E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimet e Shotës n’Okto

Fundjavën që e lamë pas, shikuesit e televizionit vjenez Okto patën rast të ndiqnin filmin dokumentar “Dy Rrëfime Dashurie”, në regji të Shota Bukoshit. Filmi jepet edhe fundjavën e ardhshme.

Një vizitë te dy familje rome në Kosovë hap botën paralele në margjina të shoqërisë kosovare, ndonëse jo edhe të asaj të zakonshme. Në film gërshetohen pamjet nga ambienti jetësor, dashuria, puna dhe humbja, për të treguar rrëfime krejt ndryshe.

Pothuajse pavërejtshëm shikuesi hyn në jetën e këtyre njerëzve, i shtyrë që të zbulojë sa më shumë rreth tyre.

Ngjyra dhe pamjet, në mënyrë shumë të qetë por edhe shumë të drejtpërdrejtë, përçojnë një llojllojshmëri emocionesh e disponimesh; duke nisur prej atyre të hareshme dhe përplot dritë, e deri te ato të errëtat dhe të pashpresë.

Përveç shfaqjes në televizion, shikuesve austriakë do t’iu jepet mundësia që filmin dokumentar të Bukoshit ta shikojnë edhe në internet, në web-faqen okto.tv.

Ndryshe, në festivale të ndryshme shqiptare dhe ndërkombëtare filmi është shpërblyer me pesë çmime. Deri më tani, filmi është shfaqur në Gjermani, Holandë, Austri, Rumuni, Turqi, Australi, Itali dhe Poloni.

Titulli i filmit dokumentar në anglisht është “Two Love Stories”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›