Kërkohet konsumi i produkteve vendore

Për të nëntën herë me radhë, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) do të organizoj “Javën e Biznesit Kosovar”, me ç’rast do të promovohen produktet vendore, kurse qytetarët do të kenë shansin që të blejnë mallra me çmime deri 30 për qind më lirë. Komuniteti i biznesit edhe njëherë ka kërkuar nga qytetarët që vazhdojnë të konsumojnë produktet vendore, sepse kjo do të ndikojë në zhvillimin e vendit.
Në një konferencë të mbajtur të hënën drejtuesit e AKB-së, kanë shpalosur agjendën e “Javës së Biznesit Kosovar”, e cila pritet të hapet me 26 shtator, ndërsa do të përfundoj me 1 tetor. Slogani i këtij organizimi edhe këtë herë është “Unë konsumoj prodhime vendore. Po Ju?”.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se kjo javë kërkon mbështetjen e gjithsecilit, duke shtuar se ekonomia vendore pas vendosjes së masave të reciprocitetit njohu një rritje të mirë. Por heqjen e këtyre masave, Shahini thotë që bizneset e Kosovës gjenden sërish në udhëkryq.
Sipas tij, është vitale që qytetarët e Republikës së Kosovës të tregohen të matur në përzgjedhjen e produkteve, sepse siç ka thënë ai me konsumimin e produkteve vendore ndihmohet edhe buxheti i Kosovës.
“Përgjigja që ju qytetarë do të jepni kësaj pyetje do të jetë me rëndësi të madhe për të ardhmen tuaj. Konsumimi i mallrave vendore do të thotë më shumë të ardhura për buxhetin e Kosovës dhe jo në atë të shteteve të huaja. Zgjedhja e juaj është jetike për konsolidimin e buxhetit të Kosovës, për jetën tuaj. Pasi edhe ju thoni po për konsumim të mallit vendor, do të kemi më shumë mundësi për të kërkuar rritje pagash, pensione më të larta si dhe cilësi në arsim e shëndetësi”, ka theksuar Shahini.
Nga ana tjetër zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përkrahur biznesin vendor, në mënyrë që të krijoj një bazament të fort për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Në vazhdën e shumë angazhimeve për zhvillimin ekonomik që bënë Qeveria e Kosovës në këtë rast Ministria e Zhvillimit Ekonomik, jemi këtu për të përkrahur këtë formë që ekonomia të krijojë kushte që biznesi kosovar të krijoj një bazament të zhvillimit të tij, të ecjes para dhe kjo ndihmë nuk do të mungoj asnjëherë”, ka thënë Hasani.
Ndërkaq bizneset vendore, kanë kërkuar nga konsumatorët kosovar që të konsumojnë sa më shumë produkte të vendit. Njëri nga ta, Bashkim Osmani nga kompania për prodhimin e lëngjeve “Laberion Dona”, ka thënë se gjatë kësaj periudhe sa ishte në fuqi reciprociteti ndaj Serbisë, ka pas një rritje të prodhimit të vendit.
“Ne si prodhues vazhdimisht jemi duke bërë përpjekje në krijimin e cilësisë sa më të mirë, krahas asaj besoj që edhe konsumi i qytetarëve do të rritet dukshëm, siç u pa edhe ndaj kësaj bllokade që u bë ose reciprocitetit me Serbinë. Vazhdimisht jemi duke bërë përpjekje që të sjellim sa më afër konsumatorëve dhe krijojmë kushte më të mira dhe çmim sa më të arsyeshëm për konsumatorët”, ka deklaruar Osmani.
Ndryshe Aleanca Kosovare e Biznesit organizon për të nëntën herë “Javën e Biznesit Kosovar”, për të sjell më afër qytetarëve prodhuesit dhe për t’u treguar cilësinë dhe rëndësinë e mallit që prodhohet në Kosovë.
Java e biznesit do të organizohet nga 26 deri më 1 tetor dhe do të jetë nën patronatin e kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi dhe në mbështetje të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Aktivitetet do të mbahen në gjashtë komunat më të mëdha të vendit.