Ronaldo ëndërron Kampionatin Botëror
Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, pret edicionin më të mirë në historinë e një Kampionati Botëror dhe synon të fitojë titullin. Afrika e Jugut do të jetë nikoqir i garës, ndërsa sulmuesi i Real Madridit beson se Kombëtarja e tij mund të triumfojë, por pranon se ju nevojitet të kenë fat.
“Të gjithë futbollistët më të mirë dhe Kombëtaret më të mira do të jenë atje. Kampionati Botëror i kaluar ka qenë i shkëlqyeshëm, por ky do të jetë më i forti. Të gjithë ekipet pjesëmarrëse e kanë merituar kualifikimin, sepse janë treguar më të mirat. Ëndërroj të fitoj Kampionatin Botëror me Portugalinë”, ka thënë Ronaldo, për të përditshmen sportive spanjolle AS.
“Në Afrikën e Jugut, do të paraqitemi me përvojë më të madhe nga kualifikimet e vështira. Jemi përmirësuar në muajt e kaluar dhe ky është proces i zakonshëm. Ekipi nuk formohet brenda natës”, shtoi Ronaldo, i cili beson se Portugalia është në mesin e kandidatëve për të fituar garën.
“Janë disa kandidatë që mund të fitojnë Kampionatin Botëror. Portugalia është në mesin e tyre, por për diçka të tillë duhet të punojmë shumë. Kemi përkrahje, na nevojitet pak fat”, përfundoi ai.