E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tymi jonë, i zi apo i bardhë?

16-03-2013 / Nga Ali Cenaj

Si ata besimtarët në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, që me ditë pritën në ankth tymin e zi a tymin e bardhë që jepte kumtin për papën e ri, edhe në Beograd dje me të njëjtin ankth pritej lajmi se në ç’drejtim do të nisej avioni i baroneshës Ashtoon, pas vizitës në Prishtinë. E ishte paralajmëruar qartë se nëse nuk arrihet që Prishtina të lëshojë pe, s’ka as pse të kthejë më në Beograd, por do të aterrojë në Bruksel. Megjithatë, nëse ky ishte sinjali, tymi nga Prishtina dje paska qenë i bardhë. Dhe baronesha u ngut për të marrë mushtullukun në Beograd në takimet me presidentin serb, Tomisllav Nikoliq, kryeministrin Ivica Daçiq dhe zëvendësin e parë të qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiq. Edhe pse pas këtyre takimeve në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u tha se nuk kishte nevojë për mushtulluk, se nuk ka marrëveshje për “bashkësinë e komunave serbe”, zyrtarët serbë nuk e fshehën optimizmin se zgjidhja është afër dhe se madje do të jetë sipas Rezolutës, me të cilën serbët me “bashkësinë serbe” mbeten të lidhur me Serbinë. Zgjidhja “brenda kornizave kushtetuese” që edhe dje potencoi kryeministri Thaçi, dukej aq e largët për kryeministrin serb sa thotë se marrëveshje aktualisht nuk ka dhe as që do të ketë nëse nuk shqyrtohen dhe nuk merren seriozisht propozimet e Serbisë për “bashkësinë” apo “asociacionin” e komunave serbe.
Aeroplani i baroneshës në Beograd përçoi entuziazmin në mediet serbe aq sa tashmë nuk kurseheshin përgëzimet për fitoren. Do të thotë Prishtina ishte ajo që dje u zbyth para baroneshës. Vizita e saj në Beograd u pa si dëshmi se deklarata e kryetarit serb Nikoliq, se Prishtina ka lëshuar pe nuk ishte rrenë, gënjeshtër, fjalë koti, siç dëshirohej të interpretohej por se në këtë mjegullnajë të krijuar qëllimshëm gjërat mund të kenë marrë kahen e kompromiseve joparimore që de fakto legjitimojnë gjendjen e krijuar në terren, me entitetin e ndarë mbi Ibër. Se megjithatë Ahtisari plus, nuk është opsioni i përjashtuar por që kjo tash duhet të paketohet në atë mënyrë që të lejohet mundësia e interpretimit sipas parimit gota “gjysmë e zbrazët” apo “gjysmë e plotë”. Kështu siç po shkojnë punët, duket shumë e besueshme që edhe pas marrëveshjes dhe nënshkrimit të saj prapë gjërat do të mbesin si në mjegull, me interpretime të secilës pikë e presë, si të pëlqejë secilit. Dhe marrëveshja ndoshta nuk do të jetësohet kurrë deri në fund. Derisa edhe biologjia të kryejë punën e vet. Sepse, mund t’ju kujtohet, nga bisedimet e dikurshme për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Kosovë gjërat kanë evoluar deri te bisedimet për përmirësimin e statusit të serbëve në Kosovë.
Megjithatë, ende në Beograd nuk janë të paktë ata për të cilët nuk është aq me rëndësi që Kosovën e kanë humbur, sa është me rëndësi të jetojë miti për Kosovën, miti për fitoret nga 1389-miti mbi të cilin shumë lufta i kanë nisur e i kanë humbur por mbi të cilin mund të qëndrojnë në pushtet. Serbia, nëse i jepet mundësia, synon jo vetëm të shfrytëzojë Planin Ahtisari, por të shkojë edhe përtej tij madje duke mos u obliguar ta njohë shtetin e Kosovës, të cilës ia ka mbjellë përbrenda krijesën malinje të “bashkësisë serbe” me ingerenca legjislative dhe ekzekutive në polici, gjyqësi, sistemin shëndetësor dhe arsim etj. dhe madje të vazhdojë me pretendimet e hapura territoriale. Sipas masës së Beogradit, krejt këto mund të vlenin vetëm për serbët në Kosovë, por kategorikisht përjashtojnë çdo reciprocitet, për shembull me shqiptarët në Preshevë, myslimanët në Sanxhak, hungarezët në Vojvodinë...
Tymi i bardhë në Prishtinë që ka çuar dje baroneshën Ashton në Beograd, mund të jetë paralajmërimi se marrëveshja është afër. Marrëveshjen që mbase do të kërkojë ndryshime në ligjet dhe kushtetutat në Beograd dhe në Prishtinë. Mbase është e qartë se çfarëdo marrëveshje me çfarëdo formulimesh, mbetet e pavlerë dhe joobligative për secilën palë, nëse nuk buron nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›