E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezik inflacioni, qeveria duhet të investojë dhe 600 milionë USD

Ritmika jo e njëjtë e shpërndarjes së shpenzimeve buxhetore rrezikon të provokojë pasoja të rënda për ekonominë shqiptare. Bëhet fjalë për rreth 600 milionë dollarë që do të hidhen në qarkullim, në formë investimesh për pjesën e mbetur të vitit, duke shtuar presionin ndaj stabilitetit të çmimeve. Nga të dhënat zyrtare që paraqet Ministria e Financave, qeveria ka realizuar deri në gusht 2008, rreth 500 milionë dollarë shpenzime, në një kohë kur plani i tyre deri në fund të vitit është rreth 1.1 miliardë dollarë. Problemi në këtë pikë qëndron në faktin se kryerja e shpenzimeve duhet të ndjekë një ritmikë të njëjtë, në mënyrë që të mos ketë përqendrime të mëdha të shpenzimeve në fund të vitit. Edhe pse në fillim të çdo viti deklarohet se investimet do të kryhen në kohë, përsëri qeveria has në vështirë për menaxhimin e tyre. Fakti i fillimit të fushatës dhe mbajtjes së premtimeve për ndërtime të ndryshme infrastrukturore, qeveria është e detyruar të realizojë shpenzimet sipas planit.

Shpenzimet

Duke iu referuar planit të investimeve për vitin 2008 (përfshi buxhetin suplementar), qeveria duhet të realizojë rreth 1,1 miliardë dollarë, në një kohë kur deri në fund të gushtit ka kryer vetëm 500 milionë. Diferenca e mbetur rrezikon të rrisë kërkesën në treg, duke shkaktuar rritje të çmimeve, e si rrjedhojë luhatje të inflacionit. Ky fakt e shqetëson pa masë Bankën e Shqipërisë, e cila si prioritet të saj ka stabilitetin e çmimeve në vend. Niveli i inflacionit në sezonin e verës shkoi drejt normalitetit, si rrjedhojë e shtimit të produkteve vendase, por plani i qeverisë për të hedhur në treg në formë investimesh rreth 600 milionë dollarë, jep shenja për një përkeqësim të situatës. Gjatë periudhës janar-gusht 2008, janë kryer rreth 193 miliardë lekë shpenzime ose rreth 2,3 miliardë dollarë, ndërsa financimi i deficitit ka prekur vlerën e 110 milionë dollarëve.

Durrës-Kukës,

250 milionë USD

Kaq është shuma e disbursuar deri tani për autostradën Durrës-Kukës, ku rreth 220 milionë dollarë janë siguruar nga financimet e huaja, ndërsa pjesa e mbetur nga buxheti i shtetit. Mësohet se për financimin e rrugës, qeveria ka rritur të tërheqë nga "Alpha Bank" rreth 170 milionë dollarë kredi. Nga e gjithë vlera e investimit, duket qartë se gjysma e shpenzimeve buxhetore shkojnë për rrugën Durrës-Kukës.

130 milionë USD

Qeveria "Berisha" për tetë muajt e parë të vitit ka marrë hua, nga bankat e nivelit të dytë për projekte të ndryshme, rreth 130 milionë dollarë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›