E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rouçek, PE: Hapja e pjesshme e kutive, opsion për kompromis

Rama, takime në Strasburg: T’i jepet fund korrupsionit elektoral
Delegacioni i Partisë Socialiste, nën kryesimin e Edi Ramës, deklaroi dje nga Strasburgu se ka marrë mbështetje në kauzën për hapjen e kutive të votimit. Ata realizuan një takim të posaçëm me Libor Rouçek, zëvendëspresident i Parlamentit Europian. I pyetur nëse mendon se mund të arrihet një kompromis në tryezën e Presidentit, ku opozita të kthehet në Kuvend dhe shumica të pranojë hetimin e zgjedhjeve përfshi hapjen e kutive, Rouçek tha se “kjo zgjidhje do të ishte më e mira. Unë besoj te ndërmjetësimi i Presidentit, besoj se ai mund ta bëjë dhe besoj edhe se ai ka vullnetin e duhur për të ulur liderin e opozitës dhe Kryeministrin në një tavolinë për të gjetur kështu kompromisin që i duhet vendit”. Rouçek mendon se nga ana tjetër është shumë e nevojshme të kryhet hetimi për këto zgjedhje, që kjo t’i shërbejë jo asaj që ka kaluar, por sidomos së ardhmes që të mos ketë as edhe një problem me zgjedhjet. “Nga ana tjetër, është e rëndësishme për opozitën që, pas këtij kompromisi, të futet në Parlament dhe të vazhdojë rrjedhën normale opozitare. Kjo do të ishte një rezultat shumë i mirë për të gjithë, veçanërisht për popullin shqiptar”, u shpreh Rouçek. Ai u pyet gjithashtu për faktin se ajo që ka qenë e diskutueshme mes opozitës dhe mazhorancës është fakti që opozita kërkon hapjen e kutive si të vetmen mënyrë për ta çuar deri në fund hetimin, ndërkohë që mazhoranca e konsideron këtë si një tabu. “Nuk më takon mua t’u them politikanëve shqiptarë se çfarë duhet të bëjnë. Ndoshta hapja e një pjese të kutive, në zona të ndryshme, pra hapja e disa kutive në çdo zonë edhe kjo mund të ishte një zgjidhje”, theksoi Rouçek. Sakaq, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi pas takimit se “ishte një pasdite e ngjeshur në vijim të një komunikimi intensiv me miq dhe partnerë ndërkombëtarë, të gjithë dashamirës të vendit tonë, të gjithë të dëshiruar për një zgjidhje të krizës që ka mbërthyer vendin tonë”.
Padyshim, u shpreh ai, unë i ritheksova domosdoshmërinë e transparencës së plotë mbi procesin e shkuar zgjedhor për të mos lejuar më që procesi i ardhshëm të jetë i ngjashëm me të shkuarin për t’i dhënë fund korrupsionit elektoral. “Transparenca e plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, materialeve zgjedhore, për të bërë të mundur që populli shqiptar të shikojë dritën e diellit, çfarë ka ndodhur para, gjatë dhe pas 28 qershorit dhe njëkohësisht për të krijuar kushtet që administrata zgjedhore në të ardhmen të garantojë vullnetin e popullit dhe çdo komisioner të mos jetë thjesht komisioneri i forcës që përfaqëson, por qytetari që përgjigjet para ligjit për respektimin e tij në procesin më të rëndësishëm të demokracisë, siç është ai i zgjedhjeve”, këmbënguli Rama. Delegacioni i Partisë Socialiste drejtohej nga Edi Rama dhe në përbërje të tij ishin edhe disa deputetë. Mes tyre sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare, Arta Dade, deputeti Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›