Këllqet “joburrërore” të mocion-mosbesimit
Teksa në Kuvend diskutohej për mënyrën e votimit “elektronik” për anëtarin e ri të KLD-së, Topalli doli në podium dhe e ndërkryer u kërkoi deputetëve të opozitës të bëheshin burra e të paraqisnin mocion mosbesimi për kryeministrin që të shihnin, - gjithnjë sipas saj, - se si do të dështonin me turp, jo një, po mbi dhjetë herë! Në të vërtetë Topalli nuk gabohej. Kërkesën e saj e mbështeti edhe Patozi, e, para tyre e pat shqiptuar edhe Berisha. Por “dorashkën” e hedhur për duel parlamentar me mocion-mosbesimi nuk e pranoi opozita. Se, po të vijë puna për rrëzimin e qeverisë, qoftë edhe me një votë më pak, - sikur ndozot LSI-ja të dalë nga koalicioni, - nuk do të bjerë vetëm qeveria, nuk do të ikë vetëm Berisha nga kryeministria, po edhe Topall-Kuvendi, gjë që do të thotë se detyrimisht do të ketë zgjedhje të parakohshme. Pikërisht kjo e bën të sigurt dështimin e mocionit të mosbesimit, duke “maksimalizuar” e njëkohësisht banalizuar karshillëkun që rrëfejnë, jo vetëm Topalli e Berisha, po gjithë jeniçerët e tyre: “Hë pra, bëhuni burra, po ju nuk keni këllqe!”
Nëse votëbesimi bie nën 70+1, deputetët aktualë, të dalë nga listat, do të humbasin mandatin një vit e gjysmë para kohe, një risk ky i padëshiruar për çdo deputet. E, po t’i shtosh kësaj edhe faktin se në zgjedhjet e reja, shumë syresh nuk e dinë nëse kryetari përkatës do t’ua shënojë emrin në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë, situata vetvetiu ndërlikohet e bëhet më e pasigurt për nismat kësodore të pozitës dhe opozitës. Prandaj mocioni i mosbesimit mund të cilësohet i dështuar dhe i rrëzuar ende pa nisur! Sepse, afërmendsh, shumicës dërrmuese të deputetëve, me apo pa urdhër, me apo pa reforma, me apo pa sherre e bojkot, në të dy krahët, si majtas, si djathtas, nuk u leverdis humbja e mandatit të çmuar të deputetit, që të kthehen andej nga kanë ardhur, në anonimat…Aq më tepër që jo pak prej tyre kanë harxhuar mund, miliona dhe tjetërsim-zvetënim moral për t’u bërë të shquar, deputetë, “baballarë të kombit”. Ndaj, edhe kur zallamahia transferohet nga shoqëria në zemër të Kuvendit, pas bojkotit disamujor të opozitës, pas shpërthimit të Gërdecit, pas krimit shtetëror të 21 janarit, madje edhe nëse kriza financiare (largqoftë!) do të marrë përmasat e Greqisë a të Italisë, shut sikur na u mohua për herë të tretë e nesër (përsëri ‘largqoftë!’) për të katërtën statusi i vendit kandidat, pra çdo lloj zezone, sherrnaje, ngërçi e megakorrupsioni të bëjë vaki në këtë vend të bekuar, nuk do të ketë zgjedhje të reja, as rrëzim qeverie, për shkak të kontrollit për bukuri të votës politike nga kryeusta Berisha. Destini “ligjor” (mjaft që i kemi votat, 70+1!) për dështim i mocion-mosbesimit është ai që i bën fodullë, arrogantë, cinikë, qesëndisës e tallës, përçmues dhe poshtëronjës, aq të paduruar e nervozë ndaj debateve, polemikave e kritikave të opozitës, sa që as skuqen e as zverdhen kur shfaqen para kamerave arrogantë e të pafytyrë…Tashmë të tillë nuk janë vetëm Berisha e simotra Topalli, por i gjithë xhinsi i tyre…Fjalët ‘zhele, lavire e horr’ nuk ngjajnë më si sharje dhe poshtërim, po si një qesëndisje e hollë e njerëzve të mençur e dinjitarë. Gjithë ky tangërllëk ballkanik buron nga fakti se LSI “është forcë përcaktuese e pushtetit” të sotëm, meqë jep si kapar katër votat e mjaftueshme për formulën magjike 70+1 me të cilën Berisha qeveris rehat-rehat, si një sovran demokratik, edhe sikur në Shqipëri të bëhet qameti!
***
Nëse kryeministri hungarez Orban dhe partia e tij Fidesc ka 2/3 e votave, gjë që i krijon mundësi e lehtësi të ndryshojë si të dojë e kur të dojë Kushtetutën, pa e përfillur opozitën, madje edhe duke deklaruar se parlamenti hungarez nuk ka aspak nevojë për opozitë dhe as për rekomandimet e Brukselit, dyshes Berisha-Topalli i mjaftojnë ½ e votave, plus një votë më shumë, mjaft që të kapërcehet pragu i rrezikshëm i 70+1 për të zhburrëruar e nxjerrë jashtë loje çdo lloj mocioni mosbesimi, kritike, gjykimi, debate, alternative, arsyeje. 70+1 vota konsiderohen të bollshme për të qeverisur si të duan, pa dhënë llogari, për të miratuar ligje të rëndësishme, për të mbetur sa më gjatë në pushtet, për të kryer çfarëdo privatizimi strategjik, për të nëpërkëmbur opozitën dhe mendimin opozitar, për të emëruar klientë, mercenarë dhe nepotikë, për “të zgjedhur” edhe Presidentin me një kokorroçësi të pashembullt nga skuadrat gueriliere të PD-së! Parulla partizane e pasluftës “ne e kemi marrë pushtetin me gjak e me gjak do ta lëshojmë” ngjan e njëjtësuar me frazën aq shumë të dëgjuar sot “ne e kemi marrë pushtetin me votë”, ndaj nuk e dorëzojmë, sikur qameti të bëhet!…Në asnjë shoqëri demokratike nuk ndodh kështu, si tek ne, që vota, pasi të vidhet, të manipulohet, tjetërsohet, politizohet, trafikohet… e më në fund edhe të hipotekohet si tapi!
Në rastin hungarez ka lindur problemi: A mund të funksionojë normalisht një demokraci, edhe kur një parti e vetme arrin të zotërojë në parlament 2/3 e vendeve, pra një shumësi të jashtëzakonshme votash (qofshin edhe të lira e të ndershme…) me një fuqi kaq absolute, sa ta bëjë të natyrshme dhe ligjore padobinë dhe mënjanimin e votës së opozitës? Po sikur Berisha të kishte siguruar, si kolegu dhe miku i tij Orban, mbi 2/3 e votave? Hungaria është shembull se si demokracia u shfytyroka jo vetëm nga abuzimi dhe keqpërdorimi i votës politike, por edhe i votës së lirë e përnjëmend të ndershme, pra, edhe kur vjen një mazhorancë kaq absolute, nuk shmanget dot dehja prej inercisë së Njëshit të pakontrolluar, i cili mund të rezultojë dëmsjellës dhe antidemokratik…Në demokracitë funksionale, kompromisi, marrëveshja, konsensusi me opozitën, balancimi, pavarësia dhe kontrolli reciprok i pushteteve, dëgjimi dhe respektimi i pakicës nuk janë lojëra fjalësh, as demagogji, por qëndrojnë në themel të sistemit demokratik, përndryshe, loja demokratike bëhet e dyshimtë dhe autokratizmi, duke u vlerësuar si një e drejtë demokratike dhe kushtetuese, e fituar dhe e deleguar direkt nga populli, ka rrezik të degradojë në shtysë antidemokratike, si në rastin e kryeministrit Orban… Ky,duke marrë një mandat kaq të gjithëpushtetshëm, është transformuar për një vit e gjysmë në sovran të pagjykueshëm e të pakundërshtueshëm, pa përfillur madje as standardet, as kërcënimet dhe as rekomandimet e BE-së…E pra, dukuria “Orban” ka përditësuar pyetjen: A është e mundur dhe për më tepër, kush mund të kontrollojë, balancojë dhe disiplinojë një verdikt të tillë, kur populli “armatos” me kaq fuqi një parti dhe një udhëheqës? Gjykatat? Po kur edhe ato vihen nën hyqëm me Kushtetutë? Kush pra?
***
Partia e Orban për një vit e gjysmë ka miratuar 365 ligje tepër të rëndësishme, pa pasur nevojën e opozitës. Këto ligje dhe ndryshime kanë prekur çështje thelbësore si: liria e shtypit, vendosja e institucioneve nën varësinë e ekzekutivit, reduktimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe Bankës Qendrore…,etj. E njëjta gjë ka ndodhur edhe tek ne, por me një ndryshim: këto “përmbysje”, apo n’daç “reforma”, po kryhen me ½ e votave të Kuvendit, ndërsa ndryshimet kushtetuese, edhe me miratimin famëkeq të opozitës! Në zgjedhjet e fundit PD ka marrë 40,18% të votave, më pak se gjysma e domosdoshme, teksa sillet sikur ka fituar 2/3 e tyre, aq sa partia e Orban. Nga 1.519.176 votues që morën pjesë në zgjedhjet e 2009-ës, për PD-në patën votuar 619.463 zgjedhës, më pak se PS në opozitë, e megjithatë Berisha sillet sikur mandatin për të qeverisur ia ka dhënë shumica dërrmuese e popullit...Po t’i shtosh kësaj edhe faktin që në zgjedhje mori pjesë gati gjysma e popullsisë, llogaria del më e katranosur: Në 5 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote paska votuar për partinë e Berishës vetëm 1! E megjithatë kryeministri, edhe pse shumicën e thjeshtë e realizoi me votat e ish- kundërshtarëve të tij të majtë, të LSI-së, na shfaqet krenar, i vetëlavdishëm, ku e ku më sovran e më i pamposhtur edhe se Orban-magjari!
Sa më sipër, vlen të kuptohet adhurimi i natyrshëm i Orban-Aliev-Erdogan për Berishën, pasi, ndërsa kësaj tresheje i lipset 2/3 e votave për t’u bërë autoritarë e sovranë, ky i yni opozitën dhe opinionin publik, bashkë me ndërkombëtarët i zhburrëron e i çnderon sa herë të dojë, me një votë më shumë, me 68 të listës së vet rreshtore plus minimumi 3 të kaparosura, të cilat i gjen në mos te LSI, te çamët, pse jo, po iu lipsën, edhe te PS, si ndodhi kur emëroi/zgjodhi Topin President dhe si shpreson të gjuajë sërish penallti me një tjetër top të PD-së! Në këtë kontekst, a nuk tingëllon bukur fort qesëndisja e Topallit: “Hë pra, bëhuni burra, mos qani, sillni një mocion-mosbesimi që…që të turpëroheni!”… Tek ne, degradimi i votës përfaqësuese në votë politike ka shkuar shumë më larg, deri aty sa Presidenti i ardhshëm formalisht do të dalë nga “forumet” e partisë në pushtet e paskëtaj do të kurorëzohet me votat e deputetëve të listës…Kurse në të vërtetë Presidenti do të zgjidhet vetëm me dy vota: nga bashkimi i votës së Berishës me Metën e ky do të quhet President i zgjedhur “me Kushtetutë”, ndërsa po mundi Berisha të bashkojë vullnetin e tij edhe me Ramën, (nën trysninë e ndërkombëtarëve), një President i tillë, (me gjasë me mbi 84 vota), do të quhet edhe kushtetues, edhe konsensual…Pas një absurdi të tillë, një President i përzgjedhur faktikisht nga pazari i dy apo tri kryetarëve të partive, nga vetëvendosja ekskluzive e Berishës, a mund të quhet President i unitetit të popullit?
Ja përse Topalli ka të drejtë: Të turpëruar duhet të ndjehemi edhe ne, qytetarët e zakontë, paçka se mes nesh ka jo pak që, fatkeqësisht, këtë theqafje të demokracisë e të votës në këtë far’ feje ende nuk e kuptojnë!...Jemi në vend të parë në Ballkan që kemi Kuvend të topallizuar, qeveri deledash, deputetë-ushtarë, President pa integritet, Kushtetutë në letër, kryeministër anormal, histori të dyshimtë, gjak të shprishur, gjykatës të blerë, opozitë në twitter…, por ama kemi kryetarë të gjithëpushtetshëm e të karfosur partish!...
I paçim me jetë!...Zoti na shpëtoftë!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)