Rrëfehet atentatori: Arsyet pse qëllova familjen Isufaj
Një javë pas atentatit ndaj katër të afërmve të Arben Isufit në Fier, atentatori Agjelos Sado (Engjëll Sado) tregon për gazetën "Shqip" se përse u përplas me familjen e fuqishme fierake. Një shtetas grek, të cilin Policia e Fierit është duke e kërkuar, ishte personi që ka lidhur 28-vjeçarin Agjelos Sado me familjen Isufi. Kjo është deklaruar për gazetën "Shqip" nga vetë 28-vjeçari Sado, pak çaste përpara se për të të niste seanca e parë gjyqësore. Mes dy uniformave blu, si dhe me pranga në duar, Sado ka treguar për "Shqip" për ngjarjen që tronditi familjen Isufi. "Unë nuk njihja asnjë nga ata persona që u plagosën mbrëmjen e së dielës. Nuk isha në dijeni se e kujt ishte ajo pronë. Kam shkuar atje për të takuar një shtetas grek. Me këtë grekun kisha bashkëpunuar për punë të ndryshme. Kam bërë mjaft pazare me të. Më duhej që me grekun të rakordoja për disa pazare, ndërsa unë me vete kam pasur 50 mijë euro që duhet t‘ia dorëzoja. Për personat që kam plagosur mora vesh se kush ishin një ditë pas ngjarjes. Unë dija që punoja për disa fierakë, por nuk di të them se ishin këta apo të tjerë. Ajo që më kishin thënë ishte që, pasi të bëja rakordim nga shtetasi grek, duhej të merrja një automjet dhe një shumë të madhe lekësh", ka treguar Agjelos Sado për gazetën. Sado që nuk ka dashur të japë emrin e grekut, ka thënë se pas atentatit që ndodhi te prona e Ahmet Isufit, është munduar të largohet. "Nuk e di se nga iku greku, pasi ika vetë me të shpejtë", ka vijuar më tej autori i atentatit. Nga bashkëbisedimi me Agjelos Sadon mësohet se në moshën 14-vjeçare ai ka shkuar si emigrant në Greqi. Ka punuar shumë vite atje, ku dhe ka kryer burg për trafik të lëndëve narkotike. Gjithashtu për gazetën "Shqip" 28-vjeçari i lindur në Lumas të Beratit dhe banor në lagjen "Kushtrimi" në Vlorë, tha se "kam ardhur nga Greqia një muaj më parë. Atje punoj ku të mundem dhe di që në hak asnjë njeriu nuk i kam hyrë". Përtej hekurave të gjykatës, Sado ka dashur që t‘u dërgojë një mesazh të afërmve të tij, që të mos i tremben asgjëje, pasi, sipas tij, gjithçka do të zgjidhet nga ai vetë. Sado është shprehur se personalisht nuk ka frikë nga personat që ka plagosur. Seanca e parë gjyqësore në ngarkim të Agjelos Sados dhe katër personave që e përkrahën atë gjatë arratisë ka blinduar dje Gjykatën e Fierit. Për arsye sigurie, pesë të arrestuarit janë paraqitur një e nga një përpara trupit gjykues. Mbi 120 forca policore janë angazhuar për të siguruar mbarëvajtjen e gjyqit ku do të caktohej vetëm masa e sigurisë për pesë personat. Gjykata dhe Prokuroria e Rrethit të Fierit, si dhe të gjitha godinat rreth këtyre dy institucioneve ishin rrethuar me forca të shumta policore si dhe mjaft agjentë civilë. Në mbështetje të tyre kanë qenë edhe forca speciale. Të pesë të arrestuarit për atentatin e të afërmve të Ben Qimes kanë mbetur në burg. Gjyqtarja e çështjes, Adelina Zarka, ka marrë parasysh kërkesën e prokurores Elida Hoxha, duke dhënë masën e sigurisë arrest me burg pa afat për shtetasin Agjelos Sado, që akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë të katër personave. Burg pa afat ka qenë masa e sigurisë e dhënë edhe për Jani Grëmon dhe Lulëzim Toçen, të cilët akuzohen për përkrahje të autorit të krimit. Ndërkohë, për Emirjon Prishkën dhe Skënder Selamajn është caktuar burgimi për 30 ditë.
Atentati
Kushëriri i Ben Qimes, ende në rrezik për jetën
Mbrëmjen e së dielës së shkuar, Agjelos Sado shkoi në kompleksin tregtar që po ndërton Ahmet Isufi. Për arsye që ende nuk janë bërë publike e që po hetohen nga prokuroria e policia, Sado plagosi me një pistoletë "Zastava" Ahmet Isufin, djalin e tij Amarildon, vjehrrin e këtij të fundit, Tomorr Jaruan, si dhe një mikun e tyre, Gentian Mata.
Mësohet se dy nga të plagosurit, Amarildo Isufi dhe Tomorr Jarua janë ende në kushte kritike për jetën. Policia ka identifikuar autorin e kësaj ngjarjeje menjëherë pas krimit, ndërsa e ka kapur atë katër ditë më vonë në Lukovë të Sarandës, në tentativë për t‘u larguar drejt Greqisë. Së bashku me të, policia arrestoi edhe katër persona të tjerë, të afërm dhe miq të Sados, të cilët mundësuan transportin e tij nga Vlora në Lukovë.
Tri ditë më parë, familjet e të pesë të prangosurve kanë kërkuar mbrojtjen e policisë, nga frika se mos familja Isufi hakmerret ndaj tyre.