E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i parrëfyer i Bushit

“Amerika po sulmohet”: Në një intervistë të jashtëzakonshme, ish-presidenti amerikan, George Bush, rrëfen se si i ka përjetuar ai personalisht sulmet e 11 shtatorit 2001. Nga Express më 01 shtator 2011 në ora 07:47

Ishte dita, kur dy aeroplanë u përplasën në dy kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, i treti në Pentagon, ndërsa i katërti u rrëzua në periferi të Washingtonit. George Bush, atëbotë president i SHBA-së, përshkruan sot kështu këto ngjarje:”Më kujtohet se në atë moment mendova: aeroplani i parë dukej si një aksident, i dyti ishte sulm, ndërsa i treti shpallje e luftës”.

Ishte 11 shtatori 2001, ndërsa Bush dhjetë vjet më vonë kujton në një intervistë këto ngjarje, këto sulme terroriste të cilat ndryshuan SHBA-në dhe botën, por flet edhe për pafuqinë e tij dhe shenjat e panikut përreth tij. Njeriu më i fuqishëm në botë dhe këshilltarët e tij befas u përballen me sfida serioze dhe me gjendjen e jashtëzakonshme. Por asnjë skenar i katastrofës nuk kishte parashikuar sulmet e Al Qaedes kundër qendrës financiare dhe kundër qendrës komanduese të ushtrisë së superfuqisë së fundit në botë.
Bush ju përgjigj pyetjeve të Peter Schnallit, drejtorit të kanalit televiziv, National Geographic Channel, në lidhje me ndjenjat e tij, reagimit dhe dyshimeve gjatë momenteve dramatike, kur ndodhën sulmet terroriste.

Gjatë intervistës, Bush ishte tejet i hapur dhe foli për mungesën e orientimit menjëherë pas sulmeve. Qysh vitin e kaluar, Bush u mor me ngjarjet e 11 shtatorit, në librin e tij “Decision Point”. Para kamerave, ai nuk dha detaje të reja të papritura. Por qëndrimi i tij i relaksuar dhe gatishmëria për të folur, dëshmon për një komandant suprem në funksion, i cili ishte po aq i befasuar sa edhe opinioni publik, por i cili më pas vendosi të veprojë.
Në kohën e presidencës së Bushit, vendosja e paqes në Lindjen e Mesme, sipas tij, ishte shumë afër.

“11 shtatori ishte një ditë monumentale në historinë e vendit tonë. Kjo ngjarje ndryshoi presidencën time. U shndërrova nga një president, i cili kryesisht ishte përqendruar në temat e brendshme, në një president të luftës. Ishte diçka që kurrë nuk e kisha pritur, diçka që nuk e kam dëshiruar kurrë”, theksoi Bush.

11 shtatori për Bushin filloi si çdo ditë tjetër. Presidenti, i cili ishte në muajin e tetë të presidencës së tij, një natë më parë së bashku me shtabin e tij dhe gazetarët kishte udhëtuar për në Sarasota, Floridë, për të siguruar përkrahje për reformat shkollore. Ai u zgjua para agimit. Në memoaret e tij, ai shkroi se fillimisht kishte lexuar Biblën. Në intervistën televizive ai foli edhe për një vrapim në mëngjes, pasi që shtegu u ndriçuan nga shërbimi i fshehtë me anë të reflektorëve.

“Më kujtohet se dola në fushën e golfit, në vendin ku isha vendosur dhe ishte errësirë. Dhe jam i sigurt se disa njerëz kanë vëzhguar nga dritaret e hotelit dhe kanë parë reflektorët, se si po e ndriçonin shtegun për një vrapues dhe i kanë thënë vetës:’Kush është ky i çmendur, që po vrapon jashtë?’”

Në raportin e përditshëm të mëngjesit, pasi që presidenti kishte bërë tush, nuk kishte ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Raportimi përfundoi diku rreth orës 08:25. Në orën 08:46 aeroplani i parë qëlloi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Në shkollën fillore Emma Booker, Bushit lajmin për këtë ngjarje ja pëshpëriti në vesh këshilltari i tij kryesor, Karl Rove. “Kujdesu për detajet”, thotë Rove ti ketë thënë Bushi në atë moment.

Në intervistën për National Geographic, Bush theksoi se në atë moment kishte menduar se bëhej fjalë për ndonjë aeroplan të vogël.

“Dhe reagimi im ishte: Ose moti ka qenë i keq, ose pilotit i ka ndodhur diç e jashtëzakonshme”.

Më pas, Bushit ju afrua shefi i personelit të tij, Andy Card. “Dhe ndjeva dikë prapa meje. Dhe Andy Card, me aksentin e vet të Massachusetsit më pëshpëriti në vesh:’Një aeroplan i dytë ka qëlluar kullën e dytë. Amerika po sulmohet”.

Gazetarët, të cilët kishin vendosur kamerat e tyre në klasë, në këtë moment gjithashtu pranuan thirrje telefonike nga redaksitë e tyre, me informatën se një aeroplan i dytë kishte qëlluar kullën jugore.

“Reagimi im i parë ishte habia, kush në djall mund t’ia bëjë këtë Amerikës. Dhe më pas mendova menjëherë për fëmijët. Dhe kontrasti mes sulmit dhe pafajësisë së fëmijëve ma bëri të qartë detyrën time. Dhe ajo është mbrojtja e njerëzve. Menjëherë edhe gazetarët filluan të pranojnë thirrje. Ishte si në një film pa zë. Prapa në klasë, gazetarët me telefona mobil. Ata morrin të njëjtat lajme si unë. Që do të thoshte se shumë njerëz do të përcjellin reagimin tim. Dhe për këtë arsye vendosa që mos të ngritëm menjëherë. Nuk desha të hutoj fëmijët. Desha të tregoi qetësi. Ngase kur udhëheqësi nuk është i qetë, atëherë as të tjerët nuk do të reagojnë me qetësi”, theksoi Bush.

Këto pamje janë shfaqur shpesh në televizor. Qetësia e simuluar në përballjen me uraganin, i cili atëbotë nuk e kishte emrin Irene, por Al Qaeda, siç kishte supozuar CIA menjëherë pas sulmeve.

Edhe për shtatë minuta të gjata Bushi qëndroi në klasë. Në memoaret e tij, Bushi shkruan se si zëdhënësi i tij, Ari Fleischer, ishte përzier në mesin e gazetarëve, duke kërkuar nga ata që të mos flasin asgjë.

Presidenti u largua nga klasa, përcolli pamjet në televizor dhe përgatiti një deklaratë të shkurtë për shtyp. Aty flitej për një tragjedi kombëtare dhe për sulm të qartë terrorist kundër SHBA-së.

Bushi deshi të kthehej menjëherë në Washington, por intervenoi shërbimi i fshehtë, përgjegjës për mbrojtjen e presidentit. Kthimi në Washington ishte tejet i rrezikshëm. Në orën 09:37, aeroplani i tretë qëlloi Pentagonin. Në orën 10:03, udhëtarë të guximshëm arritën të rrezojnë aeroplanin e katërt në Pennsylvani, duke sakrifikuar jetët e tyre. Rrëmbyesit kishin synuar të qëllonin Kapitollin apo Shtëpinë e Bardhë.

Edhe përkundër kundërshtimit të shërbimit të fshehtë, Bush në orën 16:03 u kthye në Washington. Nga zyra ovale, ai ju drejtua sërish kombit. Kërkimi i përgjegjësve ka filluar, SHBA-ja nuk do të bëjë dallim mes terroristëve dhe atyre që ju kanë ndihmuar, ishin fjalët e Bushit.

Bushi foli edhe për vrasjen e Osama Bin Ladenit, më 2 maj në Pakistan. Pasardhësi i tij, Barack Obama, e kishte telefonuar menjëherë pas përfundimit të aksionit. Bush kishte qenë së bashku me bashkëshorten e tij, Laura, duke ngrenë darkë në një restorant në Dallas dhe menjëherë u kthye në shtëpi, për të pranuar telefonatën.

“E urova atë dhe njësitë speciale, të cilat kishin kryer një mision të rrezikshëm. Dhe isha falënderues. Kisha një ndjenjë të madhe gëzimi. Kisha ndjenjën e falënderimit, se drejtësia më në fund ngadhënjeu”, theksoi Bush.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›