I flladitë kushërinjtë
Dy studentë të Universitetit te Prishtinës ia kanë parë hairin Rektorit Mujë Rugova.
Fal lidhjeve farefisnore, këta studentë do të shkojnë në Turqi për pushime, dy javë të plota. E bashkë me kushërinjtë e Rektorit, në bregdetin turk do të flladiten edhe 22 studentë të tjerë, përzgjedhja e të cilëve, sipas Rektoratit, është bërë në bazë të suksesit që ata kanë.
Por kjo përzgjedhje nuk është se i ka gëzuar të gjithë studentët që qëndrojnë mirë me notën mesatare, e të cilët kanë shpresuar shumë që do t’i bashkohen grupit.
Kjo pasi shumë prej tyre as nuk e kanë pas fatin të aplikojnë për këtë udhëtim. Jo pse nuk kanë dashur, por përzgjedhja e grupit për Turqi është bërë në mënyrë private.
Të paktën kështu thonë studentët, që nuk e kanë fatin e njëjtë si kolegët e tyre.
Sipas një studenteje që e vijon vitin e dytë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, e që nota e saj mesatare është 9.6, përzgjedhjen e studentëve e ka bërë vetë Rektori.
Ajo thotë se Rektori personalisht i ka telefonuar prindërit e studentëve për t’ua dhënë lajmin se fëmijët e tyre janë fituesit fatlumë të udhëtimit në Turqi.
Sipas kësaj studenteje, dy studentë nga grupi i përzgjedhur për udhëtim janë kushërinjtë e Rektorit.
“Ata janë Granit e Hana Cukaj, familjarë të ngushtë dhe që vijnë nga i njëjti fshat prej nga është Rektorit”, tregon kjo studente për Express, në kushte anonimiteti.
Ajo rrëfen se si Rektori Muja personalisht e ka telefonuar babain e Hanës për t’i kumtuar lajmin se vajza e tij është njëra ndër studentët e caktuara për të bërë këtë udhëtim.
E përveç këtij fakti, kjo studente e cila preferon që emri mos t’i publikohet në gazetë, sqaron se studentët për të cilët ka vendosur Rektori nuk janë studentët më të mirë.
“Ka pas edhe shumë studentë tjerë që kanë notën mesatare 10, e që as nuk kanë qenë të njoftuar për këtë udhëtim”, vlerëson ajo.
Fakt tjetër, sipas saj, që të lë për të dyshuar rreth përzgjedhjes së studentëve është edhe mënyra se si dhe kush është vendosur të shkojë në udhëtim.
“Më habit fakti se si të paktën një konkurs nuk është hapur, në mënyrë që të gjithë studentët të jenë të informuar për kriteret”, pohon kjo studente.
“Pastaj do të ishte shumë më e logjikshme të thuhet se përzgjedhja është bërë kinse në bazë të suksesit”, tha ajo.
Por, Rektori Mujë Rugova arsyetohet se deri vonë nuk ka pas ide se çka po bëhet me këta studentë. Kjo pasi ai thotë se informacionin për udhëtimin e studentëve kosovarë në Turqi e ka kuptuar shumë vonë. Madje, sipas tij, po të mos ishte Ambasadorja e Turqisë për vizitë të premten, ai nuk do ta kuptonte fare se këta studentë do ta vizitojnë shtetin turk.
“Përzgjedhjen e studentëve e ka bërë Zyra për Marrëdhënie me Jashtë dhe Zëvendësrektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ai ka marrë këtë ftesë prej Ambasadës turke”, tregon Rugova, për Express.
Sipas tij, kjo zyrë është kujdesur për kriteret të cilat janë përcaktuar nga Ambasada, kurse ai personalisht i ka kushtuar rëndësi vetëm një detaji.
“Unë jam kujdesur vetëm për raportin e gjinive të këtyre studentëve. Pasi më interesonte nëse janë përfaqësuar edhe gjinia femërore, sepse në këso raste zakonisht triumfojnë meshkujt”, pohon Rektori Rugova.
Kurse rreth çështjes së dy të afërmve të tij, për të cilët studentja e mjekësisë është e bindur se vet Rektori i ka fut në listë, Rugovës nuk i duket e çuditshme.
Sipas tij, i gjithë populli i Kosovës janë kushërinj mes vete.
“Kosova është e vogël dhe është e pamundur që mos të kemi lidhje familjare me dikë. Ndoshta kjo është një koincidencë”, tregon Rugova, për Express.
Por edhe përkundër që Rektori thotë se nuk është i informuar rreth formës së përzgjedhjes së këtyre studentëve, ai i di shumë mirë kriteret të cilat Ambasada turke i ka përcaktuar për studentët e UP’së.
Ai thotë se kriteri i vetëm për udhëtim ka qenë mosha dhe suksesi i studentit.
“Studentët e përzgjedhur është dashur të jenë deri në moshën 24 vjeçare dhe të kenë sukses të mirë. Të përzgjedhurit janë kryesisht studentë në vitin e parë dhe të dytin”, sqaron Rektori.
“Kurse për të gjitha gjerat e tjera, indekset dhe faktografitë e studentëve është kujdesur Zyra për Marrëdhënie me jashtë pranë Rektoratit”, tregon Mujë Rugova.