fshatin Zgur të Zall-Bastari


Forcat e RENEA-s kapën njeriun e konsideruar "hije", që në disa operacione të tjera kishte rrëshqitur momentet e fundit


TIRANË - RENEA dhe policia e Kamzës, arrestojnë me ndihmën e dy helikopterëve në fshatin Zgur të Komunës së Zall - Bastarrit, Besnik Vishën, i kërkuar që prej më tepër se 12 vjetësh, me akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje. Kapja e tij është kryer në një operacion të koduar "Darka jashtë" që ka zgjatur që prej të premtes, kur forcat e RENEA-s ishin vënë në vëzhgim të tij, në faqet e luginës së Zgurit, ku fshihej Visha.


I kërkuari cilësohej si një ndër më të kërkuarit nga policia e Tiranës, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiste ndërsa i dënuar për vrasjen e Refik Domit, në hyrjen e Universitetit Bujqësor në Kamëz. Krimi, sipas burimeve të policisë, dyshohet se ka ndodhur për motive banale pas një grindjeje të nisur që në Bathore e deri në afërsi të vendit të ngjarjes.


I arrestuari, sipas burimeve të policisë, që prej kohës së shpalljes së tij në kërkim, ka qëndruar në zonën e fshatit të tij të familjes në Zgur, ndërsa oficerët e kërkimit posedonin për të foto të vjetra, që nuk përputheshin me pamjen sotme.


Dje ai është ndaluar në banesën e tij, në kohën që ishte bashkë me gruan, ndërsa vëllezërit e tij të thirrur nga RENEA, negociuan që ai të mos bënte rezistencë. Në banesë policia i ka bllokuar atij, një automatik me dy krehra të mbushur dhe me fishek në gojë, si dhe me dy granata, një në brez dhe një që e mbante në dorë, por me siguresë të vënë.


Për krimin e vrasjes ndaj Domit, Visha është dënuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 1998 me 16 vite burg. Që prej vendimit të dhënë nga ky organ, Visha ishte futur në listën e personave të kërkuar.


Dy vite të shkuara, ai i kishte shpëtuar policisë së kryeqytetit në disa aksione, pasi ai kishte lënë banesën ku fshihej momentet e fundit përpara se të mbërrite ajo. Madje, në dy raste RENEA, ka mbërritur në vendstrehimin e tij, me informacionin se ai ndodhej në banesë, por kur këta kishin mbërritur aty, ai largohej.


Si taktikë Visha përdorte qëndrimin gjatë ditës në shtëpinë e tij në Zgur, ku kishte marrë gruan dhe vajzën e tij. Sapo agonte ai afrohej në shtëpinë e tij dhe në çdo rast kur afroheshin persona të dyshimtë, fshatarë të zonës e informonin se një i huaj kishte ardhur në fshat.


Në mbrëmje ai linte fshatin, ndërsa "hija" e tij ndiqte rrugëtimin në pyll për të humbur në strehimet e panjohura.
Pas arrestimit Visha është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku edhe është kryer ekzekutimi i vendimit të dënimit të Gjykatës, dhënë ndaj tij për vrasjen e Domit.


Përveç këtij krimi, ndaj Vishës nuk rëndonte ndonjë akuzë tjetër, por policia dyshon se ai mund të jetë përfshirë në ndonjë rast grabitjeje apo gjobëvënieje bashkë me një person tjetër, të arrestuar nga Policia në zonën e Tiranës së Re pak muaj më parë. Ndërkaq, blutë kanë pohuar se gjatë kohës së qëndrimit në fshat, ai herë pas here pinte dhe qëllonte me armë në ajër, duke shkaktuar frikë dhe panik te banorët e fshatit.


Operacioni

I arrestuari u kap në banesën e tij, ku ndodhej me gruan, ndërsa kërcënonte se do të hapte zjarr

Efektivët e RENEA-s u fshehën tri ditë në pyll


Të premten në mbrëmje, drejtuesit e komisariatit të Kamzës, kërkuan një njësi nga të vogël të RENEA¬-s, që më pas u dërgua në pyllin pranë fshatit Zgur, rrëzë një faqeje mali. Me mjete të posaçme vëzhgimi, si dylbi për shikim natën dhe ditën, dyshekë alpinë dhe mjete të tjera për strehim jashtë, njësia zuri vend në një kënd vëzhgimi që binte fare përballë banesës aktuale të Vishës.


Tri ditë me radhë u vëzhguan lëvizjet e tij, ku ai vinte në mëngjes herët dhe ikte në mbrëmje ndaj të errur. Dje rreth orës 12:00, një prej pjesëtarëve të grupit pa një person në oborrin e shtëpisë së të kërkuarit, pamja e të cilit ngjante me përshkrimin që blutë kishin marrë në mënyrë të vazhdueshme.


Menjëherë, forcat speciale, të veshura me uniforma kamuflazhi, zbritën me zvarritje, duke rrethuar banesën e tij.


Ndërkohë, efektivët kishin lajmëruar më parë kolegët e tyre të RENEA-s, që kanë nisur nga ajri dy helikopterë dhe dy grupe të tjera nga Zall - Bastari, nëpërmjet rrugës së Arbrit.


Deri në mbërritjen e përforcimeve, njësia e vogël e forcave speciale rrethoi banesën ku qëndronte Visha. Kur trupat janë afruar disa barinj të zonës dhe disa banorë kanë nisur të thërrasin në drejtim të banesës së të kërkuarit: "Besnik, ik se erdhi policia! Të rrethuan Besnik!"


Menjëherë atij i është bërë thirrje, që të dorëzohej pasi ishte i rrethuar. Për më tepër se një orë e gjysmë forcat speciale kanë negociuar me të, derisa mbërritën specialistët e negocimit, si dhe përforcimet.


Helikopterët u ulën në një zonë të panjohur për pilotët, por manovrimi i tyre i saktë bëri që mjetet fluturuese të ulen shpejt, duke shmangur rrezikun e mundshëm. Pasi blutë janë siguruar se në banesë ndodhej vetëm vajza bashkë me vëllezërit ka nisur negocimi. Thirrjeve të RENEA-s Visha iu është kundërpërgjigjur herë pas here me fjalët se do të qëllonte dhe se duhej të largoheshin.


Paralelisht me këtë kërkesë të vëllezërve dhe ndërmjetësuesve, gruaja e tij brenda shtëpisë është munduar të ndikojë te bashkëshorti i saj që të dorëzohej se nuk kishte rrugë tjetër.


Për më tepër se një orë forcat speciale kanë qëndruar në gatishmëri, në pritje të dorëzimit të të kërkuarit. Kur dukej se ai nuk donte të dorëzohej, krerët e policisë me megafon i bënë thirrje se nëse nuk do të dorëzohej do të ishte i mbaruar. Visha ka pranuar të lërë shtëpinë e tij dhe të dorëzohet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›