Rrëfimi në gjithë fushën i Ari Hanit

Jetmir Halilaj, Panorama Sport
Në një bisedë me gazetarët, trajneri i Shqipërisë ka folur për jetën e tij private dhe karakterin që ka. Këngëtari i tij i preferuar është Elvis Presli. Ka shëtitur në të gjithë botën dhe nuk është i fiksuar pas parave. Ka gjithnjë probleme me menaxherët e futbollit dhe nervozohet menjëherë kur sheh një lojtar të skuadrës së tij që pi duhan.
Shqiptarët janë kuriozë të dinë se kush është Ari Han jashtë futbollit...
Jam i martuar, kam tre fëmijë dhe bëj një jetë të mirë. Martesa ime shkon mirë dhe karriera më ka ecur mirë në përgjithësi.
Në jetën private nuk kam asgjë që mund të mbetet merak. Kam shëtitur në të gjithë botën. Kam qenë në Nju Jork, Meksikë, Kinë, Kamerun, Amerikën e Jugut, në Amerikën e Veriut, në Qipro, Greqi, Rio de Zhaniero, Iran. Vetëm në Antarktidë nuk kam qenë ndonjëherë. Në karrierën time kam pasur ulje-ngritje të vazhdueshme, por kjo është e bukura. Nuk do të doja të kisha vetëm ngritje dhe më pas të rrëzohesha keqazi, dhe anasjelltas.
Cfarë është futbolli për ju?
Është pasioni im. Cdo njeri ka pasionet e tij dhe për mua futbolli është gjithcka.
Bashkëshortja juaj i ndjek ndeshjet e skuadrave që ju drejtoni? Sa e vështirë është për ju të keni familjen tuaj kudo që punoni?
Në fillimet e mia si trajner, gruaja ime dhe fëmijët e mi kur ishin të vegjël vinin gjithnjë në vendet ku unë punoja. Tani me kalimin e kohës gjërat kanë ndryshuar dhe unë nuk mund t'i kërkoj më familjes sime të vijë kudo, sepse nuk e di se sa mund të qëndroj në një vend pune. Përpos kësaj vajza ime e vogël, e cila jeton ende në shtëpinë tonë, tani është 14 vjec dhe është ambientuar aty ku jeton, ka shoqërinë e saj dhe unë nuk mund t'ia prish gjithnjë sistemin. Tani kam gjetur një praktikë të re: nuk e marr më familjen kur vendosem diku me punë. Një trajneri mund t'i ndodhë që të nënshkruajë vetëm 3 vjet dhe më pas të punojë për tre muaj, por imagjinoni sa e dëmshme është për familjen ta spostosh atë nga njëri vend në tjetrin për tre muaj.
A lexoni shpesh libra?
Po, lexoj. Më tërheqin librat 'thriller', ose ata të shkruar nga njerëz të politikës, pasi këta të fundit ta kenë mbyllur karrierën. Kanë gjithnjë mistere.
Cfarë lloj muzike dëgjoni?
Nga të gjitha rrymat. Varet se si jam shpirtërisht dhe në cfarë rrethanash. Këngëtari im i preferuar është Elvis Presli.
Keni ndonjë ves si duhani apo alkooli?
Jo, as duhan dhe as alkool nuk konsumoj.
Një gazetë greke para disa vitesh shkruante se ju jeni një njeri që konsumoni shumë alkool...
Po, e mbaj mend atë rast, por nuk është aspak e vërtetë. Ishte një gazetë lokale e Athinës dhe shkrimi ka dalë një ditë para se PAOK-u të ndeshej me Panathinaikosin. Kishin vënë një foton time ku kisha para një gotë verë dhe më pas kishin shkruar një artikull që nuk ishte aspak i vërtetë. U mërzita, por jo shumë, sepse u hakmora shpejt ndaj tyre. PAOK-u që unë drejtoja luajti në transfertë dhe fitoi. Kaq mjaftonte për mua.
Po ju në të vërtetë nuk konsumoni fare alkool?
Konsumoj aq sa një njeri normal.
Baric thoshte shpesh se gazetarët i kishte problem, po ju si i keni raportet me ta?
Gazetarët janë gjithnjë problem, sepse i fusin hundët edhe atje ku nuk duhet (qesh). Nëse do edhe mund t'i përdorësh, ashtu sic bëri Rumenige pak ditë më parë, kur doli e tha në media se po kërkojmë një trajner të ri, duke i thënë drejtpërdrejt Hicfeld se cfarëdo që të bëjë në fund të sezonit nuk do të jetë më te Bajerni. Megjithatë unë nuk është se kam shumë probleme me ta, sepse jam mësuar tashmë. Problemi im i vërtetë, të paktën gjatë kohës që kam punuar me klube, janë menaxherët e skuadrave. Ata gjithnjë krijojnë marrëdhënie më të mira me presidentët, sepse mburren ose i gënjejnë kur shesin e blejnë lojtarë, por një trajner nuk mund të sillet si ata. Më pas fillojnë të kërkojnë që të fusësh X apo Y lojtar, me qëllim që ta reklamojnë e më pas ta shesin, por as kjo nuk është normale, sepse skuadrën e drejtoj unë. Menaxherët i kam pasur shumë herë problem.
Thonë se ju nuk jeni tip që nxeheni shpesh, a është e vërtetë kjo?
Unë nuk nxehem shpesh, por kjo nuk do të thotë se jam tolerant më shumë se c'duhet. Kur shoh se lojtarët impenjohen maksimalisht, por nuk arrijnë atë që duhet, atëherë i mirëkuptoj, por kur i shoh që ata nuk e bëjnë dot një gjë dhe as nuk e marrin mundimin të përpiqen ta mësojnë, atëherë sigurisht që nxehem.
Meqë jemi te lojtarët, Baric në fund u kritikua se u tregua shumë liberal me futbollistët dhe skuadra i rrëshqiti nga duart...
Në c'kuptim liberal?
Lojtarët pinin duhan në sytë të tij.
Eh, unë nuk dua që lojtarët të pinë duhan në praninë time. Ata mund të bëjnë cfarë të duan në kohën e lirë, por jo në praninë time.
As të shkojnë në kazino apo për darka jashtë hotelit një ditë para ndeshjes?
Shaka është kjo? Vërtet ka ndodhur një gjë e tillë?
Po, ndodhi në dy ndeshjet e fundit të edicionit.
Nuk di cfarë të them, por unë nuk i pranoj këto gjëra. Lojtarët në kohën e lirë mund të bëjnë c'të duan, por ama tri ditë para ndeshjes do të ketë regjim dhe askush nuk dua ta thyejë atë.
Një nga lojtarët tanë më të mëdhenj, Lorik Cana, pati polemika me Baricin edicionin e kaluar. Kjo nuk i shërbeu aspak Kombëtares shqiptare, përkundrazi.
Së pari, ju kujtoj se unë nuk kam pasur probleme me lojtarët, gjithnjë mosmarrëveshjet i kam pasur me drejtuesit e klubit ose menaxherët. Ka pasur edhe raste kur më është dashur të bëj ndonjë shembull. I tillë ka qenë rasti i Kumanit. Ai ishte një lojtar i shkëlqyer, por filloi t'i shtonte tekat e tij gjithnjë e më shumë. Erdhi një moment kur i thashë se nëse do vazhdonte ashtu, atëherë do ta ulja në stol. Nuk më dëgjoi dhe unë e ndëshkova. Megjithatë jam i predispozuar të mos kem probleme me lojtarët. Ata duhet të bëjnë punën e tyre dhe unë timen. Vetëm kaq. Unë kam fatin e madh që kam qenë një futbollist i madh dhe e di se si mendon një futbollist i tillë. Futbollistët e mëdhenj janë si artistët, janë shumë të ndjeshëm. Jam i bindur se do të ketë gjithnjë mirëkuptim mes meje dhe lojtarëve të Kombëtares shqiptare, por do t'ua bëj të qartë se jam unë shefi dhe se do të luajmë sipas mënyrës dhe rregullave të mia.
Cili ka qenë momenti më i bukur i jetës suaj?
Ka pasur shumë të tillë. Më kujtohen shpesh kur debutova me Ajaksin, apo me Kombëtaren holandeze. Kur shkuam në finale të botërorit në '74-ën dhe '78-ën. Kam pasur shumë momente të bukura, ndaj e kam vështirë të zgjedh.
Po momenti më i vështirë i karrierës?
Po, edhe të tillë kam pasur shumë në jetën time. Kam pësuar humbje, jam zhgënjyer nga njerëz të caktuar, etj, etj. Megjithatë humbja e Botërorit me Argjentinën në vitin 1978 m'u duk fundi i botës. Ndryshe nga viti 1974 kur humbëm me Gjermaninë. Atëherë na dukej cudi që humbëm, sepse para finales e ndjenim veten kampionë bote. Ishim një ekip i shkëlqyer. Ndërsa për të shkuar në finalet e `78-ës u lodhëm shumë, tmerrësisht shumë, dhe kur dështuam e patëm të vështirë ta pranonim", - u shpreh Ari Han.
Si i përjeton humbjet Ari Han?
Varet nga rrethanat dhe nga kundërshtari që kemi përballë. Një humbje e hidhur ka qenë ajo kundër Napolit të Maradonës në finale të Kupës UEFA. Shtutgarti im i asokohe luajti shumë më mirë, por gjyqtari ishte skandaloz. Ai ka qenë një nga castet më të hidhura të karrierës sime si trajner.
Në të kaluarën keni drejtuar më parë kombëtaret e Kinës dhe të Kamerunit. Cfarë ndryshimesh vini re tek skuadra shqiptare?
Së pari, vetë njerëzit këtu më krijojnë përshtypje se jetojnë më shumë me futbollin dhe e ndjejnë më shumë atë. Kjo pasqyrohet edhe te lojtarët, të cilët përpos mundësive, kanë shumë më tepër dëshirë dhe zell për të mësuar se sa kinezët apo kamerunasit. Ky është mendimi që më vjen në mend tani.