E Diel, 1 Nëntor 2026

Kallëzim penal për 100 zyrtarë të korruptuar

Nga Tedi Blushi
Rreth 100 zyrtarë të administratës publike do te perballen me ndjekjen penale për çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin financiar 

TIRANE-Qeveria pritet të kallëzojë për ndjekje penale në Prokurorinë e Përgjithshme rreth 100 zyrtarë të administratës publike, për çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin financiar. Të paktën ky është angazhimi që është marrë në marrëveshjen e nënshkruar me Shtetet e Bashkuara, në kuadrin e përfitimit të 15.731 mln dollarëve për realizimin e programit “Sfida e Mijëvjeçarit”. Objektivi strategjik i kësaj marrëveshjeje është përdorimi i këtij granti me qëllim uljen e korrupsionit, fuqizimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e lirisë ekonomike në Shqipëri. Pikërisht për realizimin e këtyre objektivave, qeveria ka parashikuar mes të tjerash edhe kallëzimin e një numri kaq të madh zyrtarësh. “Do të iniciohen 100 ndjekje penale për çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin financiar. Do të arrihet në dhënien e 60 dënimeve për ndjekjet penale të bazuara në investigimet e njësive të përbashkëta të hetimit”, citojmë nga marrëveshja në fjalë, e cila është depozituar tashmë për ratifikim në Kuvendin e Shqipërisë.
Angazhimet
Gjashtë janë angazhimet kryesore që ka marrë përsipër qeveria për mënyrën sesi do ta përdorë grantin prej 15.731 mln USD të përfituar nga programi “Sfida e Mijëvjeçarit”. Konkretisht, 3.044 mln dollarë do të investohen në kuadrin e uljes së korrupsionit dhe përmirësimit të shtetit ligjor në procedurat e gjykatave administrative. Për realizimin e reformave në administratën tatimore me qëllim arritjen e transparencës dhe uljen e korrupsionit në të, ekzekutivi ka parashikuar të shpenzojë 3.9 mln USD nga granti në fjalë. Kurse për luftën kundër korrupsionit në dhënien e lejeve të ndërtimit janë parashikuar të përdoren 3.225 mln USD, ndërkohë që për krijimin e Qendrës Kombëtare për Licencim të Biznesit, rreth 2.994 mln USD.
Premtimet
Qeveria merr përsipër në marrëveshjen me SHBA-në, se nga përdorimi i grantit prej 15.731 mln USD, perceptimi i sistemit gjyqësor do të përmirësohet nga 40 % në vitin 2008, të shkojë në 55 për qind në 2010-ën. Të ardhurat tatimore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto premtohet të rriten nga 23.6 % në 28 %, ndërsa renditja e Shqipërisë për sa i përket “pagimit të tatim-taksave” do të përmirësohet nga vendi i 118-të në atë të 75. Ekzekutivi merr përsipër gjithashtu që në këtë kuadër të reduktojë kohëzgjatjen mesatare të miratimit të licencës nga 331 ditë në më pak se 120 ditë, ndërsa numrin mesatar të fazave të miratimit të licencës ta ulë nga 24, në më pak se 10. Kurse sa i përket numrit të bizneseve të licencuara dhe të regjistruara tek tatimet, qeveria premton rritjen nga 124.424 në 200 mijë, duke u angazhuar njëkohësisht se renditja e Shqipërisë në Raportin mbi Zhvillimin e Biznesit do të përmirësohet nga vendi i 168-të, në më pak se ai i 50-të në vitin 2010. Sa i përket kohëzgjatjes së miratimit të lejeve të ndërtimit, ato sipas kësaj marrëveshjeje do të reduktohen nga 331 në 30 ditë, teksa numri i procedurave për miratimin e lejes së ndërtimit do të reduktohet nga 24 në 4.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›