E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, në Shkup: Zbatoni marrëveshjen e OHRIT

Presidenti i Republikës jep mesazhet e tij për shtetin fqinj, në ditën e parë të vizitës së tij në Maqedoni


SHKUP - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, ka kërkuar nga ligjvënësit e shtetit fqinj, që të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit. Presidenti i Republikës, referoi dje përmes një fjale në Kuvendin e Maqedonisë. Ai tha se zbatimi i kësaj marrëveshje është elementi kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj europiane.


"Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet shembull i kompromisit jo vetëm politik, por edhe i paqes ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Zbatimi i plotë i saj është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane. Kjo kornizë e rëndësishme ligjore i ka paraparë të gjithë qytetarët e Maqedonisë të barabartë përpara ligjit dhe Kushtetutës, duke u garantuar shqiptarëve të drejtat e tyre, të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe të përdorimit të saj, të përdorimit dhe respektimit të simboleve kombëtare, historike e kulturore, të përfaqësimit të drejtë të tyre në institucionet e Maqedonisë dhe një zhvillim harmonik ekonomik në zonat dhe rajonet ku ata jetojnë dhe punojnë në të mirë të familjeve dhe të vendit të tyre.


Realizimi në kohë e me sukses i saj kërkon kontributin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave politike në Maqedoni dhe institucioneve të saj", - tha dje Topi në Kuvendin e Maqedonisë.


Të njëjtin qëndrim, Presidenti i Republikës ka mbajtur edhe gjatë takimit të zhvilluar me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Pas përfundimit të takimit, përmes një konference për shtyp, Topi tërhoqi vëmendjen për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, e cila është realizuar me vullnetin e të gjitha partive politike në Maqedoni.


"Unë jam i bindur që të gjithë faktorët duhet të kontribuojnë për këtë çështje për të qenë të gjithë seriozë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje e cila pati edhe bekimin e ndërkombëtarëve", - shtoi ai.


I pyetur për këtë çështje, si dhe për faktin se sa shqiptarë kishte ai në kabinetin e tij të punës, Presidenti i Maqedonisë u përgjigj: "Vlerat e Marrëveshjes së Ohrit ne i mbrojmë gjithmonë dhe mendojmë se ato duhet të jenë pjesë e përgjithshme e rajonit ballkanik.


Për sa i përket zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, ai është paritet institucional dhe është në vazhdim e sipër; ndërsa për sa i përket kabinetit tim, kam tre të punësuar shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se ky numër nuk do të ndryshojë në të ardhmen".


Po dje, Presidenti i Republikës ka takuar Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, si dhe ka zhvilluar takime të veçanta me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për integrim të Maqedonisë, Ali Ahmeti, Kryetarin e Partisë "Demokracia e Re", Imer Selmani, si dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›