E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i vajzës: E kapën, pastaj e vranë

Shtëpia e fundit e Osama Bin Laden

Osama bin Laden është gjetur i gjallë, nuk ka pasur armë dhe nuk ka pasur kohë të provokojë ushtarët amerikanë, pasi është qëlluar menjëherë pasi u lokalizua.Vajza 12-vjeçare e Bin Ladenit ka treguar për shërbimet sekrete pakistaneze, se ajo e ka parë të gjithë aksionin që përfundoi me vrasjen e babait të saj. Sipas burimeve të inteligjencës për TV satelitor al Arabiya, vajza insiston se babai i saj, Osama bin Laden, u kap i gjallë dhe u vra menjëherë nga forcat speciale amerikane në minutat e para të operacionit në Abutabad, pa i provokuar ata. Ky version është hedhur poshtë nga CIA. Televizioni pakistanez Geo Tv tregon se mes familjarëve të Osama bin Ladenit, të mbajtur nga shërbimet sekrete pakistaneze, janë edhe dy vajzat e tij, të cilat janë plagosur që të dyja gjatë operacionit dhe janë në një vend të panjohur për tu marrë në pyetje. Raportime të mëpasshme treguan se familjarët e Osama Bin Ladenit ndodhen në Ravalpindi. Amal, siç thuhet nga burimet britanike, është gruaja më e re e pesë grave të tij, e plagosur në një këmbë gjatë aksionit të amerikanëve, në përpjekjen për të shpëtuar 54-vjeçarin Osama bin Laden. Amal Ahmed Abdul Fatah ishte 27 vjeçe dhe thuhet ti jetë dhuruar Osamës nga fisi i saj, qëkur ishte adoleshente. Disa burime thonë se ajo ishte gruaja e vetme që jetonte me të, pasi tri të tjera ishin në Siri dhe njëra ishte divorcuar prej tij. Burime të tjera thonë se me Osamën jetonin dy gra.
Shtëpia
Zyrtarë të shërbimeve sekrete pakistaneze kanë raportuar në anonimitet se në shtëpinë e Bin Ladenit nuk kishte as armë dhe as eksplozivë. Ata shtuan se gjatë gjithë ditës së hënë e të martë shtëpia e tij është kontrolluar me hollësi. Të njëjtat burime thonë se në këtë kompleks nuk ekzistonte asnjë tunel i nëndheshëm apo bunker. Ndërsa informacionet e amerikanëve thonë se në kompleks kishte një arsenal me armë, përfshirë edhe hedhës raketash robotikë. Pranë tyre kishte edhe lodra si biçikleta, makina me pedale apo shtëpi kukulle. Pas aksionit, muret dhe dyshemetë e shtëpisë ishin të spërkatura me gjak. Mes detajeve, mund të përmendet një orë e rrëzuar nga muri, e cila kishte ngecur në 02:20 të mëngjesit, ora kur amerikanët kanë hyrë në kompleks. Raporte të ndryshme mediatike tregojnë se në shtëpi kishte porta false. Pasi i hapje ato, përballeshe me mur. Çdo kat para hyrjes kishte barrikada.
Fqinjët
Fëmijët e lagjes që luanin pranë shtëpisë së Bin Ladenit, kur iu binte topi brenda mureve, nuk kishin mundësi ta merrnin atë prapë. Daniel Alvi, 16 vjeç, ka shkelur sigurinë e vilës dy herë. Unë kam hipur mbi mur dy herë pasi më ra topi. Për fat, nuk ka pasur asnjë vërdallë. Nuk mund ta imagjinoja kurrë se aty jetonte Bin Laden, tha ai. Shitësi i akulloreve, Tanvir Ahmed, tha: Nëse fëmijëve u binte topi brenda mureve, nuk i lejonin ta merrnin pranë. Në vend të topit u jepeshin 100 apo 150 rupi. Bin Laden nuk ka dalë kurrë dhe ka qëndruar larg dritareve, gjatë 5 apo gjashtë viteve që ka jetuar në këtë kompleks. Dy familje të tjera jetonin pranë tij. Fëmijët më të vegjël të Bin Ladenit ishin mes tre dhe tetë vjeç, sipas rrobaqepësit Siraj Ahmad, i cili ka bërë shpesh veshje për ta. Ndërsa fqinji Zarar Ahmed, 12  vjeç, tha se ai kishte hyrë në kompleks për të luajtur me fëmijët e Bin Ladenit, pa e ditur kush ishte ai, dhe kishte parë në shtëpi dy gra, njëra prej tyre fliste arabisht dhe tjetra urdu. Unë luajta me tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem. Ata më dhuruan dy lepuj. Ata kishin kamera ne portën e jashtme, tha djali. Fermeri Mashud Khan, 45 vjeç, tha se thashethemet në lagje ishin se njerëzit që jetonin aty merreshin me tregti droge apo armësh. Shitësit e dyqaneve tregojnë se blerjet i bënin dy njerëz të besuar të tij, të cilët besohet se janë vrarë në aksion. Njëri quhej Arshad Khan dhe mendohet se ishte regjistruar si pronari i vilës, po emri rezultoi fals. Shitësi Raja Shuja tha se dy burrat zbrisnin gjithnjë me nxitim dhe nuk ndalonin gjatë. Makina e tyre ishte gjithmonë e pastër. Ata paguanin gjithmonë me kartëmonedha të reja rupi, tha ai. Mekaniku Vajid Mushtaq, 29 vjeç, kishte riparuar dhjetë ditë më parë makinë e tyre Suzuki të kuqe. Jam i sigurt se ishin kushërinj. Ndonjëherë në makinën e tyre uleshin prapa katër apo pesë fëmijë. Ata ishin fëmijë shumë të sjellshëm, komentoi mekaniku.
Detaje të reja të aksionit
Në aksionin në Abutabad, thuhet të jetë përdorur një tip i ri helikopteri i padukshëm, i cili i ishte dhuruar së fundmi forcave speciale amerikane. Sipas revistës Aviation week helikopteri top-sekret është një version thellësisht i modifikuar i Blackhawk H-60. Ndër detajet e reja të operacionit ishte edhe përfshirja e një qeni lufte në të. Qeni supernuhatës iu bashkua skuadrës elitë dhe është ulur bashkë me ta me litar. Qentë e luftës veshin armaturë balistike, që i mbron ata nga goditjet me thikë dhe plumba. Qeni thuhet të jetë Shepard gjerman. Në aksion, qentë i veshin me maska oksigjeni, janë të stërvitur të zbresin nga lartësi mbi 15 metra dhe të ekzaminojnë territorin e rrezikshëm. Ata sulmojnë çdo të panjohur që mban armë. Qentë mund të zbulojnë tunele apo dhoma që nuk vihen re. Kamerat e vendosura në kokat e tyre ndihmojnë ushtarët për të siguruar informacion kritik për ambientin ku do të sulmojnë. Qentë janë përdorur edhe në aksionin e kapjes së Sadam Huseinit dhe vrasjen e dy djemve të tij.
Fotot nuk publikohen
Presidenti Obama ka vendosur të mos i publikojë fotot e kufomës së Osama bin Ladenit. Obama ka dalë në përfundimin se imazhet e Bin Ladenit, të mbuluar me gjak nga plumbat, do të jepnin pak siguri për skeptikët, por do të nxisnin rritjen e tensioneve në botën myslimane. Fotot janë shumë sensitive, sepse Bin Ladeni është i shpërfytyruar nga plumbi që ka marrë në mes të syve. Obama e dha lajmin në emisionin 60 Minuta të CBS-së. Debati për publikimin apo jo të fotove ka zgjatur mbi dy ditë në Shtëpinë e Bardhë. Zyrtarët thanë se publikimi i fotove nuk do ti bindte ata që dyshonin se Osama ai kishte vdekur. Janë publikuar foto të tjera të aksionit dhe të njerëzve të tjerë të vrarë, por jo të Bin Ladenit. Të enjten, Presidenti Obama do të organizojë një ceremoni në vendin ku dikur qëndronin Kullat Binjake. Ai ka ftuar dhe ish-Presidentin Xhorxh Bush, por ky i fundit e ka refuzuar ftesën.

Bin Ladeni, gati për arratisje, kishte qepur në rroba 500 euro e 2 numra telefoni

Detajet e vrasjes së Osama Bin Ladenit kanë ndryshuar sërish. Vetëm dje u publikua se Bin Ladeni ka pasur të qepur në rrobat e trupit 500 euro dhe dy numra telefoni, duke nxitur komente se ai ishte gjithnjë në gatishmëri për tu larguar nga vila në rast të ndonjë sulmi. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk e kanë parë të gjithë aksionin live. Ata thanë se ka pasur një periudhë 20-25 minuta që ekrani ka qenë black, pa pamje dhe se e kanë kuptuar se Bin ladeni ishte vrarë, vetëm pasi kanë dëgjuar ushtarët të raportojnë: Geronimo u kap. Mungesa e pamjes i bëri ata të besonin se Bin Ladeni kishte tentuar të merrte armën, ndërkohë që në të vërtetë kjo nuk ka ndodhur. Ai ishte i  paarmatosur, njëlloj si viktimat e tij të 11 shtatorit, kanë komentuar zyrtarët e lartë amerikanë. Në shtëpinë e tij marinsat kanë marrë 10 drajvera, pesë kompjutera dhe më shumë se 100 pajisje të magazinuara.  Ndërkohë, një gazetë kuvajtiane, Al Anbaa, ka raportuar se Osama bin Laden kishte shkruar një testament më 14 dhjetor 2001, tre muaj pas sulmeve të 11 shtatorit. Në këtë testament, Bin Laden pranon arritjet e tij në terrorizëm. Ai i urdhëron gratë e tij të martohen sërish pas vdekje

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›