Dibër, mungojnë vaksinat kundër gripit
Në të gjitha farmacitë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Qarkun e Dibrës mungojnë vaksinat kundër gripit, aq të domosdoshme për shkak të virozave të stinës, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Virozat e stinës, që lidhen kryesisht me uljen e menjëhershme të temperaturës, kanë prekur mjaft banorë, veçanërisht fëmijë dhe të moshuar. Kështu pranë spitaleve në qytetet e Peshkopisë, Bulqizës dhe Burrelit, në këto ditë është vërejtur një rritje e konsiderueshme pacientësh, të prekur nga virozat gripale të stinës, që sipas mjekëve vijnë kryesisht nga ulja e menjëhershme e temperaturave. Shefi i pediatrisë në spitalin e Bulqizës, Rizvan Kazani, thotë për "Shqip" se, ndryshimi i menjëhershëm i motit, është shoqëruar me shfaqjen e sëmundjeve virale, të cilat janë lokalizuar në rrugët respiratore. Sëmundja shoqërohet me temperaturë të lartë, mungesë oreksi, apati, të vjella, dhembje koke, barku dhe kyçesh, diarre, vështirësi në frymëmarrje etj. Një situatë e tillë shëndetësore, thonë mjekët, kërkon domosdoshmërisht marrjen e vaksinës kundër gripit, sidomos për fëmijët dhe brezin e moshës së tretë, të cilët janë më të prekur nga virozat gripale të stinës. Por në asnjë nga farmacitë e këtij qarku, aktualisht nuk mund të gjesh vaksina kundër gripit. Në ndonjë nga këto farmaci qarkullohen ende vaksina të viteve të kaluara, të mbetura stoqe. Farmacistët thonë se së shpejti do të pajisen me vaksinat përkatëse kundër gripit, por tek ata ekziston frika e të mbeturit pa shitur të tyre, pasi siç thonë, nuk kanë ndonjë shifër të saktë kërkesash për marrje të këtyre vaksinave. Ndaj, vijojnë më tej farmacistët, duhet të jenë mjekët e familjes ata që duhet të paraqesin kërkesat për numrin e vaksinave pranë çdo farmacie. Në asnjë rast mjeku i familjes nuk duhet të neglizhojë sensibilizimin e banorëve të zonës që mbulon me shërbim shëndetësor, në lidhje me marrjen e vaksinës kundër gripit. Gjithsesi edhe pse virozat gripale të stinës, çdo ditë e më tepër rrisin fluksin e përhapjes së tyre në numrin e pacientëve të prekur, vaksina për t‘u mbrojtur prej tij, ende mungon nëpër farmaci.