Kategoria e parë, zhvillimet e fundit

TURBINA- Bardhyl Minxhaj është trajneri i ri skuadrës cërrikase, duke zëvendësuar brenda pak ditësh trajnerin Edmond Mustafaraj, i tërhequr për arsye financiare. Në fazën e parë trajneri i Turbinës ishte vlonjati Vasil Ruci. Minxhaj në fazën e parë drejtoi për disa javë Tomorin.
APOLONIA- Skuadra fierake është duke testuar dy lojtarë maqedonas, njëri mbrojtës i majtë dhe tjetri sulmues. Sipas trajnerit të Apolonisë, Gert Haxhiu, lojtarët janë në provë, dhe nuk është vendosur nëse do të qëndrojnë apo jo.
DAJTI- Qendërmbrojtësi Renato Lushaj nuk do të jetë më pjesë e Dajtit, pasi synon të luajë në Kategorinë Superiore. Lushaj, një prodhim i ekipeve zinxhir të Dinamos, më parë ka luajtur edhe Egantian e Rogozhinës.
BYLIS- Me skuadrën ballshiote duket se do të aktivizohen në fazën e dytë edhe sulmuesi afrikan January Ziambo e mbrojtësi lezhjan Prela. Të dy u aktivizuan në ndeshjen miqësore kundër Elbasanit.
LUFTËTARI- Trajneri i ri Petraq Bifsha kërkoi 2-3 përforcime për të ndërtuar një skuadër kompetitive për pjesën e dytë të sezonit.
BILISHT SPORT – Te skuadra trajnerit Dion Kushe në provë është 19-vjecari nga Kosova, Emis Haxhiani. Po në këtë skuadër aktivizohet edhe kosovari Isa Eminhazeri.