Rrëfime me Ardian Klosin për Gërdecin
Arben Rrozhani
-Katër vite më parë ishte Ardian Klosi që kërkonte ndihmë. Kishte gjetur redaksinë mike të Shekullit, për t’i dhënë dorën e fundit librit “Katastrofa e Gërdecit”. Mori dëshmi, foto, faksimile dhe e botoi librin një muaj më pas, në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Katër vite më vonë, jam unë që i kërkoj ndihmë mikut Klosi. E ka të kollajtë: Të rrëfejë tragjeditë njerëzore, nga “atje lart” ku ka vajtur, vetëm fizikisht, prej 26 prillit 2012. Jemi larg pesë vite dhe ka shumë për të thënë: 10-vjeçarin Erison Durda nuk e mbante vendi atë 15 mars 2008. Kishte mbaruar detyrat e shtëpisë, që një ditë më parë dhe, pasi pa me dhjetra herë shënimet e mësueses “të lumtë dora, Eri”, doli në kopshtin afër shtëpisë së rregulluar më së miri prej dorës së të atit, Feruzan. Nëna Zamira e thirri “hajde brenda more shejtan se ua more mendjen njerëzve”. U bind, pastaj mori biçikletën që ia kishte blerë i ati tre vite më parë për të shkuar të shtëpia e Roxhensit, djalit të xhaxhait. Shkuan te dera e fabrikës, për t’i çuar drekën Rajmondës, nënës së Roxhensit. Po bëhej gati t’i hipte biçikletës, kur një trëndafil gjigant u hap menjëherë me zhurmë shurdhuese dhe që i përfshiu të gjithë brenda petaleve përvëluese. Erisonit i përvëlon kurrizi, ka hallin se do t’i bërtasë babai pse ka marrë biçikletën pa leje. “Tym, zjarr, zjarri brenda kurrizit, zjarri në bark. Oh mami, mami, nuk e duroj dot”. Errësirë. Pasdite, në kllapi, i recitonte poezi të ëmës; të nesërmen e nisën në spitalin e Brindizit dhe për 18 ditë u shua ngadalë...Në të shtatat, i doli në ëndërr vëllait të madh dhe i tha që ta gjente biçikletën atje, poshtë një guri të madh. Vëllai e gjeti biçikletën, kishte mbetur një skelet... Rajmonda Durda po pastronte predhën e fundit, kur dëgjoi ta thërrisnin, por nuk arriti t’i shohë fëmijët që i kishin sjellë bukën. Para portës shpërtheu një shkulm zjarri që erdhi dhe u zmadhua. Bashkë me Luizën dhe gra të tjera u turrën jashtë kapanonit, me shpresë se do të shpëtonin nga flakët e përbindshme. Qemal Deliu arrinte të hapte edhe 700 predha në ditë, një rekord që 47-vjeçarit nuk ia merrte kush. As gruaja Korre, as djali 21-vjeçar Jetmiri. Karroca që ai mori për ta salduar thonë se ia vuri flakën asaj magazine të stërmadhe me 1070 ton barut, 286 mijë copë djegore, predha të zbërthyera dhe shtimje të plota 4365 ton, një ngarkesë me 796 ton tritol. Deliajt kishin ardhur nga Martaneshi në vitin 2000 dhe kishin bërë një shtëpi të madhe ngjitur me repartin. Flavio 3-vjeçar po i binte baterisë dhe donte të shikonte se si gjyshi saldonte, por ai nuk e la. Shpërthimi i parë e shembi krejt shtëpinë 3-katëshe të Deliajve. Korre Deliu, e shoqja, edhe pse e djegur krejt qëndronte në këmbë. Jetmir Ballazhi ishte rastësisht në atë oborr, sepse kishte ardhur që të shikonte të motrën, nuse te Deliajt. Kur ndodhi shpërthimi i parë, ai iu afrua shtëpisë, por i ra sipër një bllok betoni. Komshiu Bajram Leti tregonte se e kishte gjetur të shkrirë dhe me trupin e këputur në dysh. Muri zuri nën vete edhe Liljana Deliun shtatzanë, ndërsa donte të shkonte poshtë ku dëgjoi për herë të fundit shkopinjtë e Flavios që i binte baterisë, por nuk arriti kurrë atje. 3-vjeçarin e gjetën të fundit, pas dy ditësh, sepse trupi i vogël ishte zhdukur poshtë rrënojave. Jetmir Deliun e gjetën të nesërmen e shpërthimit, me këmbët e këputura nga predhat, trupin krejt të shkrumbuar dhe e njohën vetëm nga dhëmbët. Gjashtë shpirtra nga një familje, bashkë me një që flinte në barkun e nënës së re. 43-vjeçari Azem Hamolli me trupin e djegur arriti të ecë dhe të dalë në rrugë, por vdiq në spitalin e Brindizit. Hysen Canin, 50-vjeçarin baba të pesë fëmijëve e gjetën në majë të kodrës, pasi kishte ecur shumë. Trupi i tij ishte varrosur nga dheu. Nafije Laçi kishte vrarë këmbën dhe nuk mundi të vraponte aq sa duhej për t’i shpëtuar vdekjes. Zelfije Kaca mbaroi që në flakën e parë. La pas Florianin 5-vjeçar dhe Mikelën 3-vjeçare. Trupi i shkrumbuar mezi iu identifikua 9 ditë më vonë, bashkë me shoqet Zelije Leti, 18 vjeçe dhe Shqipe Alhasa, 24 vjeçe, nëna e Gestianit 5-vjeçar dhe Denisës 4-vjeçare. Resmije Kranja e pa tmerrin me sy. 18-vjeçarja, nënë e foshnjës 4 muajshe, i hoqi rrobat e djegura dhe u fut në bunker, por e gjetën dhe dha shpirt në 12 prill 2008. Manovratori i ushtrisë, Ilirjan Malçi dha shpirt, me këmbët e zëna nga gurët. I vëllai e dëgjoi përmes telefonit se si shuhej, duke lënë pas Eljonën 14 vjeçe dhe Marion 9 vjeç. Roja Reshit Kruja ishte pranë vatrës së shpërthimit dhe mbaroi shpejt. Endri Dvoranit, të nxjerrë në reformë nga ushtria, që kishte turp të merrte bukë më vete, pse punëtorët hanin bukë me sheqer, ia gjetën trupin me shumë vështirësi, 150 metra larg vendit të shpërthimit. Muharrem Hoxhën, baxhanakun e Sali Berishës mund ta ketë gjetur vdekja ndërsa lexonte gazetat në makinë. Besim Çanga, oficer i xhenios që kishte paralajmëruar se do të bëhej nami, deshi të ndihmojë dikë pas shpërthimit, por mbeti aty. E shoqja e gjeti me rrobat e punës në morg... Ardian Klosi kërkon të dijë se çfarë ka ndodhur këto 11 muajt e ndarjes fizike me ne. I them se Zamira Durda po vijon të lagë sallat e gjyqeve me lot, godet xhamat e dyerve, pret drejtësinë që nuk po vendoset. Feruzani, me sytë e skuqur nga dhimbja pa fund, mbush me trishtimin e prindit fatkeq ekranet... Tushe Osmani, nëna e Resmije Kranjës vrau veten në 4 dhjetor 2012, siç bëri i shoqi në 2009. La të vetme Kristinën 5-vjeçe, që do ta rrisë daja.. Po gjyqi si shkoi?-pyet Klosi. -Nja pesë u kthyen në burg vullnetarisht, pak do të rrinë. Delijorgji del pas 2 muajsh. Nja 10 të tjerë nuk gjenden dhe kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, sepse thonë se janë të pafajshëm. Ushtarakët kryesorë janë pa faj. Njëri ka ikur në SHBA me azil politik...Kryeministri dhe ministrat janë në fushatë, sepse duan të fitojnë edhe një mandat tjetër 4-vjeçar. -Tmerr-përgjigjet Ardian Klosi dhe zhduket “atje lart”.