Kërkon ndihmën e policisë për vajzën me të meta
E ndërsa tre prindër tashmë të identifikuar lidhnin me zinxhirë fëmijët e tyre të sëmurë mendorë për të shmangur ndonjë problem që ata mund të sillnin, një grua në Tiranë ka kërkuar ndihmën e policisë për të neutralizuar veprimet e vajzës së saj të sëmurë mendore. E pamundur për të, që të kryente një "krim" duke e mbajtur të lidhur me zinxhir vajzën e saj, gruaja i ka telefonuar policisë sapo vajza e saj ka shfaqur shenja agresiviteti. Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës në rrugën "Kongresi i Manastirit" pranë zonës së quajtur "Oxhaku" në Tiranë, kur një nënë kërkoi ndihmën e policisë, pasi nuk mund t‘i përballonte veprimet agresive të vajzës së saj të sëmurë psikike. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Komisariatit Nr. 4, të cilat nisën punën për të neutralizuar veprimet e vajzës së re. Ajo u dërgua në spital, ndërsa policia bëri të ditur se gjendja e saj u qetësua.