E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rozafa e zotimeve

Bashkëpunimi politik, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, zgjidhja e problemit të pronave, janë disa nga detyrat e pakryera të administratës, sa edhe të politikës shqiptare. Këto ditë, ato u formuluan edhe njëherë si kushte, nga realizimi i të cilave varet rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt BE-së. Ashtu si edhe emisarë të tjerë perëndimorë, Drejtori Politik për Zgjerimin në Komisionin Europian, Pjer Mirel, kërkoi më shumë vëmendje për reformën zgjedhore, po ashtu vazhdimin e reformave në fushën e drejtësisë, luftë kundër korrupsionit etj. Jashtë shqetësimeve të partnerëve, nuk mbetet assesi çështja e përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Dhe një zotim i tillë, nuk mund të realizohet pa zgjidhur “çështjen e të drejtave pronësore, çka do të ishte shumë e shëndetshme për të shtuar investimet.” (Ishin këto fjalë për fjalë sugjerimet e Drejtorit Politik për Zgjerimin.) Përkthimi i këtyre detajeve të rëndësishme, mund të bëhet në disa mënyra. E vërteta është një: Lojës së Shqipërisë me kushtet e BE-së, po i vjen fundi.

Frazave të bukura, tashmë ua kanë marrë dorën të gjithë. Reformat duhet të jenë të pakthyeshme dhe të qëndrueshme. Tha mysafiri. Por këtë e recitojnë pareshtur edhe politikanët shqiptarë. Madje ata marrin zotime pas zotimesh se po punojnë dhe do të punojnë për të përmbushur kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian, në rrugën e vështirë të integrimit. Veç nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë. “Rozafa” e zotimeve të Shqipërisë, së paku nga viti 1996, ngrihet dhe rëzohet pareshtur.

Kështu, mosrealizimi i detyrave dhe mosplotësimi i kushteve (politike), reflektojnë drejtpërsëdrejti në mosndryshimin e statukuosë dhe të pozicionit të atij që (vetëm) “aspiron” për në BE; “kontribuojnë” në mungesën e investimeve të huaja, që megjithë ndonjë ndryshim në këto vite, mbetet një dobësi tranzicionale e pakorrigjueshme; së fundi, justifikojnë edhe zvarritjen e Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave me vendet e BE-së, një gjë e premtuar disa herë nga politikanët vendas dhe partnerët e huaj etj.

Shqipëria ende s’mundet të fitojë as statusin e vendit kandidat për në BE, që tashmë e kanë edhe disa nga fqinjët tanë, paçka se përjetojnë shumë probleme politike e, po ashtu, pengesa, sa iu takon marrëdhënieve rajonale. Një ngathtësi e tillë, nuk është e pashpjegueshme.

Kushtet që na kanë vënë partnerët, nuk mund të realizohen duke bërë hapa prapa, apo më e pakta, duke bërë sa para prapa. Që nga fillimet e pluralizmit dhe përmbysja e sistemit komunist, e deri më sot, në jetën dhe në fatet tona, ka një rëshqitje (si) në baltë, çka tani është bërë njëlloj loje. Hapa para, hapa prapa. Është pikërisht kështu; dhe këtë e dinë politikanët shqiptarë, e dinë edhe ndërkombëtarët. Dhe asnjë justifikim nuk na shpëton dot nga ky lloj fataliteti. A s’mund të mos cilësohen veçse si hapa prapa ngjarjet e rënda si tragjedia e Gërdecit, bashkë me të edhe trafiku i armëve dhe fshehja e të vërtetave të hidhura?

Për fat të keq, ka pak vullnet politik për t’i shkuar asaj gjëme deri në fund, sikundër ka shumë vullnet demagogjik për të balancuar skandalet dhe gafat e rënda politike me përurime vend e pa vend, në rrugë që (të gjithë e dimë) do të bëhen e ribëhen pafundësisht, siç ka ndodhur rëndom. Patjetër që mund të shënohen si hapa prapa edhe gjobat ndaj mediave dhe fermerëve; (njëlloj gjobe është edhe heshtja për misrin dhe prodhimet e tjera bujqësore jashtë çdolloj standardi).

Edhe vendimi cinik për përballjen e biznesit me gjobadhënësit, tatimorët, duke mos iu dhënë atyre asnjë mundësi mbrojtjeje, s’mund të cilësohet veçse një hap prapa.

Problemi më i madh me të cilin përballet aktualisht shoqëria shqiptare, mbetet pafuqia për t’i ikur baltës. Shpjegimet për këtë, mund t’i gjejmë në përpëlitjet e papërballueshme për të realizuar interesa lloj-lloj. Zotimi i madh i pushtetit të sotëm, i kryeministrit të sotëm, se do të çmontonte korrupsionin, që ishte (dhe është) një sistem, rezultoi një bllof. Dështimet në luftën kundër korrupsionit, lidhen ngushtësisht me mosrealizimin e njërit prej kushteve kryesore (politike), kthimin dhe kompensimin e pronave.

Këtu pushtetarët e të gjitha kohërave kanë ngecur keq dhe ata e dinë shumë mirë këtë. Në kushtet e një përmbysjeje totale të vlerave (materiale) dhe mbetjeve të sistemit të shkuar, zotërimi i çdolloj pasurie, u bë qëllimi kryesor për shtresa të tëra, më së pari për ata që i përfaqësojnë dhe i mbështesin ato. Politika e udhëhoqi dhe vazhdon ta udhëheqë këtë babëzi. “Pushteti synon të korruptojë, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”, thoshte studjuesi Acton. Sistemi nuk është çmontuar, përveçse atje dhe kur i është dashur pushtetit aktual.

Emërimet në administratë, në borde soj-soj, kërkimi i tenderave, marrja apo rimarrja e pronave, fati i gjyqeve, etj., të gjitha këto, përgjithësisht kanë mbetur “lule mos më prek”; qytetari apo intelektuali mund t’i blejë, duke dhënë ryshfete ose përmes militantizmit më të verbër. Ne mund të bëjmë spote pa fund dhe mund t’iu tregojmë shqiptarëve (me fjalë) se sa të gatshëm jemi për ta luftuar korrupsionin; por ata e ndeshin atë çdo ditë e çdo orë, nga ato gjërat më të rëndomta, si çertifikata apo pasaporta, deri tek më të dhimbshmet, pronat dhe pastaj operacionet e shëndeti, tema që veç degradojnë.

Pavarësisht nga performimet politike e mediatike, interesimi i perëndimorëve për reforma të thella dhe drejtësi, mbetet konstant; edhe nëse janë të detyruar apo ndjejnë se duhet të bëjnë disa vlerësime, në radhë të parë, partnerët nuk i kanë kursyer asnjëherë kritikat dhe sugjerimet. Këto janë përkthyer në zotime të reja; që pastaj politika i lë pas dore ose i deformon, për interesa të pjesshme. Në kurriz të interesit madhor të shqiptarëve për t’u integruar në një komunitet, ku së paku ka më pak falsitet dhe më shumë mirëqenie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›