E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romët në parlament

Pas shkrimtarit amerikan Ralph Waldo Emerson, i cili i shkroi veprat e tij në natyrë dhe u bë njësh me të, e vështirë të imagjinosh një lidhje më të fortë me natyrën se sa ajo e romëve. Rruga për ta është jeta. Ata janë të prirur të flenë nëpër tenda jashtë në qiell të hapur, të udhëtojnë nga një vend në një tjetër, nga një qytet në një tjetër, si për të vërtetuar se të gjithë njerëzit janë nga pak romë në zemër, përderisa të gjithëve na pëlqen të udhëtojmë e të takojmë njerëz derisa të gjejmë atë qetësinë ideale që kemi projektuar në mendjet tona. Kam lexuar se aktorët ngjajnë shumë me romët në zakone e tradita, edhe se rolet e tyre i luajnë në mënyrë perfekte. Ata zor se kanë një shtëpi; gjithnjë në luftë me veten, pëlqejnë të performojnë e të këndojnë e mbi të gjitha ta fshehin dhimbjen përveçse ta shprehin në role.
Kështu edhe romët tanë. Me një sens humori, dell për muzikë e kërcim, si dhe gjak për tregti, romët në Shqipëri kanë arritur të mbijetojnë pavarësisht kushteve shumë të vështira të jetesës. Duket se me atë temperamentin e tyre të veçantë, ata kanë krijuar një botë më vete, deri diku mistike, deri diku parashikuese (të gjithë kemi pasur njëherë rast në jetë t’ju a tregojmë pëllëmbën e dorës për të zbuluar fatin tonë), deri diku të trishtueshme, por kurrë nënshtruese.
Në këto 20 vite të konsolidimit demokratik të Shqipërisë, kjo është hera e parë që vëmendja e autoriteteve shqiptare kthehet nga komuniteti rom dhe kjo, vetëm në sajë të Bashkimit Europian që e ka klasifikuar këtë aspekt si një nga 12 kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë. Ky është gjithashtu një rast tipik, që na vjen në momentin e duhur për të kuptuar drejt se si një përmbushje e plotë, deri në fund, dhe e saktë e 12 rekomandimeve të Bashkimit Europian ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve.
E po të marrim rastin e komunitetit rom, është e nevojshme të shihen hapa konkretë. Së fundmi, një vend i veçantë u caktua për strehimin e një numri familjesh rome. Që këtu fillon problemi. Masa që u ndërmor ndaj tyre ishte përsëri veçuese, siç ata janë ndjerë gjithmonë. Ata përsëri u izoluan në një vend. E kundërta do të kishte një efekt të padiskutueshëm. Nëse ata do të shpërndaheshin kudo nëpër vend duke u përzier me komunitetin, kjo do të tregonte se më në fund ata janë si gjithë shqiptarët e tjerë dhe nuk do ta ndjejnë më diskriminimin. Nëse deri më sot ata janë trajtuar si një racë inferiore, kjo masë e marrë do ta ndryshonte radikalisht këtë imazh të konsoliduar në vite. Si fillim, mund t’u jepet mundësia 10 a 20 familjeve rome të jetojnë me komunitetin dhe të shihen rezultatet. Ky do të ishte një rast i mirë për këto familje, të merrnin shembull e të ndiqnin modele se si mund ta ndryshonin mënyrën e jetesës. Forca e tyre e veçantë dhe vullneti për punë do t’i ndihmojë ato për të arritur një jetë më të mirë. Ky do të ishte rast shumë i mirë edhe për kryeministrin e vendit, Z. Sali Berisha dhe udhëheqësin e opozitës, Z. Edi Rama të jepnin shembullin e tyre: Të ishin ata të parët që të pranonin që një familje rome të jetonte në ndërtesat e tyre. Ata do të shikonin se si brenda një kohe shumë të shkurtër, këto familje do të ndryshonin konceptin për jetën dhe për botën përreth. Në këtë mënyrë, autoritetet tona do të tregonin me vepra dhe jo vetëm me fjalë se kanë vërtet interes të mbrojnë të drejtat e njeriut, siç tregoi tek e fundit edhe Avokati i Popullit, Z. Igli Totozani, i cili strehoi një numër romësh në institucionin e tij dhe për sa ditë ata qëndruan aty, treguan vetëm mirënjohje dhe respekt.
Nga ana tjetër, nëse thuhet se mbi 100.000 romë jetojnë në Shqipëri, (ndoshta edhe më shumë sepse nuk kemi ende një regjistrim zyrtar të tyre), është mëse e natyrshme që ata të kenë deputetin e tyre në parlament. Shumëllojshmëria e problemeve që e shqetëson këtë komunitet e bën të domosdoshëm prezencën e një deputeti përfaqësues në parlament, i cili mund të shprehë zërin e të pazëve në këtë institucion vendimmarrës. Do të jetë ky deputet që do të adresojë hallet dhe problemet e këtij komuniteti. E gjithë problematika e këtij komuniteti nuk mund të zgjidhet vetëm nga Avokati i Popullit. Tek e fundit, pasja e një përfaqësuesi në parlament do të ishte hapi i duhur drejt respektimit të plotë të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Kjo do të vlerësohej pa masë edhe nga Bashkimi Europian në Shqipëri, si një nga mbështetësit kryesorë të komunitetit rom në Shqipëri, i cili dha së fundmi rreth 1.5 milionë euro në kuadrin e “IPA 2012”, pikërisht për përfshirjen sociale të Komunitetit Rom dhe atij Egjiptian.
Ashtu siç theksoi edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Z. Ettore Sequi, në mesazhin e tij për romët në ditën ndërkombëtare të tyre më 8 Prill, “Ne të gjithë kemi një përgjegjësi të përbashkët t’i japim fund përjashtimit të romëve nga shkollat, punësimi, kujdesi shëndetësor dhe strehimi. Unë jam i ndërgjegjshëm që kjo është një sfidë e madhe. Por kjo është arsyeja pse ne i kemi vendosur vetes objektiva për integrimin e romëve dhe për t’i vënë ato në jetë kemi nevojë për angazhim të qartë të të gjithëve.”
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›