E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pone largon edhe tre ditë procesin e kartave

Në fillim të shkurtit ishte thënë se do të fillonte procesi i pajisjes me karta të identitetit në qytetin e Shkodrës. Këtë e kishte deklaruar nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ridvan Troshani. Por në një vizitë të Zv/ministrit të Brendshëm Pone, ai vetë ka bërë me dije se ky proçes do të fillonte në datën 11 shkurt dhe këtë e kishte bërë të sigurtë. Dje  përsëri zv/ministri Pone ishte në Shkodër kryesisht për një aktivitet tjetër për Pushtetin Lokal dhe Decentralizimin e tij dhe ka deklaruar edhe një datë tjetër. Pone duke parë orën e tij në dorën e majtë, ka thënë se ky proces do të fillojë mbas tre ditësh dhe se për këtë vonesë janë disa arsye teknike. Ai ka thënë se Shkodra do të nisë mbas tre ditësh, dhe do të ketë lajmërime në mediat lokale me radhë, kështu që gjithshka është në rregull.Shtetasit që nuk kanë pasaportë ka thënë Pone, do të kenë super prioritet  dhe me që ata janë lajmëruar nga komunat dhe Bashkitë, duhet të vijnë për të aplikuar sa më shpejt dhe vendimi i qeverisë thotë brenda 30 marsit. Në këtë mënyrë po reduktohet në mënyrë të dukshme afati kohor që kanë banorët e Shkodrës e që janë të detyruar tju nënshtrohen sanksioneve për tu pajisur me një kartë identiteti. Por në Zyrat e Gjendjes Civile të Bashkisë së Shkodrës, asgjë nuk ishte gati nga ana elektronike, sepse e vetmja gjë që shikohej ishte se dhoma ku do të operohet ishte bosh dhe po lyhesh, kurse asnjë teknologji për procesin nuk dukej.Vetë drejtorja e kësaj zyre Vera Gradeci, sqaron se nga ana e tyre çdo gjë është gati dhe priten vetëm aparaturat dhe instalimi i tyre për të filluar punën. Nga Bashkia bëhet e ditur se nga 9-të sportele që ishin për tu hapur fillimisht, janë marrë masa që të funksionojnë 12-të dhe kjo shtesë është bërë që qytetarët të kenë mundësi më të mëdha veprimi dhe kohë më të shkurtër, pikërisht në këtë proçes. Interesant është fakti se qyteti i Shkodrës sipas listave të rakorduara nga MB ka 113 mijë banorë, kurse zgjedhës aty te 86 mijë qytetarët dhe nuk jepet shifra e saktë se sa prej këtyre 86-të mijë qytetarëve janë pa pasaporta. B. Bekteshi
 
 KSHH: Të pajisen të gjithë shtetasit me karta identiteti

Komiteti Shqiptar i Helsinkit deklaroi dje se do të ishte një shkelje e rëndë e së drejtës për të votuar nëse shtetasit nuk arrijnë të paisen me karta identiteti, për shkak të dobësive teknike,  organizative, elementëve euforikë të pabazuar dhe mosnjoftimit në kohë të shtetasve. Ajo vlerëson se paisja me karta identiteti të shtetasve që nuk kanë pashaportë është faktor më rëndësi për realizimin e së drejtës për të votuar dhe për një pjesëmarrje sa më të gjerë të votuesve në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit 2009. Sipas KSHH, është duke ndjekur me vëmendje këtë çështje në Tiranë dhe në disa bashki të tjera. E verteta është se ka vonesa të karakterit burokratik që kërkojnë ndërhyrje urgjente,- shprehet KSHH. Ajo konsideron shqetësues jo thjeshtë prodhimin në kohë të kartave të identitetit, por sidomos procesin e shpërndarjes së tyre dhe njoftimin e shtetasve që nuk disponojnë pashaporta, kur dihet se rreth 730 mijë shtetas duhet të pajisen me këto karta.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›