E Diel, 1 Nëntor 2026

Perhapet laringiti i femijeve

Kujdes, kolla e fortë dhe e thatë që zakonisht interpretohet si e lehura e qenit, është shenja kryesore e një laringiti

TIRANË - Ndërrimi i klimës dhe temperaturat e paqëndrueshme janë burim i shumë sëmundjeve, ndaj të gjithë duhet të bëjnë shumë kujdes, sidomos gjatë ndërrimit të stinëve. Më delikatët dhe rrjedhimisht më të prekurit janë fëmijët, organizmi i të cilëve është më i ekspozuar ndaj këtyre sëmundjeve. Në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nën Tereza” paraqiten çdo ditë fëmijë që paraqesin simptoma të një laringiti. “Edhe pse nuk kemi një shifër të saktë, numri i fëmijëve me probleme të laringut në këtë periudhë ka qenë i konsiderueshëm. Krahasuar me numrin e të sëmurëve të së njëjtës periudhë të një viti më parë, shifrat kanë mbetur të njëjta”, tha për “Korrierin” laringologia Juzela Shehu.

Ruhuni nga vjeshta dhe pranvera!

Sipas Shehut, e cila shpjegoi dje për gazetën simptomat, shkaktarët dhe mënyrat e mbrojtjes nga kjo sëmundje, moshat më të prekura nga laringitet janë ato nga 2 deri në 6 vjeç. Ajo shpjegoi se zakonisht shkak kryesor për shkaktimin e një laringiti janë viruset, por nuk mungojnë edhe rastet kur shkak i kësaj sëmundjeje janë bakteret, megjithëse këto konsiderohen si rastet më të rralla. “Periudha në të cilin ndërrohen stinët, është edhe periudha ku fëmijët janë më të prekshëm nga laringitet, zakonisht kjo ndodh gjatë stinës së vjeshtës dhe në pranverë, që konsiderohet edhe si periudha e laringiteve”, tha mjekja. Sipas saj, ndryshimi i temperaturave dhe lagështia e ajrit predisponon fëmijët që të preken nga këto laringite. Gjithashtu, burim për sëmundjen janë edhe infeksionet e aparatit të sipërm respirator. Në rastet kur infeksioni fillon dhe zbret në pjesët e mëposhtme, i pari që kapet është laringu. Në rastin më të keq, infeksioni mund të zbresë nga laringu deri në rrugët e poshtme të frymëmarrjes. Kolla e fortë dhe e thatë që zakonisht interpretohet si “e lehura e qenit”, është shenja kryesore e një laringiti. Kjo kollë shkaktohet kur laringitet vendosen në pjesën e mesme të laringut, pasi sëmundjet laringite klasifikohen në tre grupe. “Ky klasifikim varet nga kati i prekur i laringut, të cilët janë kati i sipërm, i mesëm apo i poshtëm, në varësi nga kordat e laringut. Kur sëmundja kap pjesën e kordave, zakonisht ka edhe një ngjirje të zërit dhe kolla i ngjan të “lehurës së qenit”, sqaroi Shehu.

Si të mjekoheni?

Këto lloj sëmundjesh trajtohen me ginelacione, që ndryshe quhen avuj. Gjithashtu, jepet edhe një terapi ndihmëse me antibiotikë, në qoftë se shkaku i kësaj sëmundjeje është ai bakterial, si edhe këshillohet mbajtja e të sëmurëve në ambiente të ngrohta. Për ta parandaluar ose për ta mbajtur nën kontroll këtë sëmundje, personat e sëmurë, së pari, duhet të bëjnë një vizitë tek mjeku, për të konfirmuar diagnozën dhe për të marrë një mjekim të saktë. Po kështu, ata duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të evitojnë daljen në ambientet e jashtme, pasi laringitet janë virale dhe mund të përhapen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›