E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet një avion i NATO-s në Afganistan

Ky është aksidenti i dytë ajror gjatë 24 orëve të fundit, bënë të ditur burime zyrtare të aleancës. Sipas një zëdhënëseje të misionit ndërkombëtar në Afganistan, ISAF, një avion me disa anëtarë të ekuipazhit në bord u rrëzua pak çaste pas ngritjes nga baza ajrore."Incidenti do të hetohet, por megjithatë është përjashtuar shkaku i një sulmi të mundshëm nga rebelët", thuhej në një komunikatë të ISAF-it. Sipas zëdhënëses, anëtarët e ekuipazhit kanë arritur të kapultohen nga avioni, por ndërkohë kanë pësuar disa plagë të lehta.

Ndërkohë pak detaje dihen për momentin lidhur me aksidentin që ndodhi në bazën ajrore të Kandaharit, baza më e madhe ushtarake e aleancës në provincën jugore të Kandaharit, njëkohësisht një nga bastionet më të fuqishme të rebelëve talebanë. Pas rrëzimit, avioni u përfshi nga flakët dhe ndërkohë forcat afgane bllokuan të gjitha rrugët që të çojnë drejt bazës, deklaruan burime zyrtare.

Trafiku nga kjo bazë ajrore është rritur ndjeshëm që kur mijëra marinsa amerikanë dhe trupa britanike filluan këtë muaj një ofensivë të gjerë kundër militantëve talebanë në provincën fqinje të Helmandit. Ndërkohë, 16 persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën dje kur një helikopter civil i prodhimit rus "Mi-8" u rrëzua pak pas ngritjes në ajër nga e njëjta bazë ushtarake. Po kështu, një avion luftarak amerikan "F-15E Strike Eagle" u rrëzua të shtunën në lindje të Aganistanit dhe për pasojë humbën jetën dy pilotët e avionit supersonik.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›