E Diel, 1 Nëntor 2026

Romanca nga Lola Gjoka dhe muzika e filmave shqiptarë, në skenën e arteve

Stina Koncertore e Pranverës vjen në Akademinë e Arteve me një repertor të pasur artistik
Stina Koncertore e Pranverës, e cila ka filluar në datën 10 mars vijon sot me një koncert vokal instrumental. Në kuadër të kësaj stine sot në skenën e Akademisë së Arteve do të zhvillohet koncerti radhës, i cili vjen për publikun me një repertor të pasur me veprat e njohura botërore, por dhe shqiptare. Romanca nga Lola Gjoka, por dhe muzika e filmave shqiptarë kompozuar nga Kujtim Laro do të jenë një pjesë e këtij repertori, i cili do të përmbajë dhe pjesë nga vepra të Puçinit. Dirigjent i këtij koncerti është Artisti i Merituar Alqi Lepuri. Në një prononcim dhënë për gazetën ai tregon se ky koncert vjen me një repertor të zgjedhur, i cili do të përcjellë tek publiku emocione. Koncerti bëhet në kudër të Stinës Koncertore që zhvillohet në Akademinë e Arteve, dhe në këtë koncert orkestra është krejtësisht me studentë të viteve të ndryshme dhe janë këtë herë tre solistë, Merita Balliu që është pianiste, dhe pedagoge, Dorina Laro që është pedagoge dhe violiniste dhe Emiljana Palusha, e cila është një soprano e njohur. Në program ka pjesë të ndryshme nga autorë shqiptarë, siç është Endri Sina, por dhe pjesë nga Puçini të operës Gianni Schichi. Ka romancë nga Lola Gjoka, por dhe një pjesë për piano, e cila është kompozuar nga Giovani Alevi, i cili mori pjesë dhe në Sanremo. Është një personalitete botëror, i cili ka ardhur në Shqipëri. Ai na la partiturat  e tij dhe një pjesë e tyre do të interpretohet në këtë koncert. Në program ka dhe pjesë nga filmat artistik shqiptarë. Është filmi Liri a vdekje, Rrugicat që kërkonin diell, si dhe filmi i fundit i tij Lule të kuqe lule të zeza, ku do të interpretojë Dorina Laro, tregon drejtuesi i këtij koncerti Alqi Lepuri. Më tej duke folur mbi repertorin ai tregon se në këtë koncert studentët janë të përgatitur me një përgjegjësi të madhe. Koncerti do të përcjellë shumë emocione, sepse Kujtim Laro e dinte fatin në fund, dhe e mbaroi Endri filmin. Ai e jetoi fundin e tij dhe është e mbushur me shumë emocione kjo natë. Ka muzikë të bukur dhe nuk mund të quhet muzikë e mirëfilltë simfonike, por pëlqehet shumë, shikohet dhe tek studentët që e krijuan me përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe shpresojmë që të krijohet një mbrëmje e këndshme, vijon të tregojë mbi koncertin dirigjenti Alqi Lepuri. Stina Koncertore e Pranverës do të ketë një sezon të pasur artistik. Kjo stinë do të jetë e mbushur me koncerte, të cilat do të sjellin vepra të kompozitorëve të njohur, që do të interpretohen nga studentët e arteve. Në kuadër të koncerteve do të jetë Nata e Mendelsonit, do të ketë opera dhe në fund të muajit është sërish opera Orfeo dhe Euridice. Në fund të sezonit do të jetë opera Gianhi Schichi si dhe janë tre diploma simfonike të studentëve të gërshetuar dhe me korin. Kështu që aktiviteti është shumë i ngjeshur, por marrin pjesë dhe pedagogë, pohon profesori i arteve. Sipas tij kjo mbrëmje koncertore do të sjellë diçka të veçantë në skenën e arteve, pasi repertori i saj kuptohet nga i gjithë publiku, dhe jo vetëm nga një publik i zgjedhur. Mbrëmja koncertore do të jetë një buqetë e këndshme, e cila do të kënaqë njerëzit, por dhe do të krijojë emocione,sepse në këta autorë në muzikën e tyre mbizotëron ndjenja e hollë e rafinuar, por mbizotëron dashuria. Ka dhe tragjizëm brenda dhe nuk mund ti ndash nga njëra-tjetra, por nuk ka ato skena triumfale. Është një muzikë reale dhe shumë e dashur. Do të luhet në skenën e Akademisë së Arteve ku është e vetmja sallë, ku mund të dëgjohet akoma muzikë, pasi skenat tona nuk bëjnë për muzikë. Kjo mbrëmje koncertore nuk është vetëm për një publik të zgjedhur, por do të jetë shumë e dëshirueshme sikur të vijnë njerëz që nuk merren me muzikë, sepse është një repertor i kuptueshëm dhe i këndshëm. Muzika e specializuar do dhe një publik të specializuar, ndërsa kjo është më demokratike, më e bukur, më e qartë në transmetim, pohon ai. Më tej sipas tij Stina Koncertore zhvillohet dhe për një qëllim të caktuar, që ka të bëjë me daljen në skenë të talenteve të rinj. Shkolla jonë ka qëllim që studentët të dalin në skenë. Po nuk dolën në skenë ata nuk bëhen dot artistë. Le të studiojnë sa të duan dhe të marrin dituri sa të duan, por po nuk dolën vetë në skenë ata nuk bëhen dot artistë. Mund të dalin edhe keq në fillim të tyre, por pikërisht në atë moment ai fillon që të mendojë për skenën dhe destinacioni është Stina Koncertore,përfundon ai.
 

*********************************************************************
Milto Vako: Muzika kombëtare, pjesë e rëndësishme e koncerteve
Për një prej profesorëve më të vjetër të Akademisë së Arteve, Artistin  e MerituarMilto Vako, Stina Koncertore përveçse qëllimit për daljen e studentëve në skenë, ajo përcjell dhe rëndësinë e muzikës kombëtare. Organizmi i kësaj stine koncertore ka për qëllim jo vetëm për përgatitjen dhe mjeshtërimin e vetë studentëve, por njëkohësisht për ti sjellë publikut edhe muzikën tonë kombëtare është një pjesë e rëndësishme e koncerteve, e cila shërben dhe për edukimin e spektatorëve që të dinë ta njohin muzikën klasike, të njohin muzikën tonë kombëtare, por dhe muzikën e filmave. Në këtë koncert është dhe një muzikë e tillë, që shumë drejtë e tha dhe profesor Alqi, që luan një rol të madh në edukimin, duke pasur të gjitha zhanret brenda saj. Është e vërtetë që mund të ketë muzikë klasike që është e një stili dramatik, e cila do një kulturë për ta përvetësuar, ndërsa këtu i serviret publikut një muzikë e tillë, që ai të vijë me kënaqësi dhe ta dëgjojë, por njëkohësit bëhet dhe propaganda që ne na duhet, shprehet ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›