Shkëputja e madhe
Mungesa e një plani në SHBA (dhe në Evropë) i ka kontribuar ndarjes së tregjeve financiare nga progresi ekonomik, për shkak se jepet sinjali që trendët aktualë janë të qëndrueshëm politikisht. Por, derisa kjo shkëputje mund të vazhdojë për një kohë, hendeku i madh midis performancës së tregjeve financiare dhe mirëqenies së shumicës nuk mund të zgjasë në aspektin afatgjatë. Kur çmimi i mallrave të arrijë një masë të caktuar, ai do të bjerë
Nga Kemal Dervish
Që nga pjesa e dytë e 2012-ës, tregjet financiare janë rimëkëmbur në mbarë botën. Në të vërtetë, në SHBA, mesatarja në “Dow Jones” ka arritur rekord qysh në fillim të marsit, duke u ngritur në gati nëntë për qind që nga shtatori. Në Evropë, “armët e gushtit” të presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghit dolën të jenë jashtëzakonisht efektive. Draghi arriti që ta sigurojë rritjen e euros, duke premtuar blerje të pakufizuara të obligacioneve qeveritare të shteteve anëtare. Midis 1 shtatorit dhe 22 shkurtit, indeksi FTSEurofirst u ngrit për gati shtatë për qind. Edhe në Azi, tregjet financiare janë në rritje që nga shtatori, më së shumti në Japoni. Madje edhe zgjedhjet italiane, të cilat u mbajtën kah fundi i shkurtit, duket se nuk i kanë trazuar shumë tregjet (të paktën deri më tani). Ndonëse normat e interesit për obligacionet dhjetëvjeçare italiane dhe spanjolle, në raport me obligacionet gjermane u rritën pas publikimit të rezultateve, një rritje e tillë nuk zgjati shumë dhe erdh si rezultat i vendimit të BQE-së për themelimin e programit për “transaksione direkte monetare”. Por, ringjallja e tregjeve financiare po bie në kundërshtim me ngjarjet politike dhe indikatorët e njëmendtë ekonomikë. Në SHBA, performanca ekonomike është përmirësuar vetëm margjinalisht më 2012, me ngritjen vjetore të GDP-së për 2.3 për qind nga 1.8 për qind më 2011. Papunësia ka mbetur e lartë, në 7.8 për qind në fund të 2012-ës, derisa nuk ka pasur rritje të njëmendtë të pagës gjatë viteve të kaluara. Të ardhurat mesatare në amvisëritë në SHBA vazhdojnë të jenë nën nivelin e 2007-ës – në të vërtetë afër nivelit të njëzet viteve më parë. Indikatorët për eurozonën janë edhe më të ulët. Ekonomia ka pësuar tkurrje më 2012, derisa pagat kanë rënë, me gjithë rritjet në Gjermani dhe disa shtete veriore. Statistikat e besueshme ende nuk janë në dispozicion, por varfëria në jugun e Evropës është duke u rritur për herë të parë në shumë dhjetëvjeçarë. Në frontin politik, SHBA-ja përballet me një stagnim në aspektin legjislativ, pa sinjale për kompromis, që do të rezultonte me një kombinim optimal politik: përkrahje afatshkurtër për rritjen e kërkesës efektive, ashtu si edhe reforma afatgjata strukturore dhe konsolidim fiskal. Në Evropë, Greqia ka qenë në gjendje – deri më tani – që ka mbajtur një shumicë parlamentare në mbështetje të qeverisë së koalicionit, por edhe aty, ashtu si edhe në pjesët tjera, partitë hiper-populiste janë duke siguruar përkrahje gjithnjë e më të madhe. Rezultatet zgjedhore italiane mund të jenë paralajmërim për Evropën. “Lëvizja Pesë Yjet” e Beppe Grillos siguroi 25 për qind të votës popullore – mbështetja kjo më e lartë për një parti të vetme. Ish-kryeministri Silvio Berlusconi, duke i befasuar ata që kishin parashikuar rënien e tij politike, doli si udhëheqës i një koalicioni populist-djathtist, të cilit i munguan vetëm 0.3 për qind për të fituar. Thënë troç, jemi duke përjetuar një ndarje të shpejtë të tregjeve financiare me mirëqenien sociale dhe ekonomike. Në SHBA dhe shumë vende tjera, profitet e korporatave si pjesë e së ardhurës nacionale ndodhen në nivelet më të larta të mundshme, pjesërisht si rezultat i teknologjive të reja që nuk përdorin fuqinë punëtore në një numër të madh sektorësh. Për më tepër, korporatat e mëdha janë në gjendje që ta shfrytëzojnë globalizmin. Si rezultat i kësaj, të ardhurat e elitës globale janë duke u rritur në mënyrë të shpejtë dhe të pavarur nga ajo që po ndodh në aspektin e prodhimit të përgjithshëm dhe rritjes së punësimit. Kërkesa për të mira luksi është duke u rritur, krahas kërkesës së dobët për mallra dhe shërbime të konsumuara nga grupet me të ardhura më të ulëta. E tërë kjo është duke ndodhur midis politikave jashtëzakonisht ekspansioniste monetare dhe normave të interesit që shkojnë kah zeroja, me përjashtim të shteteve që po përballen drejtpërsëdrejti me krizën. Sidoqoftë, me gjithë shqetësimin e përhapur rreth varfërisë, papunësisë, pabarazisë dhe përqendrimit të të ardhurave tek një shtresë, asnjë model alternativ i rritjes nuk është paraqitur. Opozita në Evropë është e ndarë midis asaj që vazhdon të jetë e majta “e vjetër”, e cila po ka probleme të përshtatet me realitetet e shekullit njëzet e një dhe partive populiste, kundër të huajve, e nganjëherë edhe fashiste në të djathtë. Në SHBA, e djathta ekstreme ka shumicën e karakteristikave të homologeve të saj në Evropë. Por, pikërisht për shkak të sistemit dypartiak amerikan, forcat ekstreme mbesin të margjinalizuara, me gjithë retorikën e “Tea Party”. Presidenti Barack Obama, në veçanti, ka qenë në gjendje tërheqë përkrahje si idealist i së majtës liberale dhe realist i qendrës në të njëjtën kohë, gjë e cila ia mundësoi ta sigurojë rizgjedhjen, me gjithë dobësimin e ekonomisë dhe një tregu madje edhe më të dobët të punës. Sidoqoftë, pa reforma të thella socioekonomike, rritja e GDP-së amerikane pritet që të jetë e ngadalshme, derisa sistemi i saj politik duket i paralizuar. Ende nuk ka plan për ta luftuar përqendrimin tek një shtresë të pasurisë, për ta stimuluar përhapjen e përfitimeve ekonomike tek të varfrit dhe për ta mbajtur stabilitetin makroekonomik. Mungesa e një plani të tillë në SHBA (dhe në Evropë) i ka kontribuar ndarjes së tregjeve financiare nga progresi ekonomik, për shkak se jepet sinjali që trendët aktualë janë të qëndrueshëm politikisht. Por, derisa kjo shkëputje mund të vazhdojë për një kohë, hendeku i madh midis performancës së tregjeve financiare dhe mirëqenies së shumicës nuk mund të zgjasë në aspektin afatgjatë. Kur çmimi i mallrave të arrijë një masë të caktuar, ai do të bjerë.
Autori ka qenë ministër për Ekonomi i Turqisë dhe ish-administrator për Programin e OKB-së për Zhvillim (UNDP), ashtu si edhe nënpresident i institutit “Brookings”.
Marrë nga “Project Syndicate”
...