E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Romët', Sequi: Situata do të reflektohet në raport/progresin për Shqipërinë

TIRANE- Avokati i Popullit organizoi sot një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar në lidhje me situatën e krijuar me komunitetin Rom që banon në zonën e ish-Dekorit (Rruga e Kavajës). 

Avokati i Popullit, Igli Totozani gjatë fjalës së tij, u shpreh se ‘romët po kalojnë momente të vështira, ndërsa dëbimi i tyre nuk është bërë në mënyrën e duhur”. Lidhur me kallëzimet për këtë rast, Totozani shprehet se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj t’i hetojë.

“Fillimisht kanë qenë 67 familje, 30 u larguan, 37 familje kanë mbetur pa mundësi strehimi, koha nuk pret, duhet zgjidhje”, tha ai.
Në këtë treyezë të rrumbullakët marrin pjesë institucione shtetërore dhe komunitetit ndërkombëtar. Ambasadori i BE, Z. Sequi dhe përfaqësuesja e OKB në Shqipëri, Znj. Touimi- Benjelloun si dhe ambasadorë të tjerë.

SEQUI: NJË NGA 12 PRIORITETET E INTEGRIMIT, PËR TË DREJTAT E ROMËVE
Gjatë diskutimeve në këtë tryezë, ambasadori i BE-së, Etore Sequi tha se BE mbështet përfshirjen sociale të romëve.
Sipas tij, ky komunitet duhet të ketë shanse të barabarta si gjithë të tjerët.

Sequi kujtoi se “një nga 12 prioritetet e integrimit është për të drejtat e romëve” Ambasadori i BE-së, shtoi më tej se, ‘BE i ka akorduar 3 milionë euro Shqipërisë për romët”, ndërsa shtoi se institucionet duhet të bashkëveprojnë. 

Sipas ambasadorit Sequi autoritetet vendore duhet të konsultohen para dëbimit të romëve, si dhe të gjejnë zgjidhje në rastet kur ata dëbohen. “Autoritetet të sigurohen për zgjidhje ligjore”, tha Sequi, ndërsa përgëzoi Avokatin e Popullit për përkrahjn e tij. 

Në përfundim të takimit, ambasadori Sequi theksoi se situata e romëve do të reflektohet në raport/progresin e BE-së për Shqipërinë, që pritet të jetë gati në muajin tetor. Ambasadori Sequi inkurajoi të gjitha institucionet shqiptare që të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e romëve.

“Ju e dini që një nga 12 prioritetet kyçe të cilat Shqipëria duhet t’i përmbushë për të ecur përpara drejt BE-së, ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbrojtje e të drejtave të komunitetit rom. Ne inkurajojmë të gjitha institucionet shqiptarë që të bashkëpunojnë që të gjendet një zgjidhje si afatshkurtër dhe afatgjatë për këtë çështje. Mendoj që kemi të bëjmë me një çështje që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, të drejtat për të gjithë. E drejta është diçka që askush nuk jua merr dot. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot.”- u shpreh ambasadori Sequi.

OSBE, WILTON: MBËSHTESIM PROPOZIMET E AV.POPULLIT PËR ROMËT
Gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga Avokati i Popullit, kreu në detyrë i prezencës së OSBE-së, Robert Wilton, theksoi nevojën e diskutimit mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për çështjen e romëve.

Ndërsa shprehu shqetësim për dëbimin e romëve nga strehimet e tyre, zoti Wilton tha se OSBE-ja mbështet propozimet e Avokatit të Popullit. Ai theksoi rëndësinë që romët të regjistrohen, të marrin ndihmë ekonomike dhe të strehohen. 

OKB, BENJELLOUN: EKZISTON MUNDËSIA PËR ZGJIDHJE, TË KETË BISEDIME
E pranishme në takim, përfaqësuesja e OKB-së në Shqipëri, Znj. Touimi-Benjelloun theksoi se ekziston mundësia për zgjidhjen e çështjes së romëve, përmes bisedimeve mes palëve. Përfaqësuesja e OKB-së kërkoi përmirësim të mirëqenies së romëve në Shqipëri. 

TOTOZANI: GJENDJA E ROMEVE, SHQETESUESE
Ndërsa në përfundim të tryezës, Avokati i Popullit, Igli Totozani ka bërë sërish apel për zgjidhjen e situatës së krijuar me familjet e dëbuara të komunitetit rom. 

“Gjendja emergjente e romëve të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të qëndrueshme. Takimi ishte një shkëmbim idesh mjaft i frytshëm me disa nga institucionet shtetërore dhe miqtë tanë të përhershëm, që nuk mungojnë asnjëherë kur qytetarët shqiptarë kanë nevojë, BE, OSBE, OKB, dhe një sërë organizatash të rëndësishme e federata rome. Gjendja është mjaft shqetësuese dhe mjaft e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve romë. Hetimet për personat që kanë ushtruar dhunë fizike apo psikologjike ndaj romëve të mbyllen dhe ata të dërgohen para gjykatës. Propozimi konkret është që 37 familjet rome që banojnë në Tiranë të marrin sa më shpejt ndihmën ekonomike. Gjithashtu kemi bërë rekomandimin për zotin Basha dhe zotin Ksera, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme e dinjitoze për qytetarët romë.”- deklaroi Totozani. 

(m.a/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›