E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ditë në fshatin e tragjedisë

Një rrugë e pashtruar i ndahet djathtas autostradës, përkundruall Vorës, për të të çuar drejt Gërdecit. Këtij fshati të vogël, që jo për ndonjë bëmë, por për gjëmën e tij, do të mbahet mend gjatë. Shtëpi të zhdukura, vetëm me ndonjë dëshmi themelesh a dritare të mbijetuara, por edhe banesa të reja, që kanë nisur të ngrenë krye. Dekori post-tragjedi pasurohet me çadrat e kudondodhura të ushtrisë, brenda të cilave fshihet ndonjë krevat, kusi dhe tenxhere. Ato ngrihen me droje pas çdo skeleti stoik të shtëpive të mëparshme, ose atyre që janë drejt përfundimit.

Në orët e para të ditës më së shumti mund të takohesh me gratë, nuset dhe vajzat e fshatit. Burrat janë në punë. Një pjesë në Tiranë, të tjerët në fshatrat përreth. E ca të tjerë edhe më larg, në kurbet.

"Banorët e rinj"

Ata që kanë populluar rishtazi fshatin janë muratorët, që shpejtojnë të ngrenë mure në tokën e zhuritur nga forca e barutit. Të tjerë "banorë", që lëvrijnë pa pushim dhe pa orar në rrugët plot kthesa të Gërdecit, janë ushtarakët. Makinat e tyre "patrullojnë" nga mëngjesi në mbrëmje. Diç sajojnë pas telave me gjemba që rrethojnë "gropën e vdekjes". Askush nuk lejohet të hyjë në këtë territor të hekurt, përveç "burrave jeshilë" dhe makinave të tyre, që ndalojnë plot dyshim, duke vëzhguar "të huajt" e parë që vënë re në fshat. Pllaja, faqe kodrës, i bën karshillik gropës së zezë të kraterit shpërthyes. Ajo ndriçon sa këtu aty nga konstelacione metalesh, ngjitur për jetë a vdekje në trupin e saj. "I shikoni si shkëlqejnë. Janë predhat që kanë ngecur pas shpërthimit. 50 mijë lekë bën një nga ato". Ismeti, një djalë i ri i kthyer rishtazi në fshat, nxiton të tregojë me dorë nga grumbulli i hedhurinave metalike, që nxijnë tutje, në kraterin e shpërthimit. Makinat ushtarake lëvizin me ritëm sikur shpejtojnë të fshehin gjithçka nga ajo që ka ndodhur, por pa mundur të mbyllin sytë e banorëve të këtij fshati, që arriti të mbijetojë. Të mërzitur e të lodhur nga premtimet që nuk u mbajtën dhe nga hallet që nuk u zgjidhën, ata shohin me vështrime të mprehta drejt asaj që ka mbetur pas vdekjeve. "Vetë këta të ushtrisë po i shesin predhat tani, pse ku kujton se i çojnë?", shprehet një tjetër nga fshatarët e Gërdecit, që ashtu si edhe të tjerët pohon përmes pyetjesh.

Hajdutët dhe të shtënat e natës

Hipur mbi biçikleta nxitojnë për t‘u kthyer në shtëpi. Sapo kanë mbaruar shkollën dhe përpiqen të zgjedhin sadopak rrugën për të mos rënë në ndonjë nga pellgaçet e krijuara pas shiut të fundit. Lorenc dhe Brendon. Janë këto emrat e dy fëmijëve që kanë përjetuar gjithçka ka ndodhur mesditën e 15 marsit, shumë pranë shtëpive ku banonin më parë. Por, duket se edhe tani "pas vendosjes së paqes", qetësia nuk është e thënë të rikthehet, si një mallkim prej skrapi, që do të shkrijë vetëm pas zhdukjes së gëzhojës së fundit prej bakri a çeliku qoftë.

Fëmijët pohojnë se natën dëgjohen shpesh krisma armësh. "Edhe mbrëmë qëlluan ushtarët", thotë Brendon, djali me emrin prej telenovele. "Edhe unë i dëgjova", shton me zell më i vogli, Lorenci, që kur e pyet për shpërthimin, kujton tunelin, ku u strehua me prindërit dhe urinë përgjatë një dite shpërthyese. E ndërsa pyet banorët e tjerë për të shtënat, ata tregojnë se kjo është bërë një gjë e zakonshme tashmë, si një refren nate. "Ushtarët roje shtien në ajër që të trembin njerëzit se duan të vjedhin predhat. Marrin gëzhojat për skrap dhe i shesin", shprehet Ismeti, që edhe vetë duket se i ka shkuar mendja për "një punë" të tillë, por nuk guxon të hyjë brenda rrethimit. "Është me rrezik, shton ai, se ja shkele ndonjë gjë, të bësh ‘Gërdec‘ prapë", thotë banori i ardhur në këtë zonë, që emrin e fshatit ku banon e përdor për të shpjeguar shpërthimin.

Rikthimi

Asnjë dilemë mes gërdecarëve. E dinë fort mirë se ku do t‘i hedhin ato pak para të marra nga shteti a pushteti. Ndërsa të tjerat i nxjerrin me mundim nga xhepat e zhubrosur mes lodhjes, vesuar nga djersa. E kanë ndarë mendjen. Nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër. "Ku të shkojmë, s‘kemi ku të mbytemi. Këtu kemi tokat dhe nuk jemi të pasur të blejmë shtëpi në Tiranë", thotë Bihania, që së bashku me vajzën dhe dhëndrin ka mundur të ngrejë një lokal të vogël, jo fort larg "vendit të tmerrit". Ne po e ngremë dhe shtëpinë, shton ajo. Nuk ka mbaruar akoma, po as lekët nga shteti nuk i kemi marrë të gjitha. Na kanë shumë lekë për të na dhënë, se ne i humbëm të tëra. Vetëm me rrobat e trupit kemi ikur me vrap nëpër mal që të shpëtonim", tregon, teksa shtyn ajrin me duar, si për të larguar qoftëlargun.

Të rikthyerit në fshat, pasi kanë qëndruar me muaj të tërë në shtëpi me qira, nuk i tremben as lajmeve për ujin apo tokën e ndotur. "Si ta kemi të shkruar, se mos kemi ç‘të bëjmë me kaq para sa na sjellin burrat", thotë një grua e re, që tërheq pas të birin. Nilsoni është vetëm dy vjeç, por frikën e njeh mirë dhe errësirën e ka zët. E ëma tregon për ditën e tmerrit, kur Nilsonin, së bashku me dy fëmijët e tjerë, i ka strehuar në tunel në pritje të shpëtimit, por nën terrorin se të atin e tyre nuk do ta shihte më.

Të shesësh shkatërrimin

"Shtëpia shitet". Përkarshi kësaj shpalljeje të shkruar me dorë

shënohet edhe numri i celularit të atij që shet. Në fakt ajo që shitet nuk është tjetër veçse një mur i vetmuar ballor me një zgavër, ku dikur duhet të ketë pasur një derë. Shoqëria e vetme e këtij muri të rrënuar janë skeletet e zhveshura dhe të ngrëna të ca shtyllave prej betoni, që krijojnë idenë e mureve të dikurshme. Pamja nuk është aspak joshëse për dikë që dëshiron të blejë një pronë. Por në Gërdec shpallja "shtëpia shitet" është po aq e zakonshme sa edhe era e tymit dhe djegësirës, sa më pranë që i afrohesh zonës së shpërthimit. Një ushtri karkalecash ka filluar të ngrihet mbi mbeturinat dhe rrënojat, duke iu sulur, sikundër edhe ushtarët, të parëve që guxojnë të afrohen më shumë se ç‘duhet. Mes shitjeve në këtë treg rrangullinash absurd është edhe një vresht i shtrirë mbi tokë, ku frytet e rrushit, "pas vrasjes", kanë respektuar natyrën duke rilindur.

Mes rrënojave, lexon "riparim biçikletash", një dyqan ku më parë gërdecarët rregullonin mjetin më të lirë të transportit për ta. Kësaj punishteje modeste nuk i kanë mbetur tjetër veçse dy dritare ku çuditërisht zgarat e hekurit nuk kanë luajtur vendit, ndryshe nga dy faqet rrethuese të mureve që janë shndërruar në një pirg tullash të thyera.

Këto janë pasuritë në shitje të atyre që kanë vendosur të ikin për të mos u kthyer më, në famëmadhin Gërdec.

Banorët flasin me frikë, por edhe të sigurt se "në Shqipëri e vërteta nuk del asnjëherë"

Trebicka, "burri i sekreteve" që u vra

Aksident apo vrasje? Do të gjenden ndonjëherë fajtorët e vërtetë për tragjedinë e Gërdecit? Duhet të flasësh apo ta mbash gojën mbyllur? Janë këto pyetje, për të cilat gërdecarët e kanë një përgjigje të shpejtë: As ka për të dalë ndonjëherë e vërteta në këtë vend. "Pse a morëm vesh gjë ne kush i bëri piramidat, po ‘97-ën, a e zbuluan ndonjëherë?". Përmes një pyetje i përgjigjet një tjetër pyetjeje Fadili, një mesoburrë, që rrufit ngadalë kafenë dhe shkund mundimshëm cigaren e sikletosur mes gishtave të ashpër prej punëtori ndërtimi.

Vdekja e dëshmitarit kryesor të çështjes së Gërdecit, Kosta Trebicka, ka marrë rëndësinë e merituar në fshatin e "trafikut të armëve dhe municioneve", që vetëm pak muaj më parë ishte pronë e Delijorgjit dhe anonimëve të tjerë të rëndësishëm.

Instinktivisht sapo i pyet për këtë emër, ata kthejnë vështrimin nga krahu i kraterit të shpërthimit, sikur të kërkojnë aty një zgjidhje për gjithë sa ka ndodhur. "Ai burri që e vranë se dinte ato sekretet", shprehet pa ngurrim një grua, jeta e së cilës është tjetërsuar pas tragjedisë. Në mbiemër ajo mban emrin e fshatit, Gërdec. Gjithë jetën e ka kaluar aty dhe as mendon ta braktisë këtë vend, derisa të vdesë. Shpëtuam mirë, thotë teksa tregon me mundim shpinën, ku fundi i një gëzhoje ka lënë një shenjë që do ta ndjekë pas gjithë jetën. Përfunduam të gjithë në spital. Mua m‘u shfaq diabeti nga sikleti i asaj që hoqëm, po më shumë kam hallin e vajzës dhe të burrit. E plakur para kohe, mosha e saj vetëm 46 vjeç, qëndron larg asaj që të sheh syri.

Të tjerë gërdecarë emri i Kosta Trebickës apo i Mihal Delijorgjit i tremb po aq shumë sa edhe një shpërthim. Fillimisht tundin kokën, bëjnë një hap prapa, duke tërhequr me mundim muskujt e fytyrës, si për të mos tradhtuar emocionet. Janë të trembur dhe gjejnë një arsye për t‘u larguar shpejt.

Banorët e këtij fshati, sidomos ata që kanë punuar në fabrikën e demontimit të municioneve, thonë një gjë me siguri, "Trebickën këtej nuk e kemi parë". Megjithatë, një pjesë e tyre nuk e ka të vështirë të pohojë me nënqeshje se një vdekje e tillë aksidentale është pak e vështirë të besohet. Pas kësaj fillojnë diskutimet e debatet për një fakt të lexuar në filan gazetë, apo një tjetër provë të dëgjuar në një televizion. Për pak duket sikur i harrojnë hallet e përditshme që kanë për të ngritur shtëpitë e rrënuara, apo për të zëvendësuar mallin e gjënë e shkatërruar. Inatin më të madh pas Delijorgjit, ish-ministrit Mediu, Kryeministrit Berisha "që në Gërdec t‘i harrojë votat" , fshatarët e kanë me kryetarin e Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili. Është ky dora e fundit nga ku duhet të merrnin paratë e dëmshpërblimit. Por përveçse 250 mijë lekëve të vjetra për metër katror të shtëpive dhe ndonjë batanije apo ndihme të vogël, pjesa më e madhe e tyre thotë se nuk kanë marrë atë që kanë humbur realisht. "Kryetari ka thënë se i ka mbyllur hesapet me Gërdecin", thotë Suzana, ndërsa shton plot inat, "le të vijë dhe t‘i bëjmë këtu hesapet". Por kjo kërkesë duket e kotë, pasi hesapet e Gërdecit duket se u hapën dhe u mbyllën më 15 mars. Tashmë ato janë duke u kryer diku tjetër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›