Vila e Zogut në Durrës, 2 zyrtarë në hetim
Durrës-Prokuroria e Durrësit pas kallëzimit të drejtuesve të Bashkisë së Sukthit merr nën hetim dy zyrtarë të qeverisjes vendore në Durrës, shtetasin Seit Kertusha, me detyrë kryetari i Këshillit të Qarkut në Durrës dhe shtetasin Mikel Koja, Shef i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit.
Sipas burimeve zyrtare pranë institucionit të akuzës mësohet se nga verifikimet dhe hetimet disa mujore është regjistruar procedimi penal, me persona nën hetim Kertushën dhe Kojën, pasi dyshohen se kanë kryer veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.
Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se ndërtesa e njohur në rrethin e Durrësit si “Vila e Zogut” që ndodhet nën juridiksionin e Bashkisë së Sukthit është tjetërsuar me anë të vendimit të Agjencisë së Kthimit të Kompensimit të Pronave, duke ia kaluar një personi të familjes së Esat Toptanit me vlerë prej 250 mijë dollarë amerikane.
Ndërkohë, pas kalimit të kësaj prone nën emrin e personit në fjalë, ky i fundit menjëherë pas marrjes së certifikatës së pronësisë e ka shitur atë tek personi i tretë që në këtë rast është Kisha Autoqefale në Durrës me vlerë prej prej 4 milion e 200 mijë euro.
Përfaqësuesit e familjes mbretërore pretendojnë se prona është e mbretit Ahmet Zogu dhe nuk mund të tjetërsohet. Ndërkaq, Bashkia Sukth pretendon se Vila është tjetërsuar në mënyrë jo të rregullt dhe me anë të dokumenteve të falsifikuara, që i mbetët organit të akuzës të zbardhin këto pretendime.