E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrejnë për prona

Kompania e Ujësjellësit Rajonal Hidrodrini në Pejë, në pasqyrat financiare të vitit 2010, ka prezantuar si pasuri të vetat pronat e KEK’ut, të komunave, të hekurudhave si dhe ato private. Sipas Auditorit Gjeneral, vlera e këtyre pronave është rreth 3 milionë euro. Auditori ka gjetur edhe shumë shkelje tjera. Nga Albulena Maloku më 26 qershor 2011 në ora 08:45

Përveç ujit, Kompania e Ujësjellësit Rajonal në Pejë edhe rrymën, transportin dhe komunën i prezanton si pasuri të vetat. Kësaj kompanie nuk po i dalin pasuritë që ka. Pronat e Korporatës Energjetike të Kosovës, të komunave, hekurudhave si dhe ato private ka vendosur t’i paraqesë si pasuri të vetat në pasqyrat financiare të vitit 2010.

Sipas Auditorit Gjeneral, kjo kompani mbi 3 milionë euro i ka prezantuar pasuri të rrejshme. “Vlera e pasurisë e prezantuar në bilancin e gjendjes nuk reflekton gjendjen reale. Pasuria në vlerë 3,610,098 euro nuk është në pronësinë e kompanisë, këto prona janë në pronësi të komunave, KEK-ut, hekurudhave, pylltarisë, private dhe të padefinuara”, konstaton auditori.

Po ashtu, kjo kompani në bilancin e gjendjes nuk ka prezantuar stoqe, derisa në pasqyrën e shpalosjeve kishte prezantuar stoqe në vlerë 833 mijë euro. Auditori ka ekzaminuar dy depo në Pejë dhe ka vërejtur se kishte stoqe. E kjo, sipas auditimit, nuk ishte prezantuar drejt në pasqyra financiare të vitit 2010. Auditori konkuludon se menaxhimi i shpenzimeve të mallrave dhe shërbimeve përmes prokurimit kishte të meta nga faza e inicimit të aktivitetit të prokurimit e deri në realizimin e kontratave. Kjo madje mund të dërgojë deri te situata ku mallrat dhe shërbimet të mos jenë të kualitetit të duhur.
Hidrodrini kishte planifikuar prokurime në vlerë prej 272,800 euro. Prej tyre kishte
realizuar 165,618 euro ose 61 për qind. Në kuadër të këtyre shpenzimeve , auditori ka gjetur parregullsi të mëdha. “Me analizën e kontratave dhe specifikacioneve vërehet se nga 31 artikuj të ofruar nga OE, Hidrodrini ka blerë vetëm dy artikuj, nr. 2 dhe nr. 26. Në qoftë se bëhet krahasimi i çmimeve të vetëm këtyre dy artikujve, në mes të operatorit ekonomik fitues dhe ofertuesve tjerë, për sasinë e blerë vërehet se Hidrodrini ka paguar me shumë 2,599 euro”, konstaton Zyra e Auditorit.

Por, kjo kompani po ballafaqohet edhe me humbje të mëdha të ujit të prodhuar, afro 72 për qind dhe gjatë tërë vitit nuk kishte bërë analiza të mjaftueshme për shkakun e këtyre humbjeve. Përpos humbjeve, auditori konstaton se kompania nuk ka inkasim të kënaqshëm për ujin e faturuar. “Përpos humbjeve të mëdha të ujit, kompania kishte edhe realizim të ulët për të hyrat e faturuara. Gjatë vitit 2010 inkasimi ishte 1,510,016 € ose afër 60 për qind”, thuhet më tej në raport. Ndërsa dosjet e personelit nuk janë komplete si dhe nuk kishte transparence të plotë gjatë rekrutimit të stafit.

Auditori i Brendshëm kishte bërë disa rekomandime në raportet e finalizuara, të cilat lidhen me disa fusha të menaxhimit financiar. Menaxhmenti nuk kishte marrë masa lidhur me adresimin e këtyre rekomandimeve. Me qëllim që të përmirësohet menaxhimi financiar dhe kontrolli i brendshëm, ZAGJ’i rekomandon bordin e kësaj kompanie që t’i caktojë menaxherit detyrën për rishikimin e procedurave aktuale të menaxhimit financiar dhe kontrolleve dhe të krijojë një pako të re të udhëzuesve. “Drejtori duhet të vendosë të dhëna të sakta për pasuritë dhe prezantim të drejtë të tyre, angazhimin shtesë për inkasimin e të hyrave, menaxhim të shpenzimeve në përputhje të plotë me kornizën ligjore,bordi duhet gjithashtu të marrë masa për të analizuar shkakun e humbjes së ujit, transparence gjatë rekrutimit të stafit, si dhe kompletimin e dosjeve të personelit”, thuhet në raportin e ZAGJ’it.

Të hyrat e planifikuara për Hidrodrinin për vitin 2010 ishin 2.63 milionë euro. E planifikimi ishte bërë vetëm për të hyrat vetanake, duke mos planifikuar të hyrat tjera nga grantet për shpenzime dhe investime kapitale. “Andaj ekziston një diference 369 mijë euro në raport me të hyrat e realizuara”. Ndërsa shpenzimet në vlerë prej 3.23 milionë tregojnë një rritje nga buxheti i planifikuar prej 1.86 milionë euro. Hidrodrini nuk kishte bërë planifikim të mirë as për shpenzimet e saj. Diferenca rrjedh kryesisht nga mosplanifikimi i shpenzimeve për borxhet e këqija dhe shpenzimeve të zhvlerësimit. Gjatë vitit të kaluar kjo kompani kishte rritur shpenzimet me rreth 100 mijë euro.”Ky është një rezultat negativ dhe një çështje shumë shqetësuese”, thuhet në raport të auditimit.

Po ashtu nga ky raport del se detyrimet e kësaj kompanie janë në rritje. Hidrodrini nuk ka korrigjuar pasqyrat e veta. Si pasojë, ZAGJ’i konstaton se mund të paguajë ndëshkime në të ardhmen. Të gjitha këto dobësi, auditorin e çojnë drejt një konkluzioni të përgjithshëm se kompania nuk ka një performancë të mirë dhe rrezikon parimet e vijimësisë. Bordi i Hidrodrinit deri në fund të vitit 2010 ishte përgjegjës para Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF), ndërsa nga viti 2011 përgjigjet para Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, si përfaqësues të pronarit (Republikës së Kosovës).

Vitin e kaluar kjo kompani ishte audituar nga kompania private e auditimit “Universum Audit”, ku kishte gjetur shumë parregullsi dhe shkelje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›