E Diel, 1 Nëntor 2026

Rovena Dilo: Klipet, stacioni im i tanishëm, së shpejti një duet me Erandën

SHKRUAN: Ilda Lumani 21-06-2011 11:46

Një kafe me Rovenën është gjithmonë e këndshme. Me të mund të bisedosh për muzikën, për librat, për artin në tërësi dhe më tej të realizosh edhe një intervistë interesante. Ku padyshim, pjesë e saj janë emocionet e marra së fundmi në Festivalin “Video Fest”…, vëzhgime për muzikën që bëhet sot në Shqipëri…, projekte interesante, që lindin spontanisht… siç është ky më i afërti, një duet me miken e saj Eranda Libohova. Më tej një festival mesdhetar, ku Rovena do të interpretojë këngën “Rrëfimi”… E ndërsa biseda merr rrjedhën e saj, vetvetiu më kujtohet dalja e parë e Rovenës… “Nëse natën vij”! Goditja e parë dhe direkt në shenjë e këngëtares! Këngë që i dha pëlqimin absolut te publiku. Më tej vijuan festivale, çmime dhe vlerësime… këngë të njëpasnjëshme që kujtohen me dëshirë dhe të tjera hit, që duartrokiten në çdo dalje skenike të artistes. Për këto dhe kuriozitete të tjera që doni të shuani për këngëtaren Rovena Dilo, le të ecim së bashku në rreshtat në vijim…

Rovena, pak javë më parë keni qenë e ftuar speciale në ndarjen e çmimeve “Video Fest”. Cilat janë emocionet që morët pranë publikut prishtinas?

Po, ashtu është. Ftesën për në Video Fest ma bëri udhëheqësi artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku. Ishte hera e parë për mua që merrja pjesë në këtë eveniment tashmë 9-vjeçar, një nga më të rëndësishmit , në mos më i spikaturi në show-n televiziv kosovar, mjaft i ndjekur nga publiku i gjerë, aq sa nuk i mungonte tapeti i kuq. Një traditë botërore kjo, për të treguar popullaritetin e një evenimenti dhe tifozerinë për personazhet që marrin pjesë në të. Nuk stononte tapeti i kuq në Prishtinë, kosovarët dinë shumë bukur të jenë fansa dhe i përkasin natyrshëm kësaj natyre mbarë botërore. Besoj se kjo gjë, pra zakoni i tapetit të kuq, është pak i vështirë për Tiranën edhe kur është tentuar ka dështuar. Por ajo që desha të përmend ishte përgatitja me kujdes e një mikpritjeje shumë bujare. Pastaj salla e këndshme e Teatrit të Prishtinës, e stërmbushur nga një publik i përzgjedhur, madje do të thosha elitar. Ky publik më bëri pritjen më të ngrohtë e entuziaste që do të kisha ëndërruar. Më bënë të ndjehem e lumtur. Kur të duartrokasin fort është sikur dikush të vë një palë krahë....

Për herë të parë keni dalë në skenë në vitin 1993. Keni njohur publikun atëherë dhe këtë sot… sa ka ndryshuar ai, Rovena?

Gjithçka ndryshon! Publiku ndryshon, ne ndryshojmë. Ndryshimi është një proces i pashmangshëm dhe i nevojshëm. Por kur vjen fjala për ndryshimin e publikut që unë mbaj mend, them se ai më tepër është tërhequr nga frekuentimi i festivaleve sesa ka ndryshuar. Është çorientuar dhe zhgënjyer disi. Kaq shumë evenimente të këngës, skena dhe televizione, e bëjnë publikun mosbesues dhe dyshues. Flas gjithmonë për publikun tim. Atë që di të dallojë cilësinë nga sasia, të bukurën nga e rëndomta.

Dhe në këtë vrull këngëtarësh, si do t’i vlerësonit këngëtarët e dalë në 10 vitet e fundit?

Gjithmonë ka këngëtarë të mirë që ja vlen t’i vlerësosh. Çdo dhjetë vjeçar ka prurjet e veta. Është si një stafetë, duhet të jetë dikush aty në korsinë tënde, që të mund të pasohet dhe vazhdohet tradita e mirë. Fenomeni i 'reshjes' së këngëtarëve më kujton vargun e të famshmes “It’s raining man” që përshtatet në rastin tonë me “It’s raining singers”!

Mes këtyre këngëtarëve të rinj, keni të preferuar?

Patjetër, por nuk është e rëndësishme ta kufizoj me emra, por dua ta zgjeroj me thelbin e asaj që pëlqej: ata që dinë të më prekin me personalitetin e tyre, me energjinë pozitive dhe me shijen e kultivuar, janë të preferuarit e mi.

Përsa i përket karrierës suaj muzikore, keni në plan një duet apo jo, me Eranda Libohovën?

Po, unë dhe Eranda kemi në plan të bëjmë një duet bashkë. Premtojmë që kënga të jetë e bukur. Kemi folur paraprakisht me kompozitorin Pirro Çako, por çdo gjë mbetet e hapur. Kur dy profesioniste janë bashkë, patjetër produkti do të jetë cilësor. Tregut i mungojnë produkte të këtij niveli.

Ideja ka lindur edhe prej faktit që kaloni mjaft kohë bashkë, apo jo?

Sigurisht, shoqëria është një shtysë e fortë por unë dhe Eranda kemi pasur dhe bashkëpunime të tjera si; “Udhëtim në pranverë”, “Këngët e shekullit 1” dhe singëllin tim “Përtej kohës” e kënduam bashkë në natën e miqve në festivalin në RTSH. Pra, arsyeja është përtej miqësisë! Menduam se 2 vokale emocionalë dhe të ndjeshëm si tonët, do të funksionojnë shumë mirë në një këngë të re të shkruar enkas për ne të dyja.

Përsa duetit, të dyja bashkë jeni të ftuara në një festival. Mund të na tregoni më gjerë rreth tij?

Koordinatori artistik kosovar, Pleurat Himaduna, duke na njohur si artiste dhe duke parë miqësinë tonë, na ftoi në festivalin prestigjoz të Hercegnovës, që organizohet në javën e parë të muajit korrik. Ky Festival Bar ka publikuar tashmë këngët tona, bashkë me 30 të tjera, për publikun vendas. Unë konkurroj me këngën “Rrëfimi”, ndërsa Eranda me “Rroftë dashuria”. Këto 3 ditë do t’i shfrytëzojmë dhe për turizëm. Miqtë e mi, Aida Baraku dhe Armend Rexhepagiqi, ma përshkruan si një qytet shumë piktoresk dhe interesant Hercegnovën, sidomos në stinën që jemi.

Rovena vlerëson më shumë një pjesëmarrje në Festival, apo një prezantim përmes një këngë me klip?

Festivalet nuk janë më skena ime e parapëlqyer. E shoh veten jashtë konkurrimeve në festivale. Këngët dhe klipet e reja janë stacioni im i tanishëm. Ato arrijnë të përfaqësojnë çka unë jam dhe çka unë dua të tregoj. E rëndësishme është të jesh prezent për publikun që të do dhe që pret nga ty herë pas here. Edhe pse niveli i tregut muzikor nuk është atje ku duhet, më duhet të jem prezente për publikun tim.

“Nëse natën vij…” prej një kompozitori është cilësuar si kënga më erotike e muzikës shqiptare, por ndoshta nuk është vlerësuar në vijim si e tillë…

Është e vërtetë. Kam përshtypjen se kënga “Nëse natën vij” është një këngë sensuale. Ky është përkufizimi që do të jepja unë për të. Mendoj që ajo këngë është vlerësuar gjatë dhe ka pasur shumë fansa të saj. Përveç melodisë së bukur, fabula e vargjeve tej e tej spontane dhe e guximshme, solli një risi në muzikën e atëhershme shqiptare. Po t’i shtojmë kësaj interpretimin tim dhe paraqitjen time ndryshe në skenën e asaj kohe, kuptohet suksesi i menjëhershëm. Kam përjetuar me këngën “Nëse natën vij” duartrokitjen më të gjatë dhe kthimin 2 herë nga publiku. Për mua mbetet e paharrueshme. Nuk ka rëndësi se çfarë kujtohet e rikujtohet në media. Megjithëse ngjan patetike, e rëndësishme është çka publiku ruan dhe kujton në mendjen dhe zemrën e tij!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›