E Diel, 1 Nëntor 2026

Roshi: Shoqëria hap drejt lartësimit shpirtëror

12/10/2009  PBKD përshëndet vendimin për sjelljen e eshtrave të figurave të kombit

“Tekstet e historisë ende vazhdojnë të dominohen nga terma komunistë”

Kryetari i partisë së Ballit Kombëtar Demokrat (PBKD) Artur Roshi ka dalë dje në një konferencë për shtyp, ku ka përshëndetur vendimin e fundit të qeverisë për të kthyer në atdhe eshtrat e figurave të njohura të kombit. Sipas PBKD-së, këto figura të njohura të historisë dhe atdhetarisë Shqiptare u detyruan të punojnë jashtë vendit për shkak të politikës së përjashtimit që ndoqi diktatura komuniste. “Këto figura të shquara të kombit u detyruan të punojnë jashtë Shqipërisë për shkak të politikës së përjashtimit që ndoqi diktatura, edhe pse një pjesë e tyre ishin themelues të shtetit shqiptar. Mithat Frashëri paralajmëroi vazhdimisht dhe me këmbëngulje se e keqja më e madhe e Shqipërisë ishte komunizmi dhe historia i dha të drejtë. Asnjë pushtues nuk i ka sjellë aq viktima, mjerim dhe injorancë Shqipërisë sa komunizmi. Me kthimin e tyre shoqëria jonë hedh një hap tjetër drejt lartësimit shpirtëror të saj”, - tha Roshi. Nga ana tjetër, PBKD-ja ka kërkuar ndarjen e qartë dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Sipas Roshit, ende nuk janë dënuar, qoftë dhe moralisht, arkitektët e komunizmit, ata që në emër të Luftës Nacionalçlirimtare e shndërruan atë në një luftë hakmarrëse ndaj figurave atdhetare. “Megjithatë, Shqipëria ende nuk është ndarë qartë nga diktatura. Tekstet e historisë ende vazhdojnë të dominohen nga qasjet komuniste të historianëve. Arkitektët e komunizmit ende nuk janë dënuar, qoftë edhe pas vdekjes, si kriminelë dhe e ashtuquajtura ‘luftë nacionalçlirimtare’ ende nuk thirret me emrin e saj të vërtetë: ‘luftë civile’, të cilën e nxitën komunistët. Nuk është çështja të dënojmë ndokënd për shkak të urrejtjes, por të vendosim marrëdhënie korrekte me të vërtetën dhe disa standarde morale, që do të na ruajnë nga gabimet në të ardhmen”, - tha Roshi.

Thënia për zgjedhjet

“Edhe refuzimi nga disa forca politike i njohjes së zgjedhjeve më të mira që ka bërë Shqipëria në këta njëzet vjet është pasojë e diktaturës, që e rrënjosi thellë mentalitetin e përjashtimit dhe shkatërroi vlerat demokratike. Tirana është drejtuar nga komunistët dhe pasardhësit e tyre për më shumë se gjysmë shekulli dhe ata nuk ishin të aftë as të ndërtonin një bulevard cilësor në këtë qytet. Bulevardi ku ata protestojnë sot është ndërtuar në periudhën e mbretërisë. Partia e Ballit Kombëtar Demokrat u bën thirrje të gjitha partive të Tiranës të punojnë në mënyrë konstruktive për konsolidimin e demokracisë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›