Rregullat për provimin e kualifikimit të arsimtarëve
11/02/2010 Testimi me shkrim i mësuesve do të zhvillohet në muajin mars
Rritja e pagës së mësuesve, sipas kategorisë ku bëjnë pjesë
Mësuesit, që deri më 30 dhjetor kanë përmbushur vjetërsinë e përcaktuar të punës në arsim (5, 10, 20 vjet punë në arsim), duhet të dorëzojnë pranë drejtorive arsimore të çdo rrethi dosjen me dokumentet e kërkuara për provimin e kualifikimit të 2010-ës. Sipas burimeve në MASH, provimi i kualifikimit të mësuesve do të mbahet gjatë muajit mars dhe do të jetë vendimtar në dhënien e titujve dhe rritjen e pagës sipas nivelit. Pjesëmarrja në programin e kualifikimit do të verifikohet jo vetëm nga ecuria e punës së mësuesit (portofoli i zhvillimit profesional), por edhe nga rezultati që këta mësues do të arrijnë në provimin me shkrim, që do të mbahet gjatë muajit mars. Gjatë këtij muaji, mësuesit duhet të paraqiten në drejtoritë arsimore për të përmbyllur procesin e regjistrimit. Fillimisht ata duhet të plotësojnë formularët e aplikimit, për të marrë pjesë në provimin e kualifikimit. Programet e testimit janë shpërndarë në mënyrë elektronike tek të gjithë drejtorët e shkollave publike. Çdo kandidat duhet të dorëzojë portofolin e zhvillimit profesional te specialistët e sektorit të trajnim-kualifikimit. Afati i fundit i dorëzimit të këtyre portofolave mbyllet në fund të këtij muaji. Në momentin e dorëzimit të portofolit të zhvillimit profesional, të gjithë mësuesit do të rishikojnë saktësinë e plotësimit sipas udhëzimit, në bashkëpunim me specialistët përkatës. Nëse mësuesi nuk dorëzon portofolin e zhvillimit profesional, nuk është i lejuar të futet në provimin me shkrim. Portofoli i zhvillimit profesional do të përmbajë: curriculum vitae (me fotografi), planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar), objektivat e arritjeve të nxënësve për kapitull, në tri nivele (për një klasë dhe në një lëndë të caktuar), modele testesh të hartuara prej tij, planifikimin e kurrikulës së lirë (për një klasë dhe një lëndë të caktuar), vlerësimin për punën e tij (nga vlerësues të brendshëm dhe të jashtëm). Kandidatët që janë trajnuar nga Instituti i Trajnimit dhe Kurrikulës, gjatë vitit 2008-2009, në bazë të portofolit të zhvillimit profesional, në formularin e aplikimit mund të paraqesin certifikatën përkatëse në vend të portofolit të sipërcituar. Zotëruesit e kësaj certifikate me kredite do ta paraqesin certifikatën origjinale te specialistët dhe do të mbahet një kopje në dokumentacionin e DART-së. Për tekstet e gjuhëve të huaja, që nuk janë të ndara në kapituj, mësuesit që do të atestohen do të përcaktojnë objektivat e arritjeve të nxënësve (si pjesë e portofolit), në tri nivele, duke u mbështetur në një modul ose dhe orë mësimore. Kjo procedurë do të kryhet edhe për mësuesit e kopshteve. Duke marrë në konsideratë specifikat e arsimit parashkollor, çdo mësuese kopshti do të përgatisë portofolin, duke u mbështetur në udhëzimet e dhëna.
Portofoli i zhvillimit profesional do të përmbajë:
curriculum vitae (me fotografi),
planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar),
objektivat e arritjeve të nxënësve për kapitull, në tri nivele (për një klasë dhe në një lëndë të caktuar),
modele testesh të hartuara prej tij,
planifikimin e kurrikulës së lirë (për një klasë dhe një lëndë të caktuar),
vlerësimin për punën e tij (nga vlerësues të brendshëm dhe të jashtëm).
Rritja e pagës për mësuesit që kalojnë provimin
Shkalla e tretë e kualifikimit (me 5 vjet punë) përfiton 5 % rritje page.
Shkalla e dytë e kualifikimit (10 vjet punë) përfiton 10 % rritje page.
Shkalla e tretë e kualifikimit (20 vjet punë) përfiton 20 % rritje page.
Pajisen me certifikatën e shkallës përkatëse të kualifikimit, pa marrë pjesë në veprimtaritë kualifikuese, punonjësit të cilët kanë kualifikimin “Master” ose gradën “Doktor i shkencave”.