E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrefimi: "Ish-burri e vjehrra më trafikuan fëmijët”

Nga Gerti Xhaja
Një 32-vjeçare denoncon në polici ngjarjen e rëndë. Fëmijët e mitur shfrytëzohen për lypësi në Athinë. Denoncuesja: Im shoq më thotë se vajzen ia rrëmbyen 

TIRANE-Një 32-vjeçare ka denoncuar në polici ish-burrin e saj dhe ish- vjehrrën, se i kanë trafikuar në Greqi dy fëmijët djalë e vajzë, respektivisht 15 dhe 11 vjeç dhe ia shfrytëzojnë prej më shumë se 1 viti për lypësi në Athinë. Tri ditë më parë, skuadra e Antitrafikut të Policisë së Tiranës nisi procedimin penal për Besnik Malon, 36 vjeç, me të ëmën Nexhmije Malo, 53 vjeçe, si dhe është përgatitur sinjalizimi përkatës për policinë greke. E ëma e të miturve, Miranda Karamanllari kishte tentuar disa muaj më parë të shkonte në Greqi për të verifikuar se me se merreshin fëmijët dhe për t’i marrë ata, por një telefonate e kryer në policinë greke dhe mungesa e dokumenteve të qëndrimit, bëri që 32-vjeçarja të kapej si klandestine dhe të deportohej duarbosh në Shqipëri. Pas këtij fakti, i shoqi e ka marrë në telefon në Shqipëri, duke i thënë se ia kanë rrëmbyer vajzën në Greqi. Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër, tri ditë më parë Miranda u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke kërkuar ndihmë për gjetjen dhe kthimin e fëmijëve të saj të mitur.
Historia
Peripecitë e Miranda Karamanllarit fillojnë një vit e gjysmë më parë, kur ajo vendos të ndahet nga Besnik Malo, me të cilin bashkëjetoi për 11 vjet në Korçë. Kishte bashkëjetuar pa celebrim dhe dy fëmijët mbanin mbiemrin e saj e ndodheshin në të njëjtin “trung familjar” në regjistrat e gjendjes civile. Por ky fakt nuk e ka penguar Besnikun me të ëmën që të mos lejonin Mirandën të merrte dy fëmijët, A.Karamanllari dhe M.Karamanllari. Miranda erdhi të jetonte me prindërit në Tiranë, ndërsa Besniku me të ëmën dhe dy fëmijët kalojnë në Greqi. Miranda mëson faktin e trafikimit të fëmijëve dhe shfrytëzimit të tyre për lypësi në Athinë. Gjatë kësaj kohe, një ngjarje tjetër e rëndë do e trondiste nënën 32-vjeçare. E bija, 11 vjeçe, duke lypur nëpër semaforë ishte aksidentuar nga një makinë. Miranda ka shkuar klandestine në Greqi, për të kërkuar fëmijët dhe për të parë gjendjen e vajzës. Fatmirësisht gjendja e saj ishte përmirësuar, por të dy fëmijët vazhdonin të lypnin në periferi të Athinës. Miranda ka tentuar të marrë fëmijët, por telefonata e kryer në policinë e Athinës e ka ndaluar atë duke e kthyer në vendlindje.
Hetimi
Oficerët e Antitrafikut të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kanë nisur hetimet për ish-burrin dhe ish-vjehrrën e Mirandës, për akuzat e trafikimit të të miturve dhe shfrytëzimin e tyre për lypësi. Burime pranë policisë së kryeqytetit thanë se oficerët e Antitrafikut janë duke bashkëpunuar me ata të INTERPOL Tiranës, për të dërguar urdhra arresti në Greqi për kapjen e Besnik Malos, 36 vjeç, me të ëmën Nexhmije Malo, dhe sigurimin e dy fëmijëve të mitur.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›