Rrëfehet Limaj
Fatmir Limaj, ish ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit dhe aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, do të merret të martën (sot) në pyetje nga ana e Prokurori i misionit të EULEX-it.
Ai do t’i përgjigjet thirrjes të cilën Limaj e ka marrë tre muaj më parë për të dhënë shpjegimet e tij lidhur me dyshimet për keqpërdorim të rreth 80 milionë eurove në kohën sa ishte në krye të kësaj ministrie.
Sipas Tomë Gashit, avokatit të Limaj, ftesa që klienti i tij të përgjigjet për pyetjet e prokurorit bëhet pas 18 muajsh prej kur kanë filluar hetimet ndaj tij. Për këtë arsye, Gashi thotë se në tërë këtë rast, janë dy gjëra interesante dhe më shumë të çuditshme.
“ Prokuroria ka mundur ta ftojë nga dita e parë kur është bërë bastisja në ministri, kur Limaj ka qenë ministër dhe kur është bërë bastisja në shtëpinë e tij, ka mundur ta ftojnë për shpjegime të caktuara që t’iu lehtësojë hetimet”, thotë avokati Gashi për Express.
Pavarësisht kësaj, mbrojtësi ligjor i Limajt beson se misioni i EULEX-it ka vendosur ta marrë në pyetje atë pas 18 muajsh, dhe kjo krejt është bërë që të fitojnë në kohë, një mënyrë që të zgjasin hetimet deri në dy vjet, sa e parashikon edhe ligji.
“..Dhe e dyta është se ftesa është dërgua tre muaj përpara. Është e ligjshme të dërgohet tre muaj përpara, por nuk është në rregull”, thotë avokati Gashi, duke e cilësuar këtë veprim të EULEX-it si tentim që klientin e tij ta mbajë nën presion të vazhdueshëm, ndonëse është i bindur se nuk do të dalë asgjë prej kësaj çështje.
Ky është rasti i dytë në të cilën Limaj duhet të përballet me prokurorët, ndërkohë që rasti tjetër ndaj tij ndërlidhet me krime lufte në çështjen e njohur si “Kleçka”. Limaj pritet të paraqitet në prokurori rreth orës 10 të së martës.