Kreu i veteranëve të Lushnjës: Na kanë vjedhur eshtrat e partizanëve

Policia dhe prokuroria e mohojnë. Familjet e dëshmorëve hezitojnë
Kreu i veteranëve të Lushnjës deklaron se eshtrat e rreth 20 dëshmorëve të atdheut janë vjedhur. Pasho Uruçi, kryetar i Shoqatës së Veteranëve në LANç, deklaroi dje për “Shqip” se të hënën ka konstatuar vjedhjen e eshtrave të dëshmorëve. “Ky akt bëhet vandal për faktin e vetëm se ambicia e hajdutëve arrin deri në gjymtyrë njerëzish të vdekur prej më shumë se 60 vjetësh”, tha Pasho Uruçi. Sipas tij, bëhet fjalë për eshtrat e afro 20 dëshmorëve të atdheut. “Eshtrat kanë qenë në thasë dhe mbaheshin në dhomën muze të varrezave të dëshmorëve të qytetit. Më 29 nëntor ato do të rivarroseshin në këto varreza, por tani që erdha nga Greqia, mësova se rivarrimi nuk ishte bërë, sepse eshtrat nuk ishin më”, ka sqaruar më tej Pasho Uruçi. Gjithashtu, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të LANç-it deklaron se mbetjet e trupave të dëshmorëve janë mbledhur nga fshatrat e Rrethit të Lushnjës. Ka qenë një projekt i Bashkisë së Lushnjës për bashkimin e të gjithë të rënëve në luftë në varrezat e dëshmorëve të qytetit. Kështu, gjatë vitit 2009 është mundësuar nxjerrja e këtyre eshtrave në fshatrat e Lushnjës, me qëllim rivarrosjen në varrezat e dëshmorëve të qytetit. Për disa muaj eshtrat janë magazinuar në atë që veteranët e quajnë dhomë muze të varrezave, ndërsa bashkia dhomë e rojave. Sipas kreut të veteranëve, ekziston një fond prej 400 mijë lekësh të reja, i miratuar nga Këshilli Bashkiak i Lushnjës në nëntor 2009 për ceremoninë e rivarrimit të dëshmorëve. Pasho Uruçi thotë se me të konstatuar “humbjen” e kockave të dëshmorëve, të hënën, ka bërë denoncim në prokurori dhe polici.
Por, shefi i Komisariatit të Lushnjës, Latif Kulla, deklaroi për gazetën “Shqip” se nga ana e shoqatës së veteranëve është bërë një kallëzim për dhunim varresh, por jo për vjedhje skeletesh. Shefi i komisariatit ishte konfuz në komunikimin e parë me gazetën, por pas konsultimit me vartësit e tij, deklaroi me bindje se “bëhet fjalë për dhunim varresh dhe dhunim të një objekti në varreza. Asgjë tjetër”.
Në të njëjtën linjë është edhe prokurori i Lushnjës, Petrit çano, i cili dha dje për “Shqip” se “bëhet fjalë për dhunim varresh dhe çështja po hetohet”. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku, deklaroi dje se është konstatuar dëmtimi i dhomës së rojave, ose asaj që veteranët e quajnë dhoma muze në varreza. “Nuk bëhet fjalë për eshtra”, deklaroi dje në mbrëmje Sanxhaku.Një tjetër person që ka dijeni për ngjarjen, është kreu i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Lushnjës, Vangjel Bello. Sipas kreut të Veteranëve, ka qenë Vangjel Bello ai që është angazhuar me mbledhjen e eshtrave dhe ceremoninë e rivarrimit të tyre. Por ai nuk ka pranuar dje të tregojë asgjë nëpërmjet telefonit, duke lënë pa përgjigje çdo pyetje në lidhje me të vërtetën. “Kjo është shumë e madhe. Nuk janë gjëra që thuhen në telefon”, tha dje Bello.
#