E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ska konsensus, reforma parlamentare drejt dështimit

Grupi i punës për reformën parlamentare

Skadon afati i Komisionit, pikat ku PD e PS nuk bien dakord.

Grupi i punës për reformën parlamentare mbyll punën për ndryshimin e Rregullores dhe statusit të deputetit, duke nxjerrë një produkt jo të plotë. Kjo për shkak se dy partitë e mëdha nuk janë tërhequr nga qëndrimet e tyre sa u takon dy çështjeve, mënyrës se si duhen votuar dekretet e Presidentit dhe kufizimi i kohës së Kryeministrit. Megjithëse puna e këtij grupi u shty edhe me 13 ditë, nuk u arrit që të gjendej një zgjidhje. Sipas opozitës, votimi i dekreteve të kreut të shtetit duhet të bëhet i fshehtë, siç ka qenë i përcaktuar deri në vitin 2006, ndërkohë që për maxhorancën votimi duhet të jetë i hapur. Pika e dytë ku palët kanë qëndrime të ndryshime, është ajo e përcaktimit të kohës së Kryeministrit. Sipas opozitës, Kryeministri duhet të ketë një minutazh të përcaktuar dhe të mos flasë sa herë që ta kërkojë fjalën, ndërsa maxhoranca i referohet Kushtetutës, ku është e sanksionuar që anëtari i Këshillit të Ministrave flet sa herë e kërkon fjalën. Opozita ka hequr dorë nga kërkesa që në rastin kur një ministër nuk i përgjigjet deputetit për interpelancë, çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, por edhe nga kërkesa për të shfuqizuar pikën 5 të nenit 64 të Rregullores, që flet për masat disiplinore ndaj deputetëve kur ata zaptojnë foltoren e Kuvendit. Me miratimin e këtyre ndryshimeve, nënkryetarët e Parlamentit dhe kryetarët e komisioneve parlamentare nuk do të jenë më të ftuar në Konferencën e Kryetarëve, por do të jenë anëtarë me të drejta të plota. Gjithashtu, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve do të zhvillohet jo më herët se 24 orë pas njoftimit të saj. PD-ja pranoi propozimin e opozitës që masa disiplinore për deputetët nga 21 ditë, të bëhet sërish siç ka qenë, 15 ditë. Ndërkohë që kanë lënë dy pika pa u dhënë zgjidhje, katër deputetët e grupit të punës kanë bërë disa ndryshime me konsensus në statusin e deputetit. Kështu, është rënë dakord që Grupi Parlamentar i PD-së dhe ai i PS-së të mos kenë nga një këshilltar, por nga katër. Gjithashtu, palët kanë gjetur konsensusin sa i takon akordimit të një buxheti për komisionet parlamentare. Pika e tretë që ka marrë votat e të dyja palëve është ajo e hapjes së zyrave në rrethe, nga një zyrë për çdo forcë politike që ka deputetë.

60-minutëshi
Partia Socialiste ka hequr dorë nga propozimi i saj për të kaluar në fillim të seancës parlamentare 60-minutëshin ku deputetët diskutojnë për çështje jashtë rendit të ditës. Në këtë mënyrë, ora e diskutimeve do të vazhdojë të jetë në fund të seancës, duke lënë në fuqi vendimin e marrë nga PD-ja unanimisht rreth dy vjet më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›