E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romela Begaj, e treta në botë

/* */

Dash FRASHËRI -Ylli i peshëngritjes shqiptare, Romela Begaj, fitoi medaljen e bronztë në stilin e shkëputjes, në Kampionatin e Botëror për të Rritur, të 79-in për meshkuj dhe të 22-in për ferma, që po zhvillohet në Paris, duke shkruar në faqe të artë në historinë e shtangës shqiptare. Ish-artistja e cirkut, e cila më 2 nëntor festoi 25-vjetorin në “Diznejland” të kryeqytetit francez, doli e treta në botë në këtë stil dhe e teta në renditjen e përgjithshme në dygarësh.

MEDALJE BRONZI - Romela Begaj, kampione e Europës në Ligniano të Italisë (14-21 prill 2008), garoi në baterinë B. 25-vjeçarja ngriti në provën e parë në stilin e shkëputjes 93 kg. Në të dytën trajneri i saj Hektor Shaqiri propozoi 96 kg, të kaluar me sukses nga peshëngritësja jonë, ndërkohë që në tretën Begaj realizoi me sukses 100 kg, duke kapur edhe vendin e parë në baterinë B dhe të tretin në botë, duke marrë në konsideratë dhe rezultatet e baterisë A. Në stilin e shtytjes, Romela ngriti 116 kg, duke dështuar në dy provat e tjera, kur tentoi të ngrinte 116 kg, duke zënë vendin e 14-të në renditjen e përgjithshme. Në stilin e shtytjes me 136 kg vendin e parë e zuri bjellorusia Nastasia Novikava. Përsa i përket dygarëshit, Romela zuri vendin e parë në baterinë B, duke ngritur në total 213 kg, por të tetin në atë të përgjithshëm. Medaljen e artë në dygarësh e zuri bjellorusia Nastasia Novikava (237 kg në dygarësh), e cila zuri vendin e parë dhe në stilin e shtytjes me 136 kg. Në stilin e shkëputjes, atje ku Romela zuri vendin e tretë, medaljen e artë e mori kinezja LI Xueying me 103 kg. Sportistja kineze zuri vendin e dytë në dygarësh.

HERA E TRETË - Për Begajn, e cila mban edhe rezultatin më të mirë në peshëngritjes shqiptare përsa u përket femrave, vendi i 6-të në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, ky rezultat i jep mundësinë që të marrë pjesë me pikë olimpike në Olimpiadën e Londrës të vitit 2012. Kjo është hera e tretë, që Shqipëria arrin të sigurojë medalje nga kampionatet botërore. Ja vlen të kujtojmë se është Ymer Pampuri në Lojërat Olimpike të Munihut (1972) vendosi një rekord olimpik duke ngritur, më 29 gusht të vitit 1972, 127.5 kg, duke qenë njëherësh edhe kampioni i parë shqiptar i botës, përsa i përket peshëngritjes. Ilir Suli, vendi i 5-të në Lojërat Olimpike në “Sidnej 2000”, i cili do të garojë në datën 11 nëntor në peshën 85 kg, ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të peshëngritjes në Poloni, ngriti 175 kg në stilin e shtytjes.

Romela Begaj
Datëlindja: 2 nëntor 1986
Sukseset:
Medalje bronzi në Lojërat Mesdhetare “Almeria 2005”
Medalje argjendi Kampionati për të Rinj në Strasburg 2007
Medalje ari në Kampionatin Europian për të Rritur “Ligniano 2008”
Vendi i 6-të në Lojërat “Pekin 2008”
Medalje ari në Lojërat Mesdhetare “Peskara 2009”
Medalje bronzi në Kampionatin Botëror për të Rritur “Paris 2011”

Pampuri, kampion bote
Ymer Pampuri konsiderohet edhe si peshëngritësi i parë i madh i shqiptar. Pampuri, sot 67 vjeç, në Lojërat Olimpike të Munihut (1972) vendosi një rekord olimpik duke ngritur, më 29 gusht të vitit 1972, 127.5 kg, duke qenë njëherësh edhe kampioni i parë shqiptar i botës, përsa i përket peshëngritjes.

Suli, nënkampion bote

Ilir Suli ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të peshëngritjes në Poloni në prill të vitit 2002, duke ngritur 175 kg në stilin e shtytjes. Ai është peshëngritësi shqiptar që ka mundur të arrijë rezultatin më të mirë në Lojërat Olimpike. Vendi i pestë në “Sidnej 2000”, me 335 kg në dygarësh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›