E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësi me kushte të rënda

SITUATA NE KOSOVË

Kjo pavarësi është më kushte të rënda, me mbikëqyrje të mëdha, me defekte brenda. Edhe ato që na i ka imponuar bashkësia ndërkombëtare për hesape të veta, për politikën e saj të jashtme, për lëshimet që po ia bëjnë Serbisë, a mos ndoshta po munden me joshë Serbinë për me iu bashku më shpejt Bashkimit Evropian edhe NATO-s.

Me fjalë të tjera këto zhvillime janë duke shkuar me vështirësi të mëdha. E para, trashëguam, një situatë me ngarkesa të shumta dhe probleme të shumta, që na i la trashëgim Serbia. Në anën tjetër kemi sot pengesa edhe më të mëdha që po na bën Serbia, mbështetur nga Rusia.

Ne, nuk kemi armatë dhe pa pasur armatë e cila do t'i ruante kufijtë, pa pasur armatë, e cila do t'i jepte seriozitet shteti tonë, Serbia nuk mund të sillet me ne seriozisht. Edhe policia jonë është e varur nga komanduesit e jashtëm të cilët as që e njohin situatën e brendshme, as që dinë se çka duhet të bëjnë. Vetëm varen nga disa urdhra që i marrin nga jashtë. Kështu që problemi ka mbetë në këtë situatë ku pakënaqësia po rritet, ku shumë probleme nuk po zgjidhen, ku nuk po plotësohen nevojat elementare të arsimit, kulturës, shëndetësisë, të policisë dhe disa mekanizmave, të cilët e forcojnë shtetin e mbajnë shtetin dhe sigurojnë prosperitetin

Unë shpresoj me gjithë përpjekjet që do të bëjë Serbia e Rusia, që edhe kjo gjykatë nuk do të mund, vetëm nëse dëshiron, ta shndërrojë vetveten në një institucion qesharak. Edhe ajo gjykatë, ka për të dhenë në fund të fundit mendimin, ndoshta me ekuivokë se një gjë e tillë që ndodhi ishte e drejtë.

Po edhe nëse nuk jep këtë mendim, po them megjithatë Serbia vetëm mund të komprometohet, sepse Serbia është ka mundohet të padisë ato shtete, të cilat në të vërtetë ishin shtet që bartën procesin e ndaljes së mëtutjeshme të kriminaliteti dhe të mafiozitetit, të cilat i vazhdonte regjimi kriminal e mafioz i Serbisë, në hapësirën e Jugosllavisë dhe përfundimisht me Kosovën.

Kështu që unë nuk besoj që meriton kjo punë të merremi me të. Serbia është duke bërë atë që i ka mbetur për të bërë. Serbia po gabon shumë që nuk po e pranon këtë situatë të krijuar me fajin e vet. Kështu që në një farë dore Serbia edhe është në ndihmë të vetëdijësimit të shqiptarëve, të cilët duhet të jenë të kujdesshëm, të cilët duhet të jenë të zgjuar, të cilët duhet të punojnë më tutje.

Dhe të mos flenë, sepse po të ishte Serbia e mençur do të mund t'i vëntë në gjumë shqiptarët, ashtu siç janë zemër bardhë, që besojnë shumë lehtë, e që lëshohen shumë lehët.

Po kjo politikë e Serbisë, po bën që shqiptarët të jenë ‘atento’ që thonë, dhe të mos pushojnë se përpjekuri që të forcohen edhe në pikëpamje të dijës, vetëdijes kulturore, shkencës edhe të artit.

Edhe të përpjekjes që të bindin dhe në fund do ta bindin botën, Amerikën edhe Evropën, se nuk ka rrugë tjetër përveç njohjes së të drejtës për vetëvendosje për Kosovën e cila do të ishte zgjidhja e vetme që do ta finalizonte këtë proces të filluar tash 100 vjet, me gjakderdhje të mëdha, përballë kriminalitet të pa kufijshëm të regjimit Serbë që nga tetori i 1912 e deri në përfundim të pushtimit që ngjau kah gjysma e qershori të 1999-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›