E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat për qarkullimin e parave në pikat kufitare

09/12/2009  Hyjnë në fuqi ndryshimet. Shfuqizohet rregullorja e muajit mars të vitit 2003

Rezidentët dhe jorezidentët janë të detyruar të deklarojnë përpara autoriteteve doganore për shumat mbi 1 milion lekë ose kundërvleftën e tyre në valutë, burimin dhe qëllimin e mbajtjes së tyre. Rregullorja e re hyri në fuqi më 7 dhjetor 2009 dhe shfuqizon atë të marsit 2003, ndërsa është miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë më 30 shtator të këtij viti.

Ndryshimet

Rregullorja përcakton se jorezidentët që vizitojnë përkohësisht vendin tonë mund të nxjerrin jashtë saj valutë në kesh dhe/ose në çeqe udhëtarësh deri në shumën e deklaruar përpara autoriteteve doganore, kur kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo shumë duhet të justifikohet me paraqitjen e deklaratës së plotësuar në momentin e hyrjes dhe dokumentet që shoqërojnë ndryshimet, nëse ka të tilla. Sa u përket lëvizjeve fizike të arit dhe të metaleve të çmuara në pikat doganore, rezidentët dhe jorezidentët kanë të drejtë të transferojnë nga brenda-jashtë territorit të Shqipërisë, arin dhe metalet e çmuara të standardizuara, vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Ata mund ti transferojnë arin dhe metalet e çmuara të pastandardizuara nga pikat doganore, vetëm pas deklarimit në lidhje me burimin (origjinën) e tij, qëllimin e transferimit, sasinë që kërkohet të transferohet, kthimin ose jo të metaleve të çmuara dhe formën e kthimit. Dokumentacioni nuk kërkohet vetëm për bizhuteritë e përdorimit personal. Lidhur me transferime të kapitalit jashtë vendit, rregullorja përcakton se ai mund të kryhet nga persona fizikë, nëpërmjet subjekteve të licencuara nga BSH, pas deklarimit të qëllimit të transferimit të kapitalit, deklarimit të burimit të krijimit të kapitalit që transferohet, shumës së kapitalit dhe adresës ku do të transferohet.

Pastrimi i parave

Rregullorja e re e BSH-së lidhur me luftën kundër pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit, subjektet (banka, noterë, etj) njoftohen se ka një serë treguesish anomalish në sjelljen e klientëve, të cilat ata janë të detyruar ti evidentojnë zyrtarisht e të njoftojnë menjëherë Bankën Qendrore. Pasi sjellje të tilla mund të fshehin tentativa për transaksione të dyshimta. Këtu përfshihen klientë ose përfaqësues të tyre që paraqesin dokumente identifikimi me origjinë të dyshimtë, klientë që japin si adresë të tyre një adresë të një personi të tretë, klientë që hapin disa llogari dhe kryejnë transferta të shpeshta të fondeve midis tyre, klientë që kryejnë transaksione me partnerë jo të zakonshëm, mosjustifikimi me dokumentacion përkatës i veprimeve të kryera nga jorezidentët me llogaritë e hapura pranë subjekteve. Po kështu, ka raste kur klientë në vështirësi ekonomike, papritur kërkojnë të shlyejnë plotësisht ose pjesërisht detyrimet e veta me anë të derdhjeve të papritura me një vleftë të madhe, pa një justifikim të dukshëm dhe pa saktësuar origjinën e fondeve.

Rastet

Ka raste kur klientët refuzojnë ose hezitojnë të japin informacionet e duhura për kryerjen e transaksioneve, të deklarojnë aktivitetet e veta, të paraqesin dokumentacionin kontabël ose të një lloji tjetër, të sinjalizojnë marrëdhëniet e mbajtura me subjektet e tjera, të japin informacione, të cilat në rrethana normale do ta bënin vetë klientin të përshtatshëm për të marrë kredinë ose shërbime të tjera bankare/financiare.

Veprimet valutore

Përfaqësojnë transaksione dhe/ose transferta ndërmjet rezidentëve dhe jorezidentëve dhe anasjelltas, të cilat regjistrohen në llogari të bilancit të pagesave të Republikës së Shqipërisë dhe përbëhen kryesisht nga transaksionet dhe transfertat kapitale dhe transaksionet dhe transfertat korente. Transfertat dhe transaksionet ndërmjet rezidentëve dhe jorezidentëve kryhen lirisht sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›