E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libohova, qyteza e sarajeve dhe rrapit shekullor

REPORTAZH/ "Është një vend i bukur natyror dhe këtu kam provuar gjellët më të shijshme dhe vajzat më të bukura". Kështu e përshkruan qytezën e vogël Lord Bajroni.


GJIROKASTËR- Sarajet dhe një rrap shekullor mund të quhen pa frikë simbolet e një qyteze të vogël.


Libohova, e shtrirë në këmbët e malit Bureto, nuk mund të kuptohet pa rrapin 500-vjeçar, nën hijen e të cilit kanë pushuar mijëra njerëz, prej të cilëve edhe Lord Bajroni apo edhe pa sarajet e Mufit bej Libohovës. Krenaritë e qytetit, të vendosura pranë, duket se i bëjnë karshillëk njëra-tjetrës.


Të tjera vlera janë pjesë e Libohovës dhe u ofrohen me bujari çdo vizitori që do të gjejë kohën dhe mundësinë për të shijuar qetësinë që të ofron qyteza e vogël, por me histori të mëdha.


Sarajet e Mufit bej Libohovës


Është e pamundur që mos të të bjerë në sy në qendër të qytetit të Libohovës një kompleks arkitektonik i mrekullueshëm, që mban statusin "Monument kulture". Bëhet fjalë për sarajet e Mufit bej Libohovës, patriot, studioz dhe burrë shteti i pajisur me cilësi të larta diturie dhe karakteri, i njohur dhe i çmuar edhe në qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare.


Kur flitet për sarajet e Mufit beut, shumë personave mund t'u sjellë ndër mend pikërisht vendin ku shumë vjet më parë është xhiruar filmi "Koncert në vitin 1936". Dëshmitë e kohës thonë se sarajet e bejlerëve të Libohovës u ndërtuan aty nga mesi i shekullit XVIII.


Ngritja e tyre nisi nga muret e oborrit, gurët e të cilit u sollën nga faqja e malit përballë qytetit. Me një sipërfaqe prej 2500 metrash katrorë e të vendosura në qendër të qytetit të Libohovës, sarajet përbëjnë një kompleks shtëpish unikale në jug të vendit.


Në njërin prej dyqaneve në katin e parë të kompleksit, të dhëna me qira e ku ushtrohen aktivitete të ndryshme tregtare nga banorët, gjejmë përfaqësuesin e familjes së bejlerëve të Libohovës, Pajtim Pecën, i cili është mjaft i gatshëm të na tregojë mjediset tashmë të restauruara të sarajeve, pjesërisht me ndërhyrjen e shtetit e pjesërisht me kontributin e pasardhësve të familjes.


Në vitin 2005, nisur nga gjendja tejet e degraduar e këtij kompleksi, me fondin prej 10 milionë lekësh të akorduar nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve u ndërhy në godinën kryesore me rikonstruksionin e çatisë, dhe fasadës së jashtme. Ndërsa në vitin 2006, trashëgimtarët e familjes ndërhynë në godinat e tjera, që janë tashmë komplet të restauruara.


Mendohet që sarajet të kthehen në një muze me përmasa moderne në jug të vendit, ndërsa në projektet e së ardhmes bën pjesë edhe restaurimi i varreve monumentale të bejlerëve të Libohovës në lagjen "Teqe", ku prehen dhe eshtrat e Mufit Beut dhe Shahnishasë, motrës së Ali Pashë Tepelenës.


Godinat e brendshme ruajnë ende gjurmë të rikonstruksionit dhe ndërsa i viziton, të bie në sy eleganca e ndërtimeve. Madje në pjesë të oborrit gjejmë edhe gurë të ndryshëm origjinalë, me mbishkrime në gjuhën arabe. Pajtim Peca tregon se askush nga vizitorët apo turistët që vijnë në Libohovë nuk mund të mos kthehet për të parë edhe sarajet e famshme.


"Gjatë verës vijnë mjaft turistë që i vizitojnë sarajet dhe janë të interesuar të dinë për historinë e familjes së bejlerëve të Libohovës. Madje, një turist anglez kishte ardhur enkas për t'i vizituar, ndërsa mbante në duar një libër që tregonte për ta. Ne i presim me kënaqësi të gjithë vizitorët", shprehet Pajtimi.


Ndërsa trashëgimtarët e familjes së Mufit bej Libohovës, që jetojnë në Danimarkë, Itali dhe Zvicër vijnë çdo vit në qytetin e të parëve të tyre dhe kujdesen për çdo detaj që lidhet me sarajet.


Rrapi shekullor


"I jep hijeshi qytetit tonë. Një kafe e pirë në hijen e tij, sidomos gjatë stinës së verës, është një kënaqësi e veçantë". Kështu tregon Kujtimi, njëri prej banorëve të Libohovës.


Ashtu si edhe bashkëqytetarët e tij, Pajtimi rrëfen se qyteti nuk mund të kuptohet pa rrapin qindravjeçar dhe e anasjellta. Të dy janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. E mbjellë rreth 500 vjet më parë, pema e moçme është dëshmitare e historisë së Libohovës.


Përgjatë 5 shekujve ka ofruar për të gjithë freskinë dhe pamjen mahnitëse, që formohet nga degët madhështore, të ndërlidhura në një labirint të çuditshëm në formën e një çadre. Janë me dhjetëra legjendat që lidhen me mbjelljen e rrapit, në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, por ajo që lidhet me një berber që kishte në këtë vend berberhanën e vet është më e pranueshmja prej të gjithëve.


"Shekuj më parë, një berber vendosi në këtë vend një shkop, i cili shërbente për mbajtjen e musllukut, me të cilin lante barinjtë që vinin nga mali. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një mbjellje të mirëfilltë, çuditërisht mori një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe tani pas 5 shekujsh ka këtë pamje që mahnit çdo njeri që e shikon, me formën e tij të një çadre, - tregon Zaim Hysa, mësues. Sipas tij, rrapi është padyshim pjesë e historisë dhe natyrshëm edhe simbol i qytetit.


- Është e pamundur të kuptohet Libohova pa rrapin; nëse rrapi vdes, bashkë me të do të vdesë edhe një pjesë e historisë dhe identitetit të qytetit. Për këtë arsye banorët e vlerësojnë, e duan dhe kujdesen për të. Dhe të gjithë vizitorët që e njohin rrapin dhe historinë e tij nuk largohen nga Libohova pa qëndruar një pjesë kohe nën hijen e tij dhe në freskinë e burimit të Zhepës", vijon më tej Zaimi.


Pema gjigante ka një perimetër të trungut prej 6,5 metër dhe zë një hapësirë prej rreth 600 metrash, ndërsa degët me gjatësi prej rreth 25 metrash ndërthuren, duke u varur drejt tokës. Banorët tregojnë se brenda kurorës së rrapit ka hapësirë të mjaftueshme për të ndërtuar një vilë, pa i prekur fare degët e tij.


Qetësia që mbizotëron thyhet vetëm prej gurgullimës së ujit të burimit të Zhepës, ndërsa pronarja e lokalit të ngritur nën hijen e rrapit shekullor, pohon se stina e dimrit shoqërohet me heshtje, pasi rrapi frekuentohet vetëm në pranverë e verë, duke e kthyer këtë vend në një pikë turistike sezonale.


Rreth 3 vjet më parë, ambientalistët dhanë alarmin për dëmtimin e këtij rrapi që mban statusin "Monument natyre", ndërsa së fundmi pema shekullore ka rifituar sërish pamjen e vet, pas një sërë ndërhyrjesh me pesticide, për të shmangur ndonjë tharje të mundshme të tij.


"Libohova është një vend i bukur natyror dhe këtu kam provuar gjellët më të shijshme dhe vajzat më të bukura". Kështu e përshkruan qytezën e vogël Lord Bajroni, por në të vërtetë Libohova ka shumë më tepër për të treguar, si përsa u përket personaliteteve, ashtu edhe historisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›