E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo s’përmbahet, u tregon gishtin tifozëve

GREQI- Raportet e mira mes Ronaldos dhe tifozëve të Korinthiasit tashmë duken të mbaruara. Pas një tjetër prove zhgënjyese të Fenomenit, në ndeshjen e humbur 0-1 me Paulistën të mërkurën në mbrëmje, rreth 30 tifozë e kanë sulmuar atë në parkingun e stadiumit, duke e quajtur “trashaluq”. Ronaldo humbi një shans të artë në minutën e 60-të, gjë që rriti edhe më shumë nervozizmin e tifozëve. Pas thirrjeve të tyre, ish-sulmuesi i Barcelonës, Interit, Realit dhe Milani, u ka nxjerrë tifozëve gishtin e mesit, gjë që ka acaruar më tej situatën. Madje autobusi i Korinthiasit është shoqëruar edhe nga policia ushtarake për të mbajtur nën kontroll turmën. Gjesti i Ronaldos ka bërë që në Brazil të plasë një debat i vërtetë, ndërkohë që Korinthiasi tashmë duket jashtë luftës për titull. Vetë futbollisti ka nxituar të kërkojë falje, duke publikuar një deklaratë në uebsajtin e tij në internet. “Nuk do t’ua kisha bërë kurrë një gjest të tillë tifozëve të Korinthiasit, që më kanë adhuruar dhe përkrahur që nga ardhja ime këtu, - shkruan braziliani. – Gishtin ia drejtova një personi në veçanti, që më ka fyer në aspektin personal. Nëse ndonjë tifoz është ndjerë i fyer, dua t’i kërkoj falje dhe përfitoj nga rasti të shpreh gjithë admirimin tim për tifozerinë që gjithnjë më ka trajtuar mirë”, shprehet më tej Ronaldo. Humbja 0-1 me Paulistën të mërkurën në mbrëmje e ka lënë Korinthiasin në vendin e pestë, 9 pikë larg kryesuesve të Santosit. Tifozët kanë evidentuar Ronaldon dhe shëndetin e tij si fajtor për këtë mungesë suksesesh. Pas një viti 2009 ku tregoi një klas të jashtëzakonshëm, Fenomeni nuk po arrin të përsëritet në nivelet e larta, duke bërë madje shumë gabime para portës.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›