Kriza, Ngjela: Nëse nuk zgjidhet, Topi të shpërndajë Kuvendin
Spartak Ngjela flet për akuzat e kryeministrit: "Është në fundin e vet; ky është sekreti i gjithë mllefit. Ka humbur"
TIRANË- Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, deklaron se nëse opozita nuk futet në Parlament edhe në muajin dhjetor, qeveria e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha nuk mund të funksionojë dot më.
Duke iu referuar statusit dhe rolit të Presidentit Topi, Ngjela vuri në dukje se në rast se nuk zgjidhet kriza politike deri në fund të dhjetorit, Presidenti shqiptar duhet të shpërndajë Parlamentin.
Megjithatë, sipas Ngjelës, Presidenti Topi për momentin nuk ka hapësirë juridike për të vepruar në zgjidhjen e krizës politike, që është krijuar në vend. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Spartak Ngjela thekson se nëse kriza parlamentare bëhet e pazgjidhshme deri në fund të muajit të ardhshëm, presidentit i jepet e drejta kushtetuese për të shpërndarë Kuvendin.
Si një njeri që e ka njohur nga afër liderin e mazhorancës, (Berisha), Spartak Ngjela thekson se kjo është arsyeja që kryeministri reagoi në Parlament duke përdorur një gjuhë të ashpër dhe ofenduese ndaj opozitës dhe liderit të saj, pasi sipas Ngjelës, kreu i së djathtës nuk ka rezistencë psikologjike ndaj protestave dhe presioneve të opozitës. Ngjela tha gjithashtu se Kryeministri Berisha me festat që kërkon të bëjë po përpiqet të pengojë dhe të frenojë protestat e opozitës.
Z. Ngjela, si i komentoni deklaratat e Kryeministrit Berisha në Parlament? Cila është arsyeja që Berisha ka arritur në këtë stad të reagimit politik, duke përdorur një fjalor jo etik?
Çështja kryesore është që kemi të bëjmë me një gjuhë të turpshme, dhe që tregon një regres mendor. Çështja është që Sali Berisha i provoi opinionit publik që është në regres mendor.
Pse është në regres mendor? Është në regres mendor sepse ka manipuluar zgjedhjet dhe është kapur jo më nga një parti politike, jo më vetëm nga 65 deputetë, por nga një masë kompakte prej 100 mijë njerëzish që erdhën në Tiranë, e cila shumë shpejt mund të bëhet 200 mijë, mund të bëhet 300 mijë. Kapja e këtij niveli, sigurisht që do psiqikë shumë të fortë t'i rezistosh.
Berisha nuk është shquar për psiqikë të fortë, i ka degraduar psiqika dhe ky degradim mendor e ka çuar në humbjen e kontrollit derisa arriti që mllefin patologjik të brendshëm ta nxirrte në një sallë gati bosh pa opozitën, një Kryeministër i shthurur mendërisht që i foli dërrasave të Parlamentit. Opinioni publik me këtë rast ka kaluar në një neveri të hapur për këtë kryeministër të pavotuar.
A është kjo pasojë e protestës tre ditore të 20 nëntorit që organizoi opozita përballë Kryeministrisë?
Sigurisht. Unë e thashë që i gjithë çrregullimi mendor vjen si pasojë e protestës. Berisha kërkon që me kërcënime, me histeri, me festat që kërkon të bëjë, të frenojë të dytën. Unë nuk po iu them ndonjë gjë të tepërt, pavarësisht se ne skemën e kemi sekret, tek e dyta do të shikoni që masa kompakte e njerëzve do të jetë minimumi dy herë më e madhe se kjo që ishte, sidomos pas asaj që artikuloi në mënyrë barbare në Parlament, nuk dihet se çfarë do të bëhet atë ditë në Tirane. Unë kam mijëra sinjale në facebook e në të gjitha mjetet e komunikimit.
Duke qenë se e keni njohur më nga afër Kryeministrin Berisha, si mendoni, a ka ndryshuar politikisht Berisha nga ai viteve të mëparshme?
Nuk e trajtoj njeriun me ndryshime. Unë e njoh njeriun në pozicione të tjera kulturore, nuk kam materializmin historik si botëkuptim. Njeriu as ndryshon, as nuk lind dhe krijohet. Çështja është se vetëm idetë ndryshojnë.
Sali Berisha nuk ka ide të qarta për shtetin, nuk e pranon demokracinë, ka vullnet mesjetar për politikën dhe nuk ka kapacitet intelektiv për të përballuar kohët moderne dhe natyrisht brenda saj edhe shtetin modern.
Paranoja e tij është një e vare psikike që i ka ardhur nga një dëshirë e shfrenuar për të sunduar, dhe një kapacitet mendor, që nuk e përballon këtë dëshirë. Kjo është paranoja e tij: komplekse inferioriteti me të gjithë botën intelektive shqiptare.
Në kohën e Hoxhës, e nxirrte dufin e vet paranojak me ekstremizmin e tiranisë hoxhiane; kurse tani, me agresivitetin mesjetar që e karakterizon. Por është në fundin e vet; ky është sekreti i gjithë mllefit. Ka humbur.
Me gjithë protestat e shumta të opozitës, mazhoranca nuk po lëshon pe nga qëndrimi i saj për të mos hapur kutitë e votimit, përveç protestave, a ka një plan B opozita që mund t'ia arrijë qëllimit politik për të hapur kutitë?
Nuk ka nevojë të ketë as plan B, as plan A. Nëqofëse edhe 20 ditë deri fund të muajit dhjetor, opozita nuk është në Parlament, qeveria bie.
Kjo është arsyeja e dytë e madhe, që shkatërron psiqikën e degraduar të Sali Berishës. Në rast se Parlamenti nuk funksionon dot edhe në dhjetor, kjo qeveri nuk mund të vazhdojë dot më, sepse nuk bën dot reforma dhe reformat janë populli.
Fakti që ti nuk bën dot reforma sepse opozita nuk të pranon si Kryeministër, ti duhet të ikësh. Dhe vetëm kjo do të mjaftonte në çdo parlament perëndimor. 65 deputetë në 140; janë të mjaftueshëm për të përcaktuar qeverisjen, e jo më që ky kryeministër është kapur edhe në manipulimin e zgjedhjeve.
Si mendoni ku do ta çojë klasën politike shqiptare, kriza politike që është krijuar në vend? A mund të gjendet një zgjidhje për këtë?
Klasën politike shqiptare nuk e di se ku do ta çojë, por do të rivendosë zgjedhjet e lira në Shqipëri dhe menjëherë pas kësaj do të fillojë epoka e ri-institucionalizmit të Shqipërisë moderne dhe shtetit modern shqiptar. Fakti që në këtë moment nuk ka më hapësirë për të rezistuar keqbërja me manipulimin e votave, tregon se Shqipëria është në pragun e vendosjes së demokracisë.
Që nga viti 1990, ne nuk kemi pasur asnjë ditë demokraci. Kjo është e vërteta, të cilën tani e di çdo shqiptar. Ne, si opozitë jemi një forcë prej 850.000 shqiptarësh. Do ta vendosim demokracinë në Shqipëri, patjetër.
Presidenti Topi thotë që nuk mund të negociojë për të zgjidhur krizën politike, pasi sipas tij kjo mund të arrihet vetëm me vullnetin e partive politike, si mendoni pse presidenti mban një qëndrim të tillë?
Presidenti nuk ka hapësirë juridike që të japë vullnetin e tij. Por, në rast se edhe këtë muaj nuk do të jetë i plotë Parlamenti me anë të cilit do të bëhen reformat, presidentit i jepet e drejta kushtetuese të shpërndajë Parlamentin.
Presidenti shqiptar shpërndan Parlamentin, në qoftë se ka krizë parlamentare. Kriza parlamentare është e dukshme. Nuk bëhen dot reformat, shoqëria kërkon reforma, Perëndimi kërkon reforma. Reformat nuk pranohen sepse opozita nuk pranon Kryeministrin.
Sepse ky kryeministër ka manipuluar votat dhe është një i çmendur, që urren demokracinë dhe opozitën, njëlloj si Enver Hoxha. Ose ikën Kryeministri ose shpërndahet Parlamenti. Presidenti Topi duhet të shpërndajë Parlamentin në rast se nuk zgjidhet kriza parlamentare deri në fund të dhjetorit.
Duhet t'i drejtohet popullit me një mesazh, dhe të kryejë detyrën. Kuptohet, pasi t'u ketë dhënë palëve një datë limit për t'u marrë vesh. Shqipëria ka nevojë për burra shteti; Presidentit Topi koha ia blatoi këtë favor, është mirë që ta tregojë.
Gjithçka do të varet nga karakteri i tij: me popullin dhe demokracinë apo kundër popullit dhe demokracisë. Për mbështetjen e gjerë popullore që ka, duhet të jetë me popullin dhe brenda frymës së tij.
Për Presidentin Topi
Presidenti Topi duhet të shpërndajë Parlamentin, në rast se nuk zgjidhet kriza parlamentare deri në fund të dhjetorit. Duhet t'i drejtohet popullit me një mesazh, dhe të kryejë detyrën. Kuptohet, pasi t'u ketë dhënë palëve një datë limit, për t'u marrë vesh. Shqipëria ka nevojë për burra shteti; Presidentit Topi koha ia blatoi këtë favor, është mirë që ta tregojë.
Gjithçka do të varet nga karakteri i tij; Me popullin dhe demokracinë apo kundër popullit dhe demokracisë. Për mbështetjen e gjerë popullore që ka, duhet të jetë me popullin dhe brenda frymës së tij.
Për Sali Berishën
Sali Berisha nuk ka ide të qarta për shtetin, nuk e pranon demokracinë, ka vullnet mesjetar për politikën dhe nuk ka kapacitet intelektiv për të përballuar kohët moderne dhe natyrisht brenda saj edhe shtetin modern. Paranoja e tij është një e vare psikike që i ka ardhur nga një dëshirë e shfrenuar për të sunduar, dhe një kapacitet mendor, që nuk e përballon këtë dëshirë.
Kjo është paranoja e tij: komplekse inferioriteti me të gjithë botën intelektive shqiptare. Në kohën e Hoxhës, e nxirrte dufin e vet paranojak me ekstremizmin e tiranisë hoxhiane; kurse tani, me agresivitetin mesjetar, që e karakterizon.
Për akuzat
Berisha nuk është shquar për psiqikë të fortë, i ka degraduar psiqika dhe ky degradim mendor e ka çuar në humbjen e kontrollit derisa arriti që mllefin patologjik të brendshëm ta nxirrte në një sallë gati bosh pa opozitën, një Kryeministër i shthurur mendërisht që i foli dërrasave të Parlamentit. Opinioni publik me këtë rast ka kaluar në një neveri të hapur për këtë kryeministër të pavotuar.