E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit- Qeverisë: Nuk jemi mafiozë

Shoqata e Ndëtuesve i është përgjigjur akuzave të fundit të maxhorancës ndaj disa biznesmenëve në vend


TIRANË- Akuzat e dy javëve të fundit nga ana e maxhorancës ndaj disa bizneseve të ndërtimit duke i cilësuar ato të lidhura me mafian kanë krijuar një situatë shqetësuese në rrethin e tyre.


Duke iu përgjigjur akuzave të fundit të kryeministrit Berisha, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ëhstë shprehur se nuk ka asnjë lidhje mafian. Sipas SHNSH-së, Më shumë se akuzat për vjedhje toke të hedhura nga çdo anë janë lejet e ndërtimit të poseduara nga ndërtuesit ato që vërtetojnë ose jo shkeljen e pretenduar.


Në një dalje për mediat, Drejtori i Bordit Drejtues të SHNSH-së, Luigj Aleksi, u distancua nga deklaratat e ditëve të fundit nga kryeministri Sali Berisha por edhe përfaqësues të tjerë të maxhorancës duke theksuar se ky organizëm është një bashkim vullnetar i ndërtuesve i papolitizuar dhe që bazohet mbi konceptin e respektimit të ligjit.
"Pozicionohemi në mbrojtje të lejeve të ndërtimit si i vetmi dokument i patjetërsueshëm që duhet të ketë ndërtuesi për të legjitimuar ndërtimin e tij.


Ne jemi të bindur se institucionet e drejtësisë janë në gjëndje të penalizojnë çdo veprim të paligjshëm. SHNSH është kundër çdo spekullimi politik të çdo pale me punën e ndershme të ndërtuesve", - tha Aleksi

.
Në fjalën e tij Aleksi kërkoi nga qeveria që të ofrojë masa mbështetëse, qoftë edhe vetëm morale për kapërcimin e efekteve të krizës ekonomike.


"Nisur nga situata e dy viteve të fundit dhe nga efektet e rënduara të krizës ekonomike, ne presim nga qeveria masa mbështetëse për zbutjen qoftë dhe morale të pasojave të krizës që ka vlera jo vetëm për ne por edhe për të gjithë ekonominë. Gjëndja e biznesit të ndërtimit është problematike ku kompanitë janë në krizë të plotë likuiditeti financiar.


Ato janë të ndjeshme jo vetëm ndaj masave të përgjithshme denigruese por edhe ndaj çdo mase më të vogël të padrejtë që mund të merren nga administrata e pushtetit, lokal apo qendror", - tha ai.


Prej më shumë se dy javësh, kryeministri Sali Berisha, por edhe përfaqësues të tjerë të maxhorancës, janë duke përdorur një gjuhë denigruese ndaj një serë biznesësh në vend duke i cilësuar ato të lidhura me mafian.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›